Veprimtari dhe politikani Mehmet Hajrizi, i cili ishte ndër figurat kryesore të delegacionit të Kosovës në Rambuje, në një intervistë për Telegrafin, ka rrëfyer për kohën kur përfaqësuesit e UÇK-së, dhe ata politik, në kohë tensionesh lufte, kishin udhëtuar për në Paris.

Në 99-ën, edhe pse ishte pritur thuajse gjashtë muaj për tu bërë njëzëri, delegacioni  i Kosovës, tashmë priste që të udhëtonte drejt Francës.

Për shkak të tensioneve lufte, fluturimi nga Airoporti i Prishtinës, ishte shtyer për një ditë – kjo pasi përfaqesuesit e UÇK-së donin më shumë siguri.

Hajrizi thotë se as pjesa politike e delegacionit nuk donin që të niseshin për në Paris, pa u siguruar që do të vinin edhe pjesa tjetër e UÇK-së.

“Ata duhej të vinin dhe ne duhet të niseshim një ditë më parë kur jemi nisur por thanë që pjesa e delegacionit që vinte nga UÇK nuk mund të udhëtonte atë ditë prandaj na thamë që të udhëtonim ne. Nuk i dinim krejt shkaqet dhe ne deklaruam që as ne nuk udhëtojmë pa qenë të sigurt që vjen edhe pjesa e delegacionit nga Ushtria Çlirimtare, që të jemi një delegacion i kompletuar. Nuk shkuam atë ditë dhe të nesërmen u mundësua që të vijnë ata dhe erdhën”.

Sekretarja Madeleine Albright me krerët e delegacionit shqiptar: Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Rexhep Qosja (nga e djathta)

“ Vëzhguesit ndërkombëtar që ishin këtu me makinat e tyre i kanë sjellë në aeroport pjesën e delegacionit të UÇK. Ata s’kanë hyrë fare në objektin e aeroportit po drejtpërdrejtë kanë shkuar në pistë dhe në Aeroplan. Siguria ishte e plotë sepse ishin në duar të ndërkombëtarëve. Nuk kishte qasje Serbia me mekanizmat e saj fare”, u shpreh Hajrizi.

Ai thotë se në aeroplanin ku ndodhej Rugova, dhe përfaqësuesit politik kishte pasur biseda relaksuese dhe me shaka.

“Por këtu në udhëtim 2 aeroplanë kanë qenë, aeroplanë ushtarak, luksozë të vegjël që nuk zinin më shumë se 7-8 persona. Nuk ishim të ndarë, një Aeroplan për UÇK-në dhe një tjetër për politikën por ishim të përzier në aeroplanin e parë dhe të dytë. Rrugës sigurisht kemi biseduar shumëçka por ka qenë një atmosferë relaksuese ka qenë më shumë ndoshta me shaka mendoj se sa po bisedohej diçka seriozisht në aeroplan, nuk ka pasur”.

Në Paris, gjatë konferencës ku ndodheshin delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, ndërkombëtarët kishin dhënë mesazhe të forta.

Zhak Shirak dhe delegacioni i Kosovës në Paris

Sipas Hajrizit, presidenti francez Zhak Shirak (Jacques Chirac), kishte thënë qartë se jo vetëm në Kosovë por as në Evropë nuk duan luftë.

“Ditën e udhëtimit, me të arritur në Paris, dy delegacionet edhe ai serb edhe ai yni na kanë dërguar në një sallë ku kemi qenë të gjithë bashkë dhe aty kanë mbajtur një fjalim, një fjalim të gjatë, të fortë dhe me kërkesa të qarta për të përmbyllur epokën e luftës, jo vetëm në Kosovë por ai tha edhe në Evropë nuk duam më luftë. Aty nuk ka pasur diskutime sepse është dëgjuar vetëm fjalimi i Zhak Shirakut, Presidentit Francez. Pastaj kemi udhëtuar në Rambuje, diku ndoshta 30 – 50 km larg Parisit dhe atje të nesërmen jemi mbledhur delegacioni ynë dhe më nuk jemi parë me delegacionin serb nuk kemi qenë bashkë në një sallë për bisedime. Ata kanë qenë në një katë tjetër më lartë ne kemi qenë në katin përdhese dhe aty është mbledhur delegacioni ynë që duhej të vendoste disa rregulla të pashkruara”m, u shpreh ai.

Por si përbehej struktura e delegacionit të Kosovës në Rambuje?

