LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e KEDS-it të palëkundur në kërkesat e tyre

Punëtorët e KEDS-it të palëkundur në kërkesat e tyre

Qindra punëtorë të KEDS sot protestuan para objektit të kësaj kompanie në Prishtinë në shenjë pakënaqësie për pagat dhe kushtet e punëtorëve.

Kryetari i Sindikatës “ElektroKosova”, Hysni Gashi, ka thënë se nga viti 2015 kërkojnë ngritjen e pagave dhe zbatimin e Kontratës Kolektive, por sipas tij kanë hasë në vesh të shurdhër nga menaxhmenti i KEDS-it.


“Pagat tona janë në nivel mjaft të ulëta dhe mezi ia dalim të mbijetojmë. Ne mburremi me punën që e bëjmë, mirëpo do t’ia bëjmë me dije menaxhmentit të KEDS-it që nuk lejojmë të nëpërkëmbet djersa e punëtorëve”, ka thënë Gashi, duke shtuar se janë të palëkundur në kërkesat e tyre për ngritje të pagave dhe zbatim të Kontratës Kolektive.

Leonora Lokaj, nënkryetare e BSPK-së, e cila u dha mbështetje kërkesave të punëtorëve të KEDS-it, tha se BSPK gjatë gjithë kohës ka qenë e njohur për padrejtësitë e menaxhemntit të KEDS-it që po ia bëjnë punëtorëve, e cila në vazhdimësi ka qenë e angazhuar të dialogojë për këtë padrejtësi.

Fehmi Pajaziti, kryetar i Këshillit Grevist, tha se kanë marrë një telefonatë nga menaxhmenti që ka ftuar për një takim lidhur me kërkesat e punëtorëve. Ai ftoi të gjithë kryetarët e shoqatave të distrikteve të shkojnë në takim me menaxhmentin për të parë qëndrimin e tyre. /KP /Telegrafi/