LAJMI I FUNDIT:

​Pronarët e biznesve në veri: Qeveria na harroi, nuk ndau asnjë cent për dëmet e shkaktuara nga vërshimet

​Pronarët e biznesve në veri: Qeveria na harroi, nuk ndau asnjë cent për dëmet e shkaktuara nga vërshimet

Bizneset në veri të Mitrovicës të prekura nga vërshimet e janarit të këtij viti, edhe pas gati një viti nuk e kanë ndier ende dorën e shtetit.

Pronarët e këtyre bizneseve janë shprehur të shqetësuar dhe ndihen të harruar për faktin se qeveria ka kompensuar shtëpitë e dëmtuara nga vërshimet në këtë pjesë të qytetit, ndërsa nuk ka ndarë asnjë cent për ta.


Fidan Cimili, pronar i biznesit të dritareve dhe dyerve në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, thotë për KosovaPress se ka mbetur shumë keq, dhe se përkundër dorëzimit të komplet dokumentacionit të duhur, ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Edhe unë jam i prekur nga vërshimet, e kam punëtorinë edhe poshtë…Qysh e kemi vlerësuar dëmin së bashku me komisionin e lagjes, jam i evidentuar diku 5 mijë e 600 euro… Krejt dokumentet i kam dorëzuar, por ende nuk na janë përgjigjur… Ka në lagje që kanë marrë dëmshpërblim për shtëpi, ndërsa bizneset jo… Normalisht se janë të rëndësishme, kemi mbetur keq”, thekson Cimili.

Edhe Uran Duraku, bashkëpronar i një biznesi që merret me prodhimin e akullit në këtë lagje, bënë të ditur se është detyruar të marrë kredi sërish në bankë, për të vazhduar punën disi.

Sipas tij, çfarëdo mbështetje nga ana e shtetit në këtë kohë, do të ishte shumë domethënës për biznesin e tij.

“Vërshimet e janarit na kanë bërë shumë telashe… Normalisht jemi detyruar të marrim kredi për me vazhdua punën për shkak se dëmet kanë qenë goxha të mëdha… Afërsisht 20 mijë euro ka qenë dëmi që biznesi ynë ka pësuar gjatë vërshimeve të janarit… Nuk kemi marrë asnjë ndihmë deri tash dhe presim që dikush të na ndihmojë prej qeverisë… Dëmshpërblimi do të ishte shumë i mirëseardhur për me vazhdua punën’, theksoi Duraku.

Ndërkaq, Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, njëherësh kryesues i komisionit vlerësues nga dëmet e vërshimeve, tha se janë gjithsej gjashtë biznese të prekura nga vërshimet të cilat nuk janë kompensuar deri tani dhe se nuk e di arsyen për këtë.

Ai u shpreh se vlera e dëmit tek këto biznese është llogaritur të jetë deri në 100 mijë euro dhe se pret që kompensimi të realizohet sa më shpejtë në mënyrë që edhe këto biznese të vazhdojnë punën me kapacitete të plota.

“Drejtoria i ka kryer obligimet dhe i ka dorëzuar komplet dokumentacionin si për ekonomi familjare ashtu edhe për biznese, por pse s’janë paguar bizneset, ne akoma nuk e dimë dhe s’kemi marrë ndonjë përgjigje… Vlera e dëmeve të këtyre bizneseve është deri në 100 mijë euro.. Ne po presim dhe kemi dëshirë që kompensimi të realizohet sa më shpejtë në mënyrë që njerëzit t’i kthehen bizneseve të tyre dhe të punojnë’, potencoi Uglanin.

Në anën tjetër, KosovaPress-i nuk ka arrit tash e dy javë të marr përgjigje nga qeveria rreth kësaj çështje./kp/