LAJMI I FUNDIT:

“Qengji i butë e thithë edhe dashin”

Nuk është se “qengji i butë i thithë dy nëna”, por “qengji i butë e thithë tërë kopenë, e thithë edhe dashin”!

Këtë e ilustron skena politike kosovare. Sa herë që dikush tenton ta kundërshtojë “dashin”, karriera i dëmtohet seriozisht. E nëse nuk zmbrapset dhe nuk kërkon falje, karriera edhe i përfundon. Bile, nëse i shikojmë sesi po bëhen “reformat” nëpër parti, edhe aty shihet qartë se në të shumtën kërkohen “qengjat e rinj”, por ama “qengja të butë” të cilët do t’i zëvendësojnë “delet e plakura”, e të cilët detyrë kryesore e kanë të thonë gjithmonë: “po shef ” apo “po z. kryetar” (varësisht sesi ka dëshirë të thirret “dashi”).


Për këtë situatë të mjerë organizative të skenës shoqëroro-politike, nuk janë të pafajshëm edhe votuesit (apo shoqëria e gjere). Sepse, ne e dimë që shumica e qytetarëve të Kosovës janë të strukturuar nëpër parti të ndryshme, ku shumica votimin e kanë interes personal (apo familjar), dhe s’do mend se votojnë në atë frymë. Pra, nuk votojnë për interesin e përgjithshëm, por çka përfitojnë ata personalisht!

Prandaj, këtu kemi të bëjmë, si të thuash, me një hipokrizi të përgjithshme, sepse në fund të fundit ky spektër politik nuk ka ra nga qielli, por është prodhim i shoqërisë kosovare.

E kam parasysh se nuk është i tëri, sepse pati edhe “vjedhje industriale të votave” që d.m.th., në Kuvend kemi shumë “deputet hajna”, të cilët u bënë deputet, sepse “dashi” i tyre i bëri ashtu duke ja keqpërdorur (për mos të thënë vjedh) votat të tjerëve (qengjave të egër), meqë këta “thithin më butë”.

Mirëpo, çfarë bëri shoqëria e gjerë! Dolën “dy ogiçët” ndërkombëtarë (Dell dhe Feith) të cilët ja dhanë drejtimin “kopesë” duke thënë se “Kosova duhet ecur më tutje, nuk ka kohë për të humbur, e presin sfidat”. Ashtu u tha – ashtu edhe u bë!

Më nuk reagoi as “shoqëria civile” (nëse mund të quhen kështu këto OJQ-të?!), por as qytetaret në përgjithësi. Pos komenteve që i bënim nëpër kafene e nëpër ndeja “pas darke”, asgjë nuk ndërmorëm! I pranuam “qengjat e butë”(lexo të pafytyrët) për të na përfaqësuar dhe për të vendosur për fatin tonë. Dhe, kur del një diplomat i huaj dhe ua ndërron mendjen, bile edhe duke mos i përfillë fare (sepse ai e di mirë me kë ka të bëjë) “shoqëria civile” (por, edhe qytetarët në përgjithësi) reagojnë me lloj-lloj komentesh.

Unë nuk di se çka presin qytetarët nga ky rreth vicioz!? Nëse ne e votojmë partinë së cilës i takojmë dhe nga e cila presim që nëse fiton ajo të na strukturojë mirë diku – ose neve personalisht ose dikë të afërt të familjes; nëse lideri i partisë e bënë listën dhe i “udhëzon” (për mos të thënë i urdhëron) komisionarët që “qengjave” të tyre gjithqysh t’ua bëjnë votat (edhe nëse nuk i fitojnë); nëse këtë fakt e dinë mirë “qengjat”, të cilët para se të bëheshin deputet apo ministër s’mundën me u “ngi bukë thatë”; dhe krejt në fund, nëse “ogiçët” ndërkombëtarë e dinë këtë sepse ata që nga 1999 kanë investuar goxha shumë (jo vetëm në skenën politike por edhe shoqërinë civile) që të krijohet kjo situatë, a din vëlla dikush me ma shpjetu se çka po duam ne kosovarët?! A dëshirojmë që “qengjat e butë të egërsohen”, e mos të bien pre e urdhrave të “deshve”? Atëherë pse nuk i përkrahim ata?

Sa kandidatë të pavarur janë votuar nga kosovarët këto dhjete vitet e fundit?! Asnjë! Atëherë çfarë duam që t’ia bëjmë punën tokës për thekër e të presim me korrë banane?!

Bile, nga përvoja ime si deputet i pavarur, jo që nuk e kisha përkrahjen e duhur, por edhe kritikohesha pse e kisha lënë partinë ku isha nënkryetar?! D.m.th., nga njëra anë kërkojmë nga politikanët të mos jenë servilë ndaj liderëve (deshve), pra të kenë integritet. Por, kur ata fillojnë të mbrojnë integritetin e tyre dhe të mos veprojnë sipas urdhrave të “deshve” të partive dhe “ogiçëve” ndërkombëtarë të politikëbërjes në Kosovë – e që do apo s’do kjo të qon drejtë konfrontimit me ta, deri te ndarja nga partia – atëherë kritikat vijnë pse e tradhtove partinë?!

Pra, dëshirojmë që të kemi edhe politikanë (deputetë e ministra) që e shikojnë interesin e gjerë, e jo vetëm atë klanor a partiak, dhe politikan që i thonë jo presioneve të “ogiçëve ndërkombëtarë”; dëshirojmë deputetë që do ta kundërshtojnë “planin gjashtë pikësh të Ban Ki-moonit”, përkundër presioneve vendore e ndërkombëtare; dëshirojmë deputetë që ta kundërshtojnë privatizimin e PTK-së dhe faljen e aseteve dhe pasurisë së Kosovës; dëshirojmë deputetë që mos ta votojnë Ligjin për Buxhetin, sepse PTK do të shitet me çmim të lirë; dëshirojmë deputetë që të mos e votojnë Ligjin për Prizrenin; dëshirojmë deputetë që nuk pajtohen me “dashin” dhe ogiçët” për negociatat me Serbinë; dëshirojmë deputetë që nuk e pranojnë fusnotën; dëshirojmë të kemi deputetë që i denoncojnë edhe bashkëpartiakët e tyre për korrupsion; dëshirojmë deputetë që të jenë të dinjitetshëm edhe para ”ogiçëve ndërkombëtarë”; dëshirojmë ministra të cilët nuk do t’u japin tenderë vetëm biznesmenëve partiakë, por do t’i shikojnë ofertat më të mira etj.

Por, ama, nëse ata për shkak të gjitha këtyre mosmarrëveshjeve me “dashin dhe ogiçët” duhet të dalin të pavarur sepse aty më bashkëpunimi e humb kuptimin; ose nuk dalin nga partia, por për shkak të mos dëgjueshmërisë dhe mos servilitetit “dashi” i mënjanon, atëherë ne nuk i përkrahim ata sepse nuk kemi kurrfarë interesi prej tyre!