LAJMI I FUNDIT:

Pse Macroni dëshiron t’ia shihni muskujt?

Pse Macroni dëshiron t’ia shihni muskujt?

Nga: Adam Plowright / CNN
Përkthimi: Telegrafi.com

A ishin me tamam? Reagimi i parë i shumicës së njerëzve, kur këtë javë panë fotot bardhezi të presidentit francez Emmanuel Macron duke bërë boks, ishte vënia në pikëpyetje e autenticitetit të tyre. A ishin fryrë artificialisht bicepi presidencial dhe venat që shfaqeshin?


Në mediat sociale disa pyesnin veten nëse ishin krijuar nga AI-ja [inteligjenca artificiale] apo nëse ishin rezultat i krijimit me Photoshop. Por, pamjet ishin bërë nga fotografja personale e presidentit. Kur u pyet për cinikët të cilët e kanë vënë në dyshim punën e saj, ajo i mohoi pretendimet e tyre.

Nisi të veprojë fabrika e memeve të mediave sociale. Macroni u tall si Popeye – si superheroi i marinarëve që ha spinaq. U krahasua me “Demin e tërbuar” Jake LaMotta. U gjetën fotot më pak lajkatare të krahëve të tij dhe u vendosën krah për krah me këto. “Fotografia jote e profilit kundrejt jetës reale”, shkroi njëri. Trajnerët e vërtetë të boksit e kritikuan teknikën e tij.

Por, imazhet nxisin pyetje shumë më të mëdha. Pse e ka bërë këtë? Dhe, pse tani?

Pjesa e parë e përgjigjes është se 46-vjeçari ka qenë gjithmonë i aftë për ta futur veten në qendër të vëmendjes. Që në hapat e tij të parë në politikë në vitin 2014, i vetëquajturi “përçarës” dinte si të shfrytëzonte fuqinë e provokimit. Politikanët nuk kanë frikë më të madhe sesa të qenit i kot.

Ai gjithashtu ka qenë gjithmonë sportiv. Ditët e tij të futbollit kanë ikur me kohën dhe gjen pak kohë për tenisin e tij të dashur, por ka bërë edhe boks në palestrën e pallatit presidencial qëkur e fitoi pushtetin më 2017 – ndonjëherë duke marrë ndihmës ose truprojat si partnerë.

Lëvizja e francezit është një nga “kauzat” e tij aktuale “kombëtare” – përpara Olimpiadës së Parisit në këtë vit. Në janar e postoi një video në internet, me doreza boksi të vendosura mbi supe, duke u kërkuar francezëve të bënin 30 minuta stërvitje në ditë.

Por, fotot thoshin diçka më shumë. Ky ishte Macron entuziast, gati për luftë, me dhëmbë të shtrënguar. Kudo që aktualisht shikon, njeriu i qendrës sheh beteja – shumica e të cilave i dalin nga kontrolli. Presidenti “Rocky” mund të jetë në formë të mirë fizike, por në aspektin politik dhe diplomatik është vënë në cep.

Mandati i tij i dytë në detyrë, i fituar dy vjet më parë me fitore minimale, menjëherë u pasua nga protestat më të këqija të vendit në dekadat e fundit dhe që atëherë ai ka rrëshqitur keq. Me gjithë ofendimet e muajve të fundit kundër partisë anti-imigracion të lideres së ekstremit të djathtë Marine Le Pen, sondazhet kundër tij vazhdojnë të përkeqësohen.

Partia e Le Penit është në rrugën e duhur për të fituar sërish zgjedhjet për Parlamentin Evropian, në qershor, me një diferencë të mundshme prej 10 pikëve. Asnjë komentator serioz nuk e përjashton më idenë e saj për ta pasuar Macronin më 2027. Sipas disa vlerësimeve, ajo dhe favoriti i saj, 28-vjeçari Jordan Bardella, janë politikanët e dytë dhe të tretë më të popullarizuar në vend.

Ekonomia franceze është gjithashtu në rënie, duke rrezikuar me goditje të financave publike. Macroni këtë javë mblodhi për darkë ministrat e lartë dhe aleatët, në një bufe me fruta deti, duke i urdhëruar që të gjejnë mënyrat për të ulur shpenzimet.

Armiqtë më të mëdhenj shfaqen në Lindje dhe në Perëndim. Shumë vëzhgues arritën në përfundimin se fotot klishe të boksit ishin mesazh për xhudistin me brez të zi në Kremlin, për presidentin rus Vladimir Putin – mjeshtrin e inskenimeve të burrërisë mashkullore, qoftë duke kalëruar me gjoks të zhveshur apo duke peshkuar me shtiza.

Macroni ka shumë imazhe të mëparshme edhe në këtë aspekt, meqë e postoi një video duke zbritur nga helikopteri në një nëndetëse bërthamore.

Pasi kaloi muaj të tërë duke u përpjekur për të shmangur luftën në Ukrainë e duke folur ëmbël me Putinin, muajt e fundit Macroni është shndërruar në mbrojtës kryesor të Evropës. Kanë ikur kohët kur shqetësohej për “poshtërimin” e ish-burrit të KGB-së dhe kur i qortonte kombet e Evropës Lindore si “nxitëse të luftës”.

Në fund të shkurtit, Macroni refuzoi të përjashtonte dërgimin e trupave në Ukrainë, duke shkaktuar një valë tronditëse nëpër kryeqytetet evropiane. Në të njëjtën kohë, kancelari gjerman Olaf Scholz, një theks boksi në vendin e tij për shkak se po perceptohet si i dobët – gjë që zemëron Macronin – refuzoi t’ia dorëzonte Kievit raketat me rreze të gjatë veprimi.

Ashtu si liderët në të gjithë BE-në, Macroni gjithashtu po përgatitet për kthimin e mundshëm të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Udhëheqësi francez arriti në përfundimin se forca ishte e vetmja gjuhë që kuptoi homologu i tij i ngucakeq amerikan gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Shtrëngimet e duarve mes dy burrave ishin të ngjashme me ndeshjet e mundjes: Macroni dikur o shtrëngoi aq fort gishtat e Trumpit saqë iu zbardhën këtij të fundit.

Për nga temperamenti, ish-bankieri i investimeve është njeri i rreziqeve. Për nga instinkti, i pëlqen të jetë në avantazh ndaj kundërshtarëve. Mund të duket se është i varur në litar, kur shihen problemet e shtuara në Paris, Kiev dhe Uashington, por dëshiron që ne ta dimë se ai do të vazhdojë të manovrojë. /Telegrafi/