LAJMI I FUNDIT:

Punonjësit shëndetësor në Maqedoni në protesta, kërkojnë rritje të pagave

Punonjësit shëndetësor në Maqedoni në protesta, kërkojnë rritje të pagave

Punëtorët shëndetësorë në RMV, sot paradite, gjatë pauzës, protestuan para Qendrës Klinike dhe Spitalit “8 Shtatori” në Shkup, duke kërkuar rritje të pagave dhe harmonizim me ndryshimet e pagës minimale. Përveç në Shkup, protesta të njëkohshme u mbajtën edhe në qytete të tjera të vendit.

“Sipas legjislacionit evropian, kjo ndërhyrje në projektligjin e pagave, në kontratat kolektive, mund të nënkuptojë heqjen ose zvogëlimin e të drejtave të punëtorëve të përcaktuara në përputhje me këto kontrata kolektive. Në vitin që nga rritja fillestare e pagës minimale dhe afrimi i profileve të tjera më të ulëta me profilin e infermierëve, raportet janë ngatërruar. Me shpalljen e rritjes së re të pagës minimale në muajin mars, profilet tjera do t’i afrohen edhe më shumë me profilin e infermierit”, tha Gordana Dimeska nga Sindikata e Qendrës Klinike.


Ajo theksoi se një anëtare e stafit teknik me përvojë me një mandat më të gjatë, do të ketë pagë më të lartë se një infermiere.

Ajo bëri të ditur se ka një dalje të madhe të infermierëve dhe siç tha ajo, pesë deri në gjashtë mijë infermierë janë larguar nga vendi në tre-pesë vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Dhoma e Mjekëve, siç u theksua në protestën para Qendrës Klinike, në tre vitet e fundit janë larguar nga vendi 2200 mjekë.

Ruse Pecanoski nga kjo sindikatë theksoi se protesta është shprehje e pakënaqësisë për faktin se për tre vjet pagat janë rritur vetëm për pesë për qind. Siç tha ai, ka pasur edhe pakënaqësi për shkak të daljes në pension të rreth 180 profesionistëve më të mirë që nuk kishin të drejtë të vazhdonin punën./Telegrafi/