LAJMI I FUNDIT:

Qasja në dokumente zyrtare – pengesat dhe e drejta për t’u informuar

Qasja në dokumente zyrtare – pengesat dhe e drejta për t’u informuar

Pavarësisht se qasja në dokumente publike është një e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi, shoqëria civile dhe mediet vazhdojnë të hasin vështirësi në sigurimin e të dhënave.

Vështirësitë të cilat i kanë monitoruesit dhe gazetarët në qasje të këtyre informatave janë informacionet e pakta që i marrin, dhënia e dokumenteve jo shumë të rëndësishme si dhe vonesat në përgjigje nga ana e institucioneve.


Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se, po të kishte një qeveri e institucione transparente, atëherë kërkesa për dokumentet publike nuk do të ishte e nevojshme.

“Qasja në dokumente publike kjo e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligjin përkatës jo gjithë herë nga zyrtarët e institucioneve tona. Varësisht se çka kërkohet edhe mund të kesh qasje në dokumente publike. Fatkeqësisht shumë nga këto dokumente do të duhej të ishin edhe të publikuara pa pasur nevojë që të kërkohen fare përmes kërkesave për qasje në dokumente publike. Po sikur të kishte qeveri transparente e cila çdo dokument publik do ta publikonte, ne nuk do të kishim nevojë të bënim kërkesa për qasje në dokumente publike. Fatkeqësisht në shumicën e rasteve OJQ-të për qëllimet e tyre të monitorimit duhet që dokumente të ndryshme të arrijnë t’i sigurojnë përmes për kërkesave për qasje në dokumente publike”, thotë për Telegrafin, drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli – Nimani.

Sipas saj, qeveria duhet të fuqizoj portalin e transparencës OpenData.

“Ka pasur shumë platforma dhe ende ka ku organizatat marrin të dhënat nga institucionet dhe i publikojnë ato, mirëpo mendoj se ajo që duhet të fuqizohet më shumë është portali shtetëror OpenData, ku fatkeqësisht shumë pak institucione janë duke i publikuar të dhënat e tyre në këtë platformë”, shton ajo.

Për sa i përket punës së gazetarëve, përfaqësues të tyre thonë se, pyetjet e parashtruara për qasje në dokumentet zyrtare, shumë rrallë ndodh që të marrin përgjigje më atë se çfarë e kërkojnë.

“Për sa i përket vështirësive që i hasin gazetarët kur kemi të bëjmë me informacione, shumica e gazetarëve kanë probleme të tilla. Kur parashtrojnë pyetje për qasje në dokumentet zyrtare, shumë rrallë ndodh që të marrin përgjigje më atë se çfarë e kërkojnë, përgjigjet janë shumë të përgjithësuara e jo për detajet për ato se çfarë u interesojnë gazetarëve. Pyetje kur kanë të bëjnë me shpenzimet e zyrtarëve qeveritarë apo përgjegjës të institucioneve, kryesisht përgjigjet ose nuk merren fare ose prolongohen në pafundësi”, thotë kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli për Telegrafin.

Ajo tregon se gazetarët vazhdojnë të kufizohen për qasje në dokumente zyrtare dhe nuk marrin përgjigje ashtu siç kërkohet.

“Është një vështirësi e cila çdo ditë ballafaqohen gazetarët. Kufizohet e drejta për qasje në dokumente zyrtare asnjëherë nuk merren kërkesat ashtu siç kërkohet, kryesisht përgjigjet merret në mënyrë të përgjithësuar, pra me një farë forme nuk është se tregojnë interesin e gazetarëve”, shprehet ajo.

Begolli thotë se Avokati i Popullit ka ndihmuar mjaftueshëm në punën e gazetarëve.

“Nuk është se kemi hezituar që të bëjmë thirrje që të bëhet qasja në dokumente publike, jo shumë merakosen pushtetarët tonë kur ne dhe të gjithë akterët e shoqërisë civile bëjnë kërkesë. Ajo se çfarë duhet të bëjnë gazetarët është që të këmbëngulin që t’i marrin më saktësi informacionet që i kërkojnë. Një ndihmë mjaftë e madhe është edhe Avokati i Popullit, kur ne momentin kemi të bëjmë padrejtësi, ndihma e tyre mjaftë ka ndikuar në punën e gazetarëve”, thotë Begolli.

Në anën tjetër, Avokati i Popullit thotë se, shoqëria civile dhe mediat kanë hasur në vështirësi në realizimin e kërkesave për qasje në dokumente publike.

Sipas tyre, këto vështirësi mund të kenë ndikim negativ në punën e mediave dhe shoqërisë civile si “vëzhgues publik”.

“Gjatë hetimit dhe shqyrtimit të rasteve, përkitazi me kufizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike, Avokati i Popullit vëren se shoqëria civile dhe mediat kanë hasur në vështirësi në realizimin e kërkesave për qasje në dokumente publike. Këto vështirësi apo pengesa për qasje në informacion të saktë dhe të besueshëm me karakter publik apo në interesin e përgjithshëm të publikut mund të kenë ndikim negativ në punën e mediave dhe shoqërisë civile si ‘vëzhgues publik'”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit drejtuar Telegrafit.

Ky institucion thotë se, qasja pa pengesa në informacione është mjet i rëndësishëm që do të ndikonte në ndërtimin e besimit mes institucioneve dhe qytetarëve.

“Qasja e lehtë dhe pa pengesa në dokumente dhe informacione është mjet i rëndësishëm që ndikon në ndërtimin e besimit mes institucioneve dhe qytetarëve në transparencë të veprimeve, në efikasitetin dhe efektivitetin e administratës publike. E drejta e qasjes në dokumente Publike garantohet me Kushtetutë dhe mosveprimi sipas Kushtetutës si dhe Ligjit për Qasje në Dokumente Publike paraqet shkelje kushtetuese dhe ligjore”, thotë ky institucion.

Nga të dhënat e Avokatit të Popullit del se nga muaji korrik 2019 deri në muajin maj 2020, janë pranuar 62 ankesa që kanë të bëjnë me qasje në dokumente publike.

Nga këto ankesa, 59 janë hapur për hetim dhe 38 janë mbyllur pasi është realizuar qasja.

“Në periudhën korrik 2019-maj 2020, Avokati Popullit ka pranuar 62 ankesa që kanë të bëjnë me qasje në dokumente publike. Nga këto 62 ankesa, 59 janë hapur për hetim dhe 3 janë shpallur të papranueshme. Nga 59 ankesat e hapura për hetim 34 janë parashtruar nga OJQ-të dhe mediat (17+17), të tjerat janë ankesa individuale nga qytetarët. Nga 59 ankesat e hapura për hetim 38 janë mbyllur, për shkak se pas veprimeve që Avokati i Popullit i ka ndërmarrë është realizuar qasja”, tregon Avokati i Popullit.

Çfarë përmban Ligji për Qasje në Dokumente Publike?

Ky Ligj garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik.

Në kudër të fushëveprimit, Ligji zbatohet për të gjitha dokumentet publike që prodhohen, pranohen, mbahen, apo kontrollohen nga institucionet publike, përveç në rastet kur kufizohet ndryshe me legjislacionin në fuqi. Pra, ky Ligj nuk cenon të drejtën për qasje në dokumente publike që mbahen nga institucionet publike, e të cilat mund të rrjedhin nga instrumentet ligjore ndërkombëtare apo aktet e institucioneve të cilat i zbatojnë ato.

Sipas Ligjit, kërkesa dhe qasja në dokumente të klasifikuara, bëhet në përputhje me ligjin përkatës për klasifikimin e informacionit.

Neni 4 i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, thotë se hapja e të dhënave dhe transparenca në sektorin publik shërben për llogaridhënie ndaj publikut, për zhvillimin dhe avancimin shoqëror, ekonomik dhe demokratik.

Në kuadër të publikimit të dokumenteve publike, institucionet publike detyrohen të publikojnë në mënyrë proaktive çdo dokument publik të prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar, në formë elektronike, përmes publikimit në ueb faqen zyrtare të institucioneve publike, pavarësisht kërkesës së personit për qasje.

Pra, këto institucione detyrohen të publikojnë, në mënyrë proaktive, çdo dokument publik, të prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar nga to, menjëherë pasi dokumentet e tilla të jenë bërë të gatshme për publikim, por jo më larg se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga momenti i bërjes së tyre të qasshme.

Në kuadër të këtij Ligji, të dhënat e hapura publikohen në një portal qendror për të dhëna të hapura, i cili zhvillohet dhe menaxhohet nga ministria përgjegjëse për administratë publike. Ku, këto të dhëna publikohen në format të hapur, i cili mundëson leximin dhe modifikimin e tyre pa barriera teknologjike, të cilat mund të lexohen nga pajisjet teknologjike dhe njerëzit dhe që ofron qasje tek të gjitha përmbledhjet e të dhënave.

Shembuj të ligjeve për qasje në dokumente zyrtare

Pothuajse të gjitha vendet demokratike kanë në fuqi ligje që garantojnë qasjen në informata zyrtare.

Në Shqipëri, Kushtetuta e vitit 1998 garanton të drejtën e qasjes në informacion sipas Ligjit për të Drejtën e Informacionit. Ligji rregullon të drejtën e qasjes në informacionin e prodhuar ose të mbajtur nga sektori publik.

Neni 16 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut garanton qasjen në informacion dhe lirinë e pranimit dhe transmetimit të informacionit. Ligji për Qasje të Lirë në Informatat e Karakterit Publik u miratua në vitin 2006. Ligji lejon çdo person fizik ose juridik të marrë informacion nga organet shtetërore dhe komunale dhe personat fizikë dhe juridikë që janë duke kryer funksione publike.

Bosnja dhe Hercegovina ishte vendi i parë në rajonin e Ballkanit që miratoi një ligj të tillë, i njohur si Akti i Lirisë së Qasjes në Informacion (FOIA). Ky Akt aplikohet në çdo formë të informacionit që është në dispozicion.

Në Bullgari, Ligji për Qasjen në Informacionin Publik u miratua në vitin 2000, pas një rekomandimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 1996 për zbatimin e një ligji të tillë.

Kurse në Kroaci, Akti mbi të Drejtën e Qasjes së Informacionit është miratuar vë vitin 2003 dhe shtrihet në të gjitha autoritetet publike.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Akti i Lirisë së Informacionit u nënshkrua në nga presidenti Lyndon B. Johnson. Akti vlen vetëm për agjencitë federale. /Telegrafi/

Ky artikull është shkruar nga Telegrafi.com në kuadër të projektit Open Goverment Data Ecosystem, financuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe zbatohet nga Open Data Kosovo. Ky artikull nuk reflekton pikëpamjet dhe qëndrimet e Ambasadës Amerikane.