LAJMI I FUNDIT:

Publikimi i parë i studimit shkencor në SHBA me 21 raste të infeksionit me Coronavirus

Publikimi i parë i studimit shkencor në SHBA me 21 raste të infeksionit me Coronavirus

Një klinikë amerikane në Washington ka publikuar studimin e parë në SHBA me 21 pacientë të sëmurë kritik me coronavirusin COVID-19

Përgatiti dhe komentoi:
Prof. Dr.dr.med. Naim Shabani
Gjinekolog-obstetër dhe Patolog
Drejtor i Klinikës Gjinekologjike Gjermane – DFK, Prishtinë


Sindroma e rëndë akute respiratore- coronavirus 2 (SARS-CoV-2) dhe sëmundja që ajo shkakton, sëmundja coronavirus 2019 (COVID-19), është një gjendje emergjente shëndetësore.

Kjo sëmundje është përhapur tani në tërë botën dhe tashmë OBSH e ka shpallur pandemi.

Spitali Evergreen në Kirkland, Washington, ka publikuar, në gazetën prestigjioze JAMA ( të Shoqatës së Mjekëve Amerikanë) para pak ditësh (më dt 19.03.2020), studimin e parë të rasteve të pacientëve me sëmundje COVID-19 në Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Autorët në këtë studim përshkruajnë prezantimin klinik, karakteristikat dhe rezultatet e pacientëve te të cilët u diagnostikua infeksioni me SARS-CoV-2, gjithsej 21 pacientë.

Ata ishin të moshës mesatare 70 (43-92 vjeç), 52% e të cilëve ishin meshkuj. Të gjithë u treguan të infektuar me SARS-CoV-2. Nga ata, 18 pacientë, gjithashtu kishin sëmundje përcjellëse, më së shpeshti me insuficiencë kongjestive të zemrës dhe sëmundje kronike të veshkave.

Simptomat para – dhe gjatë pranimit

Në studimin e tyre, mjekët përshkruanin se simptomat e para që treguan pacientët me infeksion me SARS-CoV-2 përfshinin frymëzënie (76%), temperaturë me ethe (52%) dhe kollë (48%).

Këto simptoma filluan mesatarisht 3, 5 ditë para se pacientët të pranohen në spital, ku 17 prej tyre (81%) u transferuan në njësinë e kujdesit intensiv pas më pak se 24 orësh.

Një radiografi abnormale e kraharorit është vërejtur në 20 pacientë (95%) me rastin e pranimit në klinikë. Analizat laboratorike gjatë pranimit treguan numër mesatar të leukociteve 9,365/μL.

14 pacientë (67%) kishin një numër absolut të limfociteve më pak se 1.000 qeliza /μL. Në 8 pacientë (38%) testet e funksionit të mëlçisë ishin patologjike.

Dekursi i mëtutjeshëm i sëmundjes

Në rrjedhën e mëtutjeshme të sëmundjes, 15 pacientë (71%) duhej të ventiloheshin mekanikisht dhe zhvilluan të ashtuquajturën sindromë akute distrese të frymëmarrjes (ARDS). Brenda 72 orësh, 8 prej tyre kishin ARDS të rëndë.

Megjithëse nuk kishte shenja të shokut në shumicën e pacientëve te 14 pacientë (67%) gjatë fazës së sëmundjes u përdorën vazopresorët. Kardiomiopatia u zhvillua në 7 pacientë (33%). Vdekshmëria ishte 67% dhe 24% e pacientëve mbetën të sëmurë kritikisht.

9.5% të pacientëve gjendja e tyre mundësoi lirimin nga njësia e kujdesit intensiv.

Koment

Përshkrimi i studimit të publikuar tregon se shumë prej pacientëve të përfshirë zhvilluan sindromën akute të shqetësimit (distresit) të frymëmarrjes (ARDS) gjatë infeksionit me SARS-CoV-2 dhe ishin në rrezik të lartë të vdekjes.

Këto të dhëna janë të ngjashme me të dhënat e publikuara nga Kina.

Është e paqartë nëse shkalla e lartë e kardiomiopatisë e vërejtur në këtë seri rastesh është një ndërlikim i drejtpërdrejtë kardiak i infeksionit SARS-CoV-2.

Autorët janë të vetëdijshëm për numrin e vogël të rasteve në këtë studim andaj rekomandojnë që për të verifikuar më mirë këtë vëzhgim (kardiomiopatinë), kërkime të mëtejshme janë të nevojshme. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori