LAJMI I FUNDIT:

Qeveria 5 milionë euro borxhe Postës, nuk ka para për pagat e punëtorëve

Qeveria 5 milionë euro borxhe Postës, nuk ka para për pagat e punëtorëve

Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, ka sqaruar situatën në të cilën ndodhet Posta dhe punëtorët e saj.

“Ka qenë një komunikatë se në rast se nuk kryhet shërbimi universal postar nga Qeveria, si e drejtë e garantuar me ligj, ne do të vijmë në një situatë që mos të bëjmë ekzekutimin e pagave të punonjësve tanë”.


Ai ka thënë se për shkak që kanë qenë të detyruar ta mbulojnë këtë shërbim, kanë ardhur deri te kjo situatë, raporton EO.

“Si pasojë që nuk është mbuluar ky shërbim, ne jemi obliguar që ta kërkojmë këtë edhe në rrugë ligjore dhe e kemi dërguar tek përmbaruesi privat, i cili ka marrë vendim dhe ka obliguar Qeverinë me mbuluar humbjen nga shpenzimet e shërbimit universal postar. Pas kësaj, çështja ka shkuar edhe në Gjykatën Themelore, e cila ka marrë vendim dhe i ka dhënë të drejtë Postës së Kosovës, që Qeveria të bëjë mbulimin e shërbimit universal postar. Qeveria ka kërkuar edhe një letërkonfirmim, ka qenë i vetmi që ka kërkuar për shërbim postar”.

“Borxhi aktual është diku 5 milionë euro. Ne i kemi shpenzuar këto mjete, nga të hyrat vetanake, nga buxheti vetanak i Postës, për ta ofruar shërbimin universal postar, ndërsa Qeveria nuk e ka kryer obligimin e vet ligjorë që me e mbuluar humbjen që është krijuar. I gjithë dokumentacioni relevant është plotësuar dhe ka shkuar në Qeveri dhe tani jemi në pritje që Qeveria të reflektojë”.

Hoxha ritheksoi kërkesën për pagesën e punëtorëve. Ai shtoi se paga është e garantuar me ligj. “Të paguhen punëtorët, të mos kemi bllokada në bërjen e punëve në formë normale, sepse çdo situatë e tillë e krijon një imazh jo të mirë për ndërmarrjen dhe natyrisht e dëmton afarizmin tonë për të ardhmen, sepse kemi krijuar qindra shërbime të reja postare. Paga është e garantuar me ligj. Është e drejtë themelore e çdo individi. Kemi bërë thirrje që kjo çështje të kryhet, por fatkeqësisë është vonuar”, tha ai.

Hoxha ka thënë se Posta është ndërmarrja e vetme që ka plan konkret si të dalë nga kriza. “Kostoja totale prej të cilës Posta po privohet nga e drejta për ta kryer këtë punë, është 450 mijë euro në muaj, në rast se Posta e kryen këtë shërbim. Por Posta po privohet ta kryejë këtë shërbim postar. Kjo e drejtë me ligj i takon Postës së Kosovës”.

Hoxha ka thënë se një problem tjetër është Rregullorja e Bankës Qendrore, që ia dërgon çdo konsumatori gjendjen financiare, madje për të e rrezikshme fakti që ato dërgohen në telefon.

“Kemi kërkuar që shërbimet e tilla t’i kryejë Posta. Paramendoni sa e rrezikshme është nëse atë numër telefoni e shfrytëzon dikush tjetër”.“Nëse Postës i lejohet zbatimi i ligjit, marrim përgjegjësi që nuk ka probleme as në afarizëm dhe do ketë zhvillim në ditët e ardhshme”.Problem tjetër i paraqitur nga ai, është edhe vonesa e pagesave nga Telekomi, i cili ka detyrim për zyrat që zë në ambientet e Postës dhe valët që shpërndanë me pagesë.

Ai ka thënë se komunikimi me Qeverinë, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik është përcjellë te Ministria e Financave për ta parë gjendjen. /Telegrafi/