Qeveria amerikane është duke folur me gjigantët e teknoligjisë si Facebook dhe Google për të parë nëse të dhënat e vendndodhjes së përdoruesve mund të ndihmojnë në gjurmimin dhe ngadalësimin e përhapjes së COVID-19 .

Të dhënat do të ishin anonime dhe mund të lejojnë zyrtarët të shohin nëse grupet e njerëzve po mbajnë distanca të mjaftueshme nga njëri-tjetri, shkruan Daily Mail.

Zyrtarët dëshirojnë të shohin nëse kompanitë e sektorit privat mund të përpilojnë të dhënat në një mënyrë që do t’i lejonte ata të hartonin përhapjen e virusit vdekjeprurës, transmeton Telegrafi.

“Ne po eksplorojmë mënyra që informacioni i grumbulluar i vendndodhjes mund të ndihmojë në luftën kundër COVID-19”, tha Johnny Luu nga Google në një deklaratë.

“Një shembull mund të jetë duke ndihmuar autoritetet shëndetësore të përcaktojnë ndikimin e distancës sociale”.

Ai tha se çdo partneritet me qeverinë “nuk do të përfshijë ndarjen e të dhënave në lidhje me vendndodhjen, lëvizjen ose kontaktet e ndonjë individi”.

Jon Crowcroft, krijuesi i FluPhone, një aplikacion i krijuar për të gjurmuar gripin në Britani të Madhe, tha që është e mundur të përdoren të dhëna anonime për të ndjekur COVID-19.

“Agjencitë e mbrojtjes shëndetësore mund ta përdorin atë për të grumbulluar të dhëna, të cilat mund të ndihmojnë në zvogëlimin e transmetimit”, tha Crowcroft.

Kjo do t’i lejonte studiuesit të zbulojnë ‘sa kohë mbijeton virusi në një sipërfaqe, çfarë pjesë e popullsisë janë transportues asimptomatikë dhe ku të synojnë burimet kritike mjekësore”.

Zyrtari shtoi se këto njohuri mund të ‘ndihmojnë zyrtarët e shëndetit publik, studiuesit dhe shkencëtarët të përmirësojnë të kuptuarit e tyre për përhapjen e Covid-19 dhe transmetimin e sëmundjes. /Telegrafi/