LAJMI I FUNDIT:

Pse po i kap ijet? Mos ka skuqje gjenitale?

Pse po i kap ijet? Mos ka skuqje gjenitale?
Ilustrim

Nga: Ante Tomiq / Autograf.hr
Përktheu: Dush Gashi

Edhe zviceranët më të vjetër, që thuhet, nuk e mbajnë mend kur ka pasur luftë në vendin e tyre.


Mbetet vetëm në libra se si ushtria e disa kantoneve liberale, me shumicë protestante, u përplas me forcat e atyre konservatore, me shumicë katolike. Gjithçka zgjati më pak se një muaj, nga data e tretë deri në njëzet e nëntë nëntor 1847, dhe përfundoi me fitoren e liberalëve me pothuajse njëqind të vdekur nga të dyja anët. Në luftën civile zvicerane kishte më pak viktima sesa në dasmën serbe kur dhëndri qëllon me pushkë mollën në kulmin e shtëpisë.

Në atë kohë, në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ndërkohë që rajonet tona ishin praktikisht ende në epokën e hekurit, me dy, më së shumti tre të shkolluar për një mijë banorë, zviceranët kishin mend të kuptonin se lufta ishte e kotë, se urrejtja dhe dhuna nuk e bëri askënd të lumtur, se si fituesi dhe i munduri humbin njësoj në fund.

Që atëherë, për njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet, katolikët kanë jetuar në mënyrë harmonike pranë protestantëve; vëllazëria dhe uniteti mbretërojnë mes shtatë milionë e gjysmë zviceranëve.

Të gjithë respektojnë njëri-tjetrin në mënyrë të barabartë, përshëndesin njëri-tjetrin dhe në heshtje i shkojnë në nerva njëri-tjetrit, pavarësisht nëse flasin gjermanisht, frëngjisht, italisht apo retroromanisht.

Zvicra është një vend aq i rregullt dhe paqësor, saqë banorët e saj mërziten vetëm për rregullat e shtëpisë. Nëse fqinjët vërejnë se delikuenti i katit të dytë nuk i rendit mbeturinat ose, akoma më keq, se sociopati i katit të katërt e lëshon ujin e tualetit në mesnatë, i paralajmërojnë me mirësjellje, por me vendosmëri se është e papranueshme që lëvozhga e bananes të përfundojë në të njëjtën qese me një ambalazh detergjenti enësh, ndërsa kazanët WC-së e në të gjithë ndërtesën duhet të jenë absolutisht të heshtur nga dhjetë në mbrëmje deri në shtatë të mëngjesit.

Zviceranë të tillë të ndrydhur, të matur, pasivë-agresivë kanë qenë në habi të madhe ditët e fundit.

Disa bankierë të Cyrihut janë mbledhur të premten në mbrëmje, për ndeshjen e kombëtares së tyre kundër kombëtares së Serbisë në Kampionatin Botëror të Futbollit në Katar.

Me birrë dhe meze, siç u ka hije tifozëve, ata festuan kur sulmuesi i tyre Xherdan Shaqiri shënoi gol për një – zero. Ata buzëqeshën, ngritën pak gotat dhe pinë një gllënjkë të përmbajtur nga shkuma e birrës, por i shqetësoi fakti që njëri prej tyre goditi dy herë pllakën e tavolinës me thoin e gishtit tregues.

Ata e paralajmëruan me vështrime qortuese se shpërthime të tilla të egra gëzimi ishin disi të pavend, se një zhurmë e tillë e neveritshme nuk do të tolerohej, dhe ai e kuptoi se kishte bërë një gabim me goditjet ataviste dhe i penduar ngriti supet dhe kërkoi falje pa fjalë.

Një tjetër moment konfuz ishte kur lojtari kundërshtar, Dushan Vllahoviq, pas golit me të cilin Serbia në një moment doli në avantazh, i kapi ijet. Zviceranët shikonin me dyshim, pse i riu shtrëngon ijet?

A mund të ketë një skuqje gjenitale? Një infeksion kërpudhash, sugjeroi dikush. Ndoshta është infektuar në dushin e përbashkët në dhomën e zhveshjes.

Por, më pas lojtari i tyre, kapiteni Granit Xhaka, u rrëmbye mes këmbëve dhe asgjë nuk ishte e qartë për bankierët. E vetmja gjë që u dukej si një shpjegim logjik për fenomenin e kapjes së njëri-tjetrit nga serbët dhe zviceranët ishte se futbollistët, duke u shtyrë dhe duke u munduar në fushë, i merrnin morrat nga njëri-tjetri.

Paniku më i madh te bankierët erdhi në fund të lojës, kur portieri serb filloi të plaste Xhakën. Tani çfarë është kjo, hapën sytë ata? Mos nuk gabuan? Duhej të siguroheshin që ishte ende futbolli në programin televiziv.

Epo, qartë, tha njëri, këtu fusha është e madhe, katrore dhe me bar, dhe në artet marciale të përziera është tetëkëndore, më e vogël dhe e rrethuar me një tel të lartë. Por, pse të rinjtë kapen për fyti, mbetet mister për ta.

Që nga mbrëmja e së premtes, zviceranët kanë mbetur kaq të habitur. Ata janë të lumtur që arritën të tetën e finales, por mënyra se si ndodhi, duke fituar ndeshjen e fundit të Grupit G, ende i huton. Ata kanë harruar plotësisht se si është kur dikush nuk tolerohet sepse është ndryshe.

Për njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet, dy fe dhe katër gjuhë kanë jetuar paqësisht derë më derë në vendin e tyre malor, dhe tani të pafajshëm u gjendën në mes të konfliktit të dikujt tjetër, një mijë kilometra e gjysmë larg tyre, në urrejtjen dhe dhunën që disa kolonë ua sollën në bagazhe, së bashku me shlivovicën, kajmakun e suxhukun.

“Por, dëgjoni, serbët nuk mund t’i lënë shqiptarët ta kenë përsëri Kosovën. Aty janë faltoret e tyre, manastiret e tyre”, tha një bankier i Cyrihut i menduar dhe pjesa tjetër e shoqërisë e pa me habi.

Dhe, vetëm ndoshta dhjetë sekonda më vonë ata vunë re një buzëqeshje të vogël në skaje të buzëve të tij, një shenjë mezi e dukshme e ndodhisë së rrallë që një zviceran tregoi një shaka.

Pastaj të gjithë shpërthyen papritur, e gjithë shtëpia gjëmonte me të qeshura. Shenjtëritë, tha zvicerani duke fshirë lotët nga të qeshurit. Manastiret, përsëritën ata, të paaftë të mrekullohen vërtet se sa budallaqe ishte. Çfarë mangupi je ti, ia hodhi dikush shakaxhiut.

Në trend

Më shumë
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerika

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak - ishte pjesë e një grupi pro-rus

Evropa
Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Lajme
BE reagon për draft statutin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin

BE reagon për draft statutin e paralajmëruar nga Kosova për Asociacionin

Lajme
Kalo në kategori