LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët në fabrikën më të madhe në botë të iPhone në Kinë përleshen me policinë

Punëtorët në fabrikën më të madhe në botë të iPhone në Kinë përleshen me policinë

Protestat kanë shpërthyer në fabrikën më të madhe në botë të iPhone në qytetin kinez të Zhengzhou, sipas pamjeve të shpërndara gjerësisht në internet.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet tregojnë qindra punëtorë që marshojnë, me disa të përballur me njerëz me kostume hazmat dhe policinë e trazirave.


Ata që transmetonin drejtpërdrejt protestat thanë se punëtorët u rrahën nga policia – ndërsa pamjet treguan gjithashtu përleshje ndërmjet tyre.

Prodhuesi Foxconn tha se do të punonte me stafin dhe qeverinë lokale për të parandaluar dhunën e mëtejshme.

Në deklaratën e saj, firma tha se disa punëtorë kishin “dyshime” për pagën, por se firma do të përmbushte pagën në bazë të kontratave.

Ajo gjithashtu i përshkroi si thashetheme “të pavërteta” se rekrutëve të rinj u kërkohej të ndajnë konviktet me punëtorët që ishin pozitivë me Covid-19.

Konviktet u dezinfektuan dhe u kontrolluan nga zyrtarët lokalë përpara se të hynin njerëz të rinj, tha Foxconn.

Ndryshe, muajin e kaluar, rastet në rritje me Covid-19 e panë fabrikën të mbyllur, duke bërë që disa punëtorë të “shpërthejnë dyert” dhe të shkojnë në shtëpi.

Kompania më pas rekrutoi punëtorë të rinj me premtimin e shpërblimeve të majme. /Telegrafi/