Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave kanë nisur ekzekutimin e pagesave për rrezikshmërinë e punës gjatë kohës së pandemisë për punëtorët teknikë në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.

Kjo pagesë vjen pas një vendimi të Gjykatës në favor të padive të ngritura nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës dhe Shoqata Sindikale në Gjakovë.


Deri më tani, rreth 30 punëtorë kanë pranuar kompensimin për periudhën e pandemisë COVID-19, ndërsa pjesa tjetër pritet të kompensohet në ditët në vijim. Aktualisht janë në procedurë rreth 900 padi të ngjashme, për të cilat Sindikata pret një përfundim të shpejtë dhe pozitiv.

Gjykatat deri më tash kanë miratuar kërkesat e më shumë se 50% të punëtorëve paditës, çka përbën një fitore të rëndësishme për të drejtat e punëtorëve në sektorin e shëndetësisë.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, i cili ndër të tjera ka potencuar që për mos respektimin e kërkesës së Sindikatës lidhur me pagën shtesë të rrezikshmeris gjatë kohës së pandemisë, tani Qeveria e Kosovës perveç pagës shtesë për COVID-19 obligohet të paguajë edhe qindra-mijëra euro kamatë për këtë rast.