LAJMI I FUNDIT:

Pse duhet të “hapet” thesari?

Pse duhet të “hapet” thesari?
Ilustrim

Në shtator të vitit 2018, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka marrë vendim që të gjitha kontratat të jