LAJMI I FUNDIT:

Qeverisë i dorëzohet kërkesa për sigurimet shëndetësore

Qeverisë i dorëzohet kërkesa për sigurimet shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe Këshilli Përgatitor Për Themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore vendosën t’i dërgojnë qeverisë kërkesën për marrjen e vendimit për fillimin e grumbullimit të premiumeve.

Rrahmani tha se Ministria e Shëndetësisë, bashkë me disa ministri dhe agjenci tjera i kanë kryer përgatitjet teknike që pas marrjes së vendimit nga ana e ekzekutivit të vendit, të mund të fillohet me mbledhjen e premiumeve.


“Ne si Ministri e Shëndetësisë i kemi kryer përgatitjet tona, ndërsa i takon Qeverisë që t’i vlerësojë proceset që i kemi zhvilluar dhe nivelin e përgatitjeve, për të sjellë pastaj vendimin për fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore”, tha Rrahmani.

Në një njoftim për media thuhet se anëtarët e Këshillit u bëjnë thirrje qytetarëve të vendit për të cilët do të ketë një fushatë informuese, që të njoftohen përmes institucioneve përgjegjëse për procesin e sigurimeve shëndetësore, duke shfrytëzuar mekanizmat e MSh-së dhe të Agjensionit të Financimit Shëndetësor për të marrë informata burimore rreth procesit. /KP/