QKK hap konkursin për subvencionimin e projekteve filmike – prezantohet edhe një kategori e re eksperimentale

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka shpallur zyrtarisht hapjen e konkursit për subvencionimin e projekteve filmike për vitin 2025, duke ftuar regjisorët, producentët dhe profesionistët e industrisë së filmit të aplikojnë me idetë dhe projektet e tyre kreative.
Këtë vit, QKK sjell një risi të rëndësishme në kuadër të thirrjes vjetore: prezantimin e një kategorie të re për filma të metrazhit të gjatë me buxhet të ulët – avant garde/eksperimental, duke ofruar hapësirë për qasje më të guximshme artistike dhe forma inovative të tregimit filmik.
Përmes kësaj thirrjeje, projektet do të kenë mundësinë të marrin mbështetje financiare në këto kategori:
Film i metrazhit të gjatë – artistik
Film i metrazhit të gjatë – dokumentar
Film i metrazhit të gjatë me buxhet të ulët – avant garde/eksperimental
Film i shkurtër – artistik
Film i shkurtër – i animuar
Film i shkurtër – dokumentar
Film i shkurtër – studentor
Zhvillim i skenarit për film të metrazhit të gjatë – artistik dhe i animuar
Post-produksion për film të metrazhit të gjatë – artistik dhe dokumentar
Bashkëprodhim minor për film të metrazhit të gjatë
Zhvillim i projektit për film të metrazhit të gjatë – artistik, dokumentar dhe të animuar
Aplikimi bëhet online, përmes faqes zyrtare të QKK-së, ku të gjithë të interesuarit mund të gjejnë informacion të detajuar mbi secilën kategori duke klikuar në seksionin "Konkursi".
Afati për dorëzimin e aplikimeve është nga 22 maj deri më 25 qershor 2025.
Përmes këtij konkursi, QKK synon të fuqizojë skenën filmike vendore, të mbështesë zërat e rinj dhe të krijojë mundësi për prodhimin e veprave që pasqyrojnë realitetin, kreativitetin dhe potencialin kinematografik të Kosovës. /Telegrafi/


























































