LAJMI I FUNDIT:

Pse pati rënie të shitjes së banesave këtë vit?

Pse pati rënie të shitjes së banesave këtë vit?

“Tash e disa vite kursejmë para për të blerë banesë… Kur kemi shikuar në fillim, çmimi ka qenë 450-500 euro për metër katror në Fushë Kosovë, tash është mbi 700 euro, kurse në Prishtinë mbi 1.000 euro”, thotë Shpresa.

Me bashkëshortin dhe dy fëmijët, ajo jeton në një banesë me qira në Fushë Kosovë, për të cilën paguan 250 euro në muaj.


Thotë se interesimi i tyre për të blerë banesë ka nisur tash e tre vjet, por se çmimet e tyre kanë shkuar duke u rritur.

“Banesa ka sa të duash dhe ku të duash, por çmimi është i papërballueshëm për ne si familje 4-anëtarëshe”, thotë Shpresa për Radion Evropa e Lirë.

Ajo punon në një dyqan rrobash në Fushë Kosovë, ku paguhet 450 euro në muaj, ndërsa bashkëshorti i saj punon po ashtu në sektorin privat, me një pagë më të vogël.

“Më së shumti më dhimbsen paratë e qirasë, po humbin”, thotë ajo.

Vështirësi në sigurimin e një patundshmërie të tillë duket se kanë edhe qytetarë të tjerë të Kosovës, paga mesatare e të cilëve është rreth 520 euro në muaj.

Këtë e sugjerojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), por e pohojnë edhe përfaqësuesit e kompanive ndërtimore.

Indeksi i Çmimeve të Pronës Banesore, i përpiluar nga ASK-ja, tregon se në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë shitur 1.628 banesa, krahasuar me 4.967 sa janë shitur në krejt vitin 2022 dhe me 6.561 në vitin 2021.

Komuna e goditur më së keqi është ajo e Gjilanit me mbi 90 mijë banorë, ku në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë shitur vetëm gjashtë banesa.

Shitja e banesave nëpër komuna

Indeksi i Çmimeve të Pronës Banesore tregon se në shtatë komuna të Kosovës, gjatë tre vjetëve të fundit, ka pasur rënie të vazhdueshme të shitjes së banesave.

Çka e shkaktoi këtë trend?

Inflacioni shihet si shkaktari kryesor i rënies së kërkesave për blerje të banesave. Ai ka marrë hov në fillim të vitit 2022, kur Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës, duke shkaktuar çrregullim në tregje.

Edhe pse këtë vit ka rënë, vitin e kaluar Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare inflacioni rreth 12 për qind.

Inflacioni e ka shtrenjtuar materialin ndërtimor dhe, rrjedhimisht, çmimin e banesave, e në anën tjetër e ka zvogëluar fuqinë blerëse.

Sipas të dhënave të ASK-së, mesatarja e kostos së ndërtimit në vitin 2021 dhe 2022 ka shënuar rritje deri në 16 për qind krahasuar me vitin 2020.

Këtë vit, përkatësisht në tremujorin e tretë, kostoja e ndërtimit ka rënë për 1.6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e ASK-së, të publikuara më 8 dhjetor.

Por, ndërtimtarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thonë se shumë objekte banesore janë ndërtuar me material që ka pasur çmim më të shtrenjtë dhe ato kanë mbetur pa u shitur.

Vehbi Zariqi, pronar i kompanisë ndërtimore “Standard”, thotë se shitblerja e banesave, këtë vit, ka rënë deri në 60 për qind.

Ngjashëm pohon rënie edhe Visar Maksutaj, bashkëpronar i kompanisë ndërtimore “Cima Group”, ndonëse nuk jep ndonjë përqindje.

Milot Mehmeti, nga agjencia e patundshmërive “Pro Real Estate” në Kosovë, thotë se interesim dukshëm të zbehur ka edhe nga diaspora kosovare.

“Vjet në pranverë i kemi pasur 63 takime të gatshme me qytetarë nga diaspora dhe kur kanë ardhur, ata e kanë përfunduar blerjen. Sivjet i kemi pasur vetëm katër takime”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.

