LAJMI I FUNDIT:

Qeriqi: Asnjëherë nuk i kemi parë krerët e UÇK-së në zonat për të cilat Gjykata Speciale ka pretendime

Qeriqi: Asnjëherë nuk i kemi parë krerët e UÇK-së në zonat për të cilat Gjykata Speciale ka pretendime

Ish-luftëtari i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tash kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, thotë se në Semetisht dhe Budakovë, që përmenden si lokacione të dyshuara nga Specialja na aktakuzën e plotësuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nuk kanë qëndruar krerët e UÇK-së.

Qeriqi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, thotë se pos komandantëve lokal asnjëherë në vendet e përmendura nga Gjykata Speciale nuk janë parë drejtuesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.


“Unë kam vepruar në një kohë në pjesën e Shtimes. Për një kohë të gjithë në fillim të luftës e kemi mbajtur nën kontroll magjistralen Prishtinë-Shtime-Prizren. Gjatë kësaj kohe sa unë kam qëndruar jo këta që po gjykohen por asnjë eprorë të lartë të UÇK-së nuk e  kam takuar në atë zonë. Të gjithë këta i kam takuar pas lufte. Edhe pse ka qenë zona më e sigurt për të kaluar në Zonën e Nerodimes, jo vetëm unë po asnjë ushtarë që ka patrulluar me ndërrime nuk ka perënduar se ka parë në atë zonë këta që po gjykohen”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se është i bindur që për këto pika të aktakuzës, këta që po gjykohen në Hagë do të dalin të pafajshëm.

Edhe Safet Syla, ish kolonel, ka thënë se pavarësisht prezencës së tij në vendet ku pretendohet të jenë kryer këto krime, nuk ka dëgjuar asgjë në lidhje me akuzat.

“Kam ngelur i habitur me këto dy aktakuza të reja”, ka thënë ai.

Budakova dhe Semetishti janë dy lokacionet ku Prokuroria e Hagës po pretendon se janë kryer arrestime, vrasje e tortura nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Në anekset e reja të akuzave që rëndojnë mbi Thaçin dhe të tjerët, pjesa më e madhe e detajeve janë të redaktuara.

Pra, sekrete për publikun e gjerë. Mirëpo, në pjesët e pakta që janë publikuar, ofrohen rrëfime të pretenduara për disa shtëpi të cilat janë shfrytëzuar nga ish-pjesëtarët e UÇK-së për kryerjen e krimeve të luftës./Telegrafi/