LAJMI I FUNDIT:

Pse rritet prolaktina?

Pse rritet prolaktina?
Dr. Rreze Serhati Morina, endokrinologe
-->

Prolaktinën e prodhon hipofiza. Vlera e prolaktinës rritet gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes

Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe
tel. 049667722

Normalisht, edhe gratë, por edhe burrat prodhojnë prolaktinën e cila te gratë joshtatzëna ndihmon në rregullimin e ciklit menstrual, kurse te burrat ka ndikim në prodhimin e spermatozoideve.

Hiperprolaktinemia (vlera e rritur e prolaktinës) e çrregullon ciklin menstrual, e pengon ovulacionin dhe rrjedhimisht nuk mund të ndodhë shtatzënia.

Hiperprolaktinemia është e shpeshtë tek gratë. Rreth 1/3 e grave në moshë reproduktive që kanë cikël të çrregullt (me vezore normale) kanë hiperprolaktinemi. Në raste të tilla ajo grua e ka të vështirë që të mbetet shtatzënë ose mund të ketë rrjedhje nga gjiri (galactorrhea).

Rreth 90% e grave që kanë galaktore kanë hiperprolaktinemi.

Disa gra kanë hiperprolaktinemi, por nuk kanë asnjë simptomë klinike.

Burrat me hiperprolaktinemi kanë impotencë dhe infertilitet.

Pse shfaqet hiperprolaktinemia?

Shkaktarët e mundshëm janë:

▪ Tumori i gjëndrës tiroide (prolactinoma)
▪ Hipotiroidizmi
▪ Barnat që jepen për mjekimin e depresionit, psikozës dhe shtypjes së lartë të gjakut.
▪ Disa bimë, si kopra dhe tërfili i kuq
▪ Irritimi i kafazit të kraharorit (vragat, bile edhe jeleku shumë i ngushtë)
▪ Stresi dhe ushtrimet e tepërta fizike
▪ Stimulimi i thimthit të gjirit

Në 1/3 e rasteve me hiperprolaktinemi nuk dihet shkaktari.

Vlera e prolaktinës mund të del e rritur nëse keni ngrënë ushqim para se ta jepni gjakun për analizë ose nëse jeni nën stres.

Testin duhet ta përsëritni disa orë pas ushqimit dhe kur jeni relaksuar.

Si trajtohet hiperprolaktinemia?

Jo të gjitha gratë me hiperprolaktinemi kanë nevojë për mjekim.

Trajtimi varet nga shkaktari i hiperprolaktinemisë. Nëse ka hipotiroidizëm atëherë me dhënien e hormoneve të tiroidesë, normalizohet edhe prolaktina.

Barnat që përdoren më së shpeshti janë kabergolina dhe bromokriptina. Fillimisht jepet doza e ulët e barit e cila rritet deri në vlerën e cila e normalizon prolaktinën.

Trajtimi vazhdon deri sa të tërhiqen simptomat ose mbeteni shtatzënë (nëse po përpiqeni që të mbeteni shtatzënë).

Kabergolina jepet dy herë në javë dhe ka më pak efekte anësore se bromokriptina. Kabergolina poashtu e normalizon prolaktinën më shpejt se bromokriptina.

Efektet më të shpeshta anësore janë marramendja, nauzea dhe kokëdhembja. Këto efekte shfaqen më rrallë kur doza rritet gradualisht. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori