LAJMI I FUNDIT:

Qeveria miraton vendimin për ndarjen e buxhetit për organizatat buxhetore

Qeveria miraton vendimin për ndarjen e buxhetit për organizatat buxhetore

Qeveria në detyrë në mbledhjen e saj, sot ka miratuar propozim-vendimin për kursime dhe ndarje buxhetore të organizatave buxhetore, në pajtim me nenin 15 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Po ashtu në këtë mbledhje është miratuar edhe raporti i Thesarit për të hyrat dhe shpenzimet dhe shpenzimet për periudhën 9 mujore.


Këto dy propozim vendime i ka arsyetuar ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza, i cili tha se përfitues i vendimit të parë janë Policia e Kosovës me mbi 4 milionë euro për blerje të pajisjeve, po ashtu para janë ndarë edhe Ministrisë së Punës, Ministrisë së Jashtme dhe SSHKUK.

Ministria e Financave: Në mbledhjen e Qeverisë do të shqyrtohet vendimi për ndarje të buxhetit për organizatat buxhetore
Lexo po ashtu Ministria e Financave: Në mbledhjen e Qeverisë do të shqyrtohet vendimi për ndarje të buxhetit për organizatat buxhetore

“Duke vepruar sipas kërkesës së Ministrisë së Financave, Qeveria në detyrë ka miratuar vendimin për kursimet dhe ndarjet buxhetore ndërmjet organizatave buxhetore për vitin 2019. Vendimi mbështetet në nenin 15 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019. Ai është hartuar në bazë të kursimeve të deklaruara nga organizatat buxhetore për mjetet financiare për vitin 2019 dhe ka për qëllim që të ngritë efikasitetin e ekzekutimit të buxhetit në përmbyllje të vitit fiskal 2019. Po ashtu, qeveria ka shqyrtuar Raportin e Thesarit për të hyrat dhe shpenzimet për periudhën nëntë mujore të vitit 2019. Raporti evidenton se në këtë periudhë janë realizuar të hyra të përgjithshme në vlerë prej 1 miliard e 676 milionë euro, ndërsa shpenzimet janë në vlerën 1 miliard e 407 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Po ashtu, në këtë mbledhje është miratuar edhe propozim vendimi për rivarrimin e Dëshmorëve të Kombit.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se nëse vonohet edhe më tej formimi i qeverisë të mbahen edhe një mbledhje e ardhshme, duke parë rëndësinë për vendin.

Mbledhja e fundit e qeverisë në detyrë ishte mbajtur më 26 korrik. /Telegrafi/