Pronari i një agjencie tjetër të patundshmërive, që nuk dëshiron të identifikohet, thotë se gjatë 2023-ës blerja e banesave ka rënë deri në 50 për qind.

Ai tregon se interesimi nuk mungon, por thotë se klientët heqin dorë për shkak të çmimit, i cili është rritur mbi 200 euro për metër katror në fillim të vitit të kaluar.

Aktualisht, mesatarja e çmimit të banesave në Kosovë është rreth 1.000 euro për metër katror. Në vitin 2021, ajo ka qenë 800 euro.

Çmimet dallojnë varësisht nga lokacioni dhe qyteti ku ndodhet banesa. Më së shtrenjti janë në Prishtinë dhe në Prizren.

Banesat janë shtrenjtuar edhe në vende të tjera të Evropës – diku deri në 30%.

A pritet ulje e çmimeve të banesave?

Ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë, ndër vite, kanë qenë qytetarët nga diaspora – edhe atë në patundshmëri.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për periudhën janar-shtator të këtij viti, nga mbi 612 milionë euro investime të huaja sa janë bërë në Kosovë, rreth 370 milionë euro kanë shkuar në sektorin e patundshmërisë. Megjithatë, aty nuk specifikohet nëse këto mjete janë investuar në banesa, shtëpi, lokale, toka apo të tjera.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, thotë se, nëse interesimi i mërgimtarëve për blerje të banesave ka rënë, një gjë e tillë do ta ulë çmimin e tyre.

Sipas tij, pronarët e kompanive ndërtimore po i presin edhe festat e fundvitit – periudhë kur, siç thotë, ka një fluks më të madh të mërgimtarëve që shkojnë në Kosovë, e që e shfrytëzojnë edhe si mundësi për blerjen e banesave.

Nëse ata nuk paraqesin interesim, thotë Skenderi, ndërtuesit do të detyrohen t’i ulin çmimet, për shkak të obligimeve që kanë ndaj kompanive të tjera, qoftë ndaj atyre që u kanë siguruar lëndën e parë, apo atyre që kanë bërë instalimin e ujit, rrymës e të tjera.

“Është e natyrshme, sepse nëse kanë obligime ndaj kontraktuesve të tjerë, ata duhet t’i paguajnë borxhet ndaj tyre dhe çmimet duhet të ulen… mos të mbeten banesat pa u shitur, qoftë edhe me një çmim më të ulët”, thotë Skenderi.

Ish-guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, pret gjithashtu rënie të çmimit të banesave.

“Unë e pres këtë rënie si rezultat i kërkesës dhe ofertës… Ata [ndërtimtarët] mund të vijnë në një situatë që t’i shesin banesat me çmimin e kostos së ndërtimit, por jo nën të”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.

Maksutaj, nga “Cima Group”, nuk pret që çmimet e banesave të bien, pasi ndërkohë, sipas tij, është shtrenjtuar edhe fuqia punëtore, edhe çmimi i tokave.

Sipas një raportimi të Radios Evropa e Lirë në mars të këtij viti, çmimet e tokave në Prishtinë janë rritur për 30 për qind e më lart, krahasuar me vitin 2020.

Përveç tyre, shtrenjtim kanë pësuar gati të gjitha produktet dhe shërbimet.

Të dhënat e publikuara në fund të shtatorit nga ASK-ja treguan se pjesa më e madhe e buxhetit familjar në Kosovë ndahet për blerjen e artikujve ushqimorë.

Sipas ASK-së, familjet kosovare shpenzuan rreth 300 për qind më shumë para për ushqim sesa për banim, vitin e kaluar.

Në trend Lajme

Më shumë
“Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

“Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Siguri
Sa realist është anëtarësimi i Kosovës në KiE?

Sa realist është anëtarësimi i Kosovës në KiE?

Lajme
Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Agron Mustafës, ngarkohet se i shkaktoi dëm afër 7 milionë euro Telekomit

Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Agron Mustafës, ngarkohet se i shkaktoi dëm afër 7 milionë euro Telekomit

Drejtësi
Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kurti optimist, shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Kurti optimist, shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Lajme
Kalo në kategori