Qeveria: Bisedimet për rikonstruimin po vazhdojnë me partnerët e koalicionit, procesi kërkon kohë dhe qasje serioze


Qeveria, në lidhje me rikonstruimin e paralajmëruar, njofton se procesi realizohet përmes bisedimeve me partnerët e koalicionit.
Sot dhe nesër janë paraparë takime me partitë politike ZNAM dhe VLEN.
“Duke pasur parasysh që bisedimet janë në një fazë të hershme dhe ky është një proces i ndjeshëm që kërkon një qasje serioze dhe të përgjegjshme, nuk do të hyjmë në detaje të mëtejshme në këtë kohë. Sapo të arrihen marrëveshje specifike dhe të përcaktohen zgjidhjet, publiku do të informohet menjëherë dhe plotësisht”, njoftojnë nga Qeveria.
Ajo që për momentin mbetet pozicion i pandryshuar dhe parim i qartë i kryetarit të Qeverisë, Hristijan Mickoski, ishin porositë të cilat ai publikisht i dërgoi në shënimin e 36 vjetorit të partisë në Strumicë, përkujtojnë nga atje.
Kryeministri, shtojnë nga Qeveria, atëherë theksoi se me kujdes e ndjek gjendjen në institucione dhe se nuk është i kënaqur nga dukuritë te një pjesë e funksionarëve të cilët distancohen nga parimet mbi të cilat është formuar Qeveria.
Ai theksoi se te ai mbërrijnë vërejtje për qasje të pamjaftueshme të disa ministrave dhe drejtorëve, si dhe për distancim nga problemet e përditshme dhe nevojat e qytetarëve.
“Mickoski porositi qartë se Qeveria është zgjedhur t’i shërbejë popullit, ndërsa jo të gëzojë privilegjet e pushtetit, duke shtuar se çdo funksionar duhet të jetë i kapshëm, i përkushtuar dhe vazhdimisht i pranishëm në mesin e qytetarëve”, theksojnë nga Qeveria.
Kryeministri gjithashtu porositi se nuk pranon arsyetim për mospërmbushje të detyrimeve dhe çdonjëri që nuk mund tu përgjigjet sfidave duhet ndershëm ta rishqyrtojë vendin e tij në ekip.



































