LAJMI I FUNDIT:

Qeveria miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021

Qeveria miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten, koncept-dokumenti për trajtimin e kuadrit ligjor të tatimeve dhe procedurave të fushëveprimit të Administratës Tatimore të Kosovës, ka marrë miratimin e Qeverisë.

Koncept dokumenti ka bërë analizën e nevojës së rishikimit të të gjitha ligjeve sipas llojit të tatimit dhe Ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat. Gjatë rishikimit janë konstatuar mospërputhje të afateve mes ligjeve ndërsa në aspektin përmbajtjesorë janë identifikuar gjatë zbatimit të procedurave nga tatimpaguesit dhe pengesat që janë hasur në praktikë. Mangësi janë identifikuar edhe nga institucionet jashtë ATK-së dhe zbatimin e kërkesave të ATK-së për zbatim të Ligjit, siç është Policia e Kosovës, etj.


Në mbledhjen e sotme është miratuar Raporti tremujor i buxhetit 2018. Raporti përmban përmbledhjen e të hyrave dhe shpenzimeve të tremujorit të parë të këtij viti, si dhe analizën përmbledhëse të periudhës. Në këtë periudhë, sipas raportit, janë regjistruar të hyra gjithsejtë në vlerë 408,52 milionë euro, ndërsa shpenzimet janë 413,47 milionë euro. Raporti evidenton se trendi i të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore gjatë kësaj periudhe kanë qenë brenda kufijve të planifikuar.

Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021.
Korniza e aprovuar do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo Kornizë Afatmesme e Shpenzimeve reflekton prioritetet strategjike të Qeverisë. Rritja ekonomike në këtë periudhë parashihet të jetë 5 deri në 5.3 për qind, ndërsa të hyrat buxhetore do të shënojnë rritje për 18.9 për qind. Shpenzimet në këtë kohë do të shënojnë rritje prej 19.3 për qind. /Telegrafi/

Qeveria ka aprovuar edhe Programin e borxhit shtetëror 2019-20121. Edhe ky dokument do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për informim. Kosova ka një nivel relativisht të ulët të borxhit shtetëror. Me normën 16.63 të BPV-së rritja e borxhit është brenda kufizimeve ligjore dhe në krahasim me shtetet e rajonit, Kosova qëndron mirë.

Me vendimin e aprovuar për ndryshimin e Vendimit të Qeverisë 10/141, ministrja e Integrimit Evropian, është emëruar Koordinator Nacional për donacione, IPA, TAIEX dhe programe të tjera që ofrojnë donacione për Republikën e Kosovës.

Me propozimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 40 mijë euro për mbështetjen e projekteve në dobi të komunitetit kroat në Kosovë. /Telegrafi/