0Shares

Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it dhe ish-ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Suedisë, Lulzim Peci, ka dalë me një propozim interesant sa i përket shënimit të kufirit me Malin e Zi.

Ai ka këshilluar që Marrëveshja për Demarkacionin të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para se të dërgohet për votim në Parlament. Por, Qeveria Haradinaj e hedh poshtë mundësinë që të ndodhë një veprim i tillë.

Lulzim Peci, ka propozuar që para se te procedohet në votim marrëveshja për demarkacionin me shtetin malazez, ajo te dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Në këtë mënyrë, siç është shprehur ai, do të shqyrtohet përputhshmëria e principit të përcaktimit të kufirit në bazë të zonave kadastrale të komunave me Kushtetutën dhe të shikohet nëse zbatimi i një principi të tillë a e dëmton integritetin territorial te vendit.

Por Qeveria e Kosovës, e përjashton këtë propozim si një alternativë për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje që po e zvarrit vendin më shumë se dy vite.

Halil Matoshi, këshilltar politik i Qeverisë Haradinaj, thotë për Express se një praktikë të cilën e ka propozuar ish-ambasadori Peci nuk zbatohet, për shkak se marrëveshjet ndërkombëtare nuk i interpreton Kushtetuesja.

“Marrëveshjet ndërkombëtare nuk i interpreton Gjykata Kushtetuese sepse ligji ndërkombëtar ka supremaci mbi ligjet e brendshme”, ka sqaruar ai.

Ndërkaq, ish-ambasadori kosovar, Lulzim Peci, përmes një postimi në Facebook, e ka komentuar edhe raportin e Bulliqit.

Ai ka shkruar se Komisioni Bulliqi nuk ka sjellë asnjë fakt se kufijtë e tashëm të Kosovës nuk përputhen me kufijtë kadastralë të Komunës së Pejës dhe Deçanit.

Ndaj raportit të Komisionit të ri për Demarkacionin pati kritika edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie. Për ambasadorin, raporti nuk përmban asgjë më shumë se vetëm gjepura, shkruan Express.

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)