LAJMI I FUNDIT:

Punëtorëve të KEK-ut u rriten pagat dhe marrin 300 euro bonuse për fundvit

Punëtorëve të KEK-ut u rriten pagat dhe marrin 300 euro bonuse për fundvit

Sindikata e Re e KEK-ut ka njoftuar se, pas bisedimeve të vazhdueshme me menaxhmentin e KEK-ut, është arritur përparim i rëndësishëm në rrugën drejt një kompensimi më të drejtë për punën që bëjnë punonjësit.

Kjo sindikatë thotë se bordi i KEK-it  ka miratuar një bonus prej 300 eurosh neto për fundvit, si dhe një rritje të pagave prej 70 eurosh që do të nisë nga janari.


“Bordi ka miratuar një bonus prej 300 eurosh neto për fundvit, si dhe një rritje të pagave prej 70 eurosh që do të nisë nga janari. Në kuptimin tonë, megjithatë, kjo nuk përmbush plotësisht pritjet tona”, thuhet në njoftimin e sindikatës në Facebook.

Sindikata thotë se pas realizimit të pjesërishëm të kërkesave të tyre, protesta e paraparë për datën 28.12.2023, me vendim të kryesisë anulohet.

“Ne vazhdojmë të përkushtohemi për qëllimet tona dhe inkurajojmë mbështetjen tuaj në këtë fazë të negociatave. Bashkësia jonë është forca jonë kryesore në këto momente”, ka njoftuar sindikata.

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) javën e kaluar ka mbajtur protestë para objektit të menaxhmentit të KEK-ut në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Në protestë u paralajmërua po ashtu se në rast të mosrealizimit të këtyre kërkesave të Sindikatës, do të ketë ndërprerje të punës dhe grevë. /Telegrafi/