Putini do të largohet duarbosh nga Pekini, nuk i arrin synimet kryesore të Kremlinit

Vizita e presidentit rus, Vladimir Putin në Pekin për bisedime me presidentin kinez, Xi Jinping përfundoi pa arritjen e qëllimit më të rëndësishëm të Kremlinit, i cili ishte rikthimi i shërbimeve të kartave UnionPay për klientët rusë dhe fillimi i përdorimit të kartave Mir në Kinë.
Edhe pse gjatë takimeve u nënshkruan 22 dokumente bashkëpunimi në fusha të ndryshme, asnjë prej tyre nuk përfaqësoi një përparim të rëndësishëm në sektorin bankar dhe financiar - një prej sfidave kryesore me të cilat po përballet Rusia për shkak të sanksioneve perëndimore.
Kartat UnionPay dikur luanin një rol kyç për bankat ruse të sanksionuara, duke mundësuar transaksione financiare jashtë sistemit tradicional bankar perëndimor. Megjithatë, që nga viti i kaluar, Pekini ka refuzuar të rifillojë shërbimet e UnionPay për klientët rusë, duke e lënë kështu Kremlinin në një situatë të vështirë për sa i përket lëvizjes së lirë të fondeve dhe pagesave ndërkombëtare. Ky refuzim tregon se edhe Kina, megjithëse një aleate e Rusisë në arenën ndërkombëtare, nuk është gati të sfidojë hapur sanksionet e vendosura nga Perëndimi.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm i Rusisë ishte pranimi i kartave Mir në Kinë. Mir është një sistem pagesash i krijuar nga Rusia për të zëvendësuar sistemet e huaja të pagesave që janë bllokuar për shkak të sanksioneve, raporton mediumi i pavarur rus, meduza.
Por që nga shkurt 2024, operatori i sistemit Mir ndodhet nën sanksione amerikane, gjë që ka vështirësuar shumë përpjekjet për ta bërë atë të pranueshëm në tregjet ndërkombëtare, përfshirë Kinën. Palët nuk arritën as të bien dakord për pranimin e kartave Mir gjatë takimeve në Pekin.
Në mungesë të përparimeve në fushën bankare, Kremlini po shikon mundësi të tjera për të lehtësuar pagesat dhe transferimet financiare në Kinë, ku mjetet kryesore të pagesës janë kodet QR. Këto kode përdoren gjerësisht në Kinë për të kryer pagesa në mënyrë elektronike dhe janë një alternativë më e lehtë për t’u implementuar në krahasim me sistemet tradicionale bankare. Megjithatë, kjo zgjidhje nuk është aq gjithëpërfshirëse dhe e fuqishme sa pranimi i kartave bankare.
Në përgjithësi, dështimi për të arritur marrëveshje të rëndësishme financiare në Pekin pasqyron kufizimet e bashkëpunimit ekonomik midis Rusisë dhe Kinës, sidomos në një kontekst të tensionuar global dhe sanksionesh që godasin sistemin financiar rus. /Telegrafi/














