“Duke zgjedhur kryetarin e delegacionit, anëtarët e Kryesisë ishin të barabartë. Anëtarët e Kryesisë ishin Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi. Veton Surroi përfaqësonte shoqërinë civile bashkë me Blerim Shalën, Qosja LBD-në, Rugova LDK-në edhe ai partinë politike dhe Thaçi tashmë përfaqësonte UÇK-në, aty derisa u zgjodh edhe Kryetar i Delegacionit. Anëtarët e Kryesisë si të thuash këta të tre ishin të gjithë të barabartë njëri me tjetrin dhe si të thuash i pari nga të barabartët ishte kryetari Hashim Thaçi, po asnjëri prej tyre duke përfshirë edhe kryetarin, nuk mund të merrte vendim vet”.

“E para e punës duhej zgjedhur një strukturë kryesuese të delegacionit, duhej zgjedhur gjithashtu kryesuesi i delegacionit, kryetari i delegacionit. U zgjodh gjithashtu një sekretariat teknik dhe u zgjodh një grup politik i delegacionit prej katër vetash. Kryetari i delegacionit u zgjodh Hashim Thaçi, përfaqësues i UÇK-së – në sekretariat teknik ishte Edita Tahiri mos edhe Bajram Kosumi, kurse në grupin politik ishte Femi Agani, Jakup Krasniqi, Blerim Shala edhe Mehmet Hajrizi”.

Ky grupi politik i delegacionit duhet të shqyrtonte të gjitha draftet e marrëveshjeve që vinin për çdo ditë nganjëherë edhe nga dy në ditë dhe të jepte përgjigje në secilin draf ku pajtohej dhe ku jo.

“Kështu filloi puna, shkoi mbarë gjithçka, u bënë këto zgjedhjet e delegacionit edhe u arrit një marrëveshje që asnjë vendim të mos merrej pa konsensus domethënë cilido prej nesh kishte si të thuash të drejtën e vetos që të mos miratohej një vendim i delegacionit nëse nuk pajtoheshin të gjithë”, rrëfeu Hajrizi.

Ai tutje thotë se gjatë konferencës ka pasur fërkime dhe mospajtime, por që nuk përmendi kush me kënd dhe pse.

“Krejt ky proces ka zgjat diku ndoshta më shumë se një orë, aq shpejt e kemi kryer dhe aq mirë ka shkuar kjo sa nuk patëm ndonjë fërkim si të thuash. Gjatë rrugës pastaj gjithë ato ditë të zgjatjes së asaj konference sigurisht që ka pasur ndonjë mospajtim ndonjë fërkim por në përgjithësi është ruajtur uniteti i delegacionit.…Por me konsensus të plotë të gjithë delegacionit. Këtu tash, në vendimmarrje të gjithë anëtarët e delegacionit ishin të barabartë”, deklaroi Hajrizi.

Historik

Sulmet ajrore, filluan më 24 mars, 1999, pas dështimit të bisedimeve në Rambuje të Francës, ku me ndërmjetësimin ndërkombëtar ishte zhvilluar konferenca paqësore atë kohë ndërmjet autoriteteve të atëhershme të Serbisë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës.

Marrëveshjen e kompromisit e kishte pranuar pala nga Kosova, por jo edhe delegacioni nga Serbia, çka edhe solli më pas vendimin e shteteve perëndimore dhe NATO-s, për nisjen e fushatës ajrore kundër caqeve ushtarake serbe. Këto sulme, u ndërmorën për të ndalë krimet dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave serbe nën komandën e Sllobodan Millosheviqit.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë 78 ditëve të sulmeve të NATO-s, afro 1,000 aeroplanë të forcave aleate kanë bërë 35,931 fluturime mbi Kosovë dhe Serbi. Gjatë sulmeve, aeroplanët e NATO-s kanë shkatërruar 290 aeroplanë serbë, prej të cilëve 150 MIG-29, si dhe 1.000 mjete të blinduara. Numri i aeroplanëve sipas shteteve anëtare ishte: Belgjika – 14; Kanada – 18; Danimarka – 8; Gjermania – 26; Franca – 82; Britania e Madhe 72; Italia – 57; NATO – 10; Holanda – 23; Norvegjia – 6; Portugalia – 3; Spanja – 7; Turqia – 21; SHBA – 607. Gjatë këtyre ditëve flitej edhe për invadimin tokësor të trupave të NATO-s.

Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Një ditë më herët, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja Teknike e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 23 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it (NATO-s) janë në numër më të vogël, gjithsej 3.600, në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës./Telegrafi/