LAJMI I FUNDIT:

Qesh, bisedo dhe këndo me GPT-4o!

Qesh, bisedo dhe këndo me GPT-4o!
Ilustrim

Nga: Chris Stokel-Walker, autor i librit How AI Ate the World / The Guardian (titulli origjinal i artikullit: Laughing, chatting, singing, GPT-4o is AI close to human, but watch out: it’s really not human) / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Inteligjenca artificiale [AI], me shpejtësi marramendëse po i ndryshon gjërat. Rreth 18 muaj më parë, kompania e teknologjisë OpenAI e shpalosi çetbotin e saj të AI-së, ChatGPT. Brenda disa muajve, 100 milionë vetë e përdornin rregullisht këtë mjet, duke e bërë aplikacionin me rritjen më të shpejtë në histori. Teksa flluskat e teknologjisë janë gjithmonë të lehta për t’u vërejtur, shumë njerëz pohojnë se bota mund të ndahet në epokën para dhe pas ChatGPT-së.


Ky interesim nuk ishte i papritur. Këtë javë, analistët e trafikut të internetit, Similarweb, njoftuan se faqja e internetit e ChatGPT-së arriti nivele të reja të rekordeve të interesit, me 83.5 milionë vizita në një ditë të vetme në maj. Premisa dhe titulli i librit tim të botuar javën e kaluar, Si e hëngri AI-ja botën [How AI Ate the World], po dalin si të vërteta. AI-ja tani në thelb është e pashmangshme.

Megjithatë, duke bërë turne në vend për të folur për të, unë ende i takoj skeptikët; njerëzit që nuk duan të jenë pjesë e revolucionit të AI-së ose që ende nuk e kanë nevojën për të bashkëvepruar me një çetbot të bazuar në tekst. Njoftimi i së hënës nga OpenAI-ja për një model të ri, GPT-4o, mund ta ndryshojë këtë situatë.

Për ata me njohuri teknike, GPT-4o është ndryshim i rëndësishëm. Por, për publikun e gjerë, ndryshimi i rëndësishëm është se sa lehtë është të veprosh me të. Përpara GPT-4o-së, mënyra kryesore e ndërveprimit me ChatGPT-in ishte të shkruaje pyetje të bazuara në tekst dhe të prisje përgjigjet e bazuara në tekst. Një ndërfaqe zanore ishte e disponueshme, por e ngathët dhe e ngadaltë. Muajve të fundit jam përpjekur të nxisja ChatGPT-në të më ndihmojë në mësimin e gjermanishtes – për të bashkëbiseduar më mirë me familjen austriake të partneres time – por, vonesat e mërzitshme midis meje duke shtruar pyetje dhe ChatGPT-së duke formuluar përgjigje dhe më pas duke i vokalizuar në mënyrë sintetike fjalët gjermane, shpeshherë në mënyrë të pakuptueshme dhe pa theksin e anglishtes së amerikanëve, e bëri të jetë padobishme.

Demonstrimet e teknologjisë nga OpenAI-ja në fillim të kësaj jave, këto gjëra i ndryshojnë. Në një pjesë të ngjarjes promovuese, ChatGPT-ja veproi si përkthyes në kohë reale në një bisedë midis anglishtes dhe italishtes. Në një tjetër qeshi si reagim ndaj një “shakaje të fort për babanë”. Dhe, në një tjetër kaloi nga leximi përmendësh i një tregimi për gjumë te leximi dramatik i cili edhe aktorin Brian Blessed do ta kompleksonte, përpara se të përfundonte me një këngë.

Sipas OpenAI-së, ky është normaliteti i ri: modeli i AI-së që mund të “rezonojë me audio, pamje dhe tekst në kohë reale”. Në shikim të parë duket të jetë hap tjetër i rëndësishëm drejt shndërrimit të fantashkencës në fakt shkencor. OpenAI-ja sugjeron se gjithnjë e më shumë po afrohet roboti shërbëtor, gjithnjë i dobishëm, gjithnjë në rrymë dhe i ngjashëm me njeriun. Dhe, rrjedha mbresëlënëse e ndërveprimit mund të shmang disa pengesa kundërshtuese drejt të qenit përdorues i AI-së. Gjithashtu ndihmon fakti se do të jetë falas, siç ka bërë më parë OpenAI-ja.

Megjithatë, ia vlen të kujtojmë mëkatin origjinal të AI-së që daton që nga viti 1956: emërtimi i saj. “Inteligjenca artificiale” është sigurisht artificiale, por nuk është ende inteligjente – dhe, ndoshta nuk do të jetë kurrë. Sa më shumë që ChatGPT-ja dhe mjetet e tjera si ajo do ta imitojnë ndërveprimin njerëzor, duke mësuar që të sillen si rrëfimtarë mendjemprehtë dhe të urtë që mund të këndojnë dhe të emocionohen, aq më shumë ka të ngjarë të harrojmë pjesën “artificiale” të këtij termi.

Ndërveprimi i rrjedhshëm të cilin OpenAI-ja është munduar ta mundësojë, e bën një punë të mirë në trajtimin e të çarave bazike të teknologjisë. Kur ChatGPT-ja hyri për herë të parë zhurmshëm në jetën tonë në nëntor 2022, ata që për dekada të tëra e kishin përcjell teknologjinë theksuan se AI-ja në formën e saj aktuale ishte pak më shumë sesa një teknologji e mahnitshme e përputhjes së modeleve – por, u heshtën nga masat e emocionuara. Hapi tjetër drejt ndërveprimit të ngjashëm me njeriun, do të shtojë më shumë zhurmën për të.

Ky është një lajm i mrekullueshëm për OpenAI-në, për një kompani tashmë të vlerësuar në më shumë se 80 miliardë dollarë dhe me investime nga Microsoft-i. CEO i saj, Sam Altman, javën e kaluar postoi se GPT-4o “për të ndihet më shumë si një magji”. Është gjithashtu lajm i mirë për të tjerët në hapësirën e AI-së të cilët po përfitojnë nga prania e teknologjisë dhe po e vendosin atë në çdo aspekt të jetës sonë. Word-i dhe PowerPoint-i i Microsoft-it tani vijnë me mjete gjeneruese të AI-së në to. Meta, kompania mëmë e Facebook-ut dhe Instagram-it, po e vendos asistentin e saj të çetbotit të AI-së në aplikacionet e saj në shumë vende, gjë që po shqetëson disa përdorues.

Por, kjo është më pak e mirë për përdoruesit e zakonshëm. Më pak fërkime midis kërkimit të një sistemi të AI-së për të bërë diçka dhe përfundimit të detyrës, në fakt është gjë e mirë për lehtësirat në përdorim, por gjithashtu na ndihmon të harrojmë se nuk po ndërveprojmë me qenie të ndjeshme. Duhet ta kujtojmë këtë, sepse AI-ja nuk është i pagabueshme; vjen me paragjykime dhe çështje mjedisore dhe pasqyron interesat e krijuesve të saj. Këto çështje urgjente janë eksploruar në librin tim dhe ekspertët me të cilët fola më thanë se këto paraqesin shqetësime të rëndësishme për të ardhmen.

Pra, me çdo kusht provojeni ChatGPT-në dhe luani me ndërveprimet e saj me zë dhe me video. Por, kini parasysh kufizimet e saj dhe se kjo gjë nuk është inteligjente, se sigurisht që është artificiale – sado që pretendon se nuk është. /Telegrafi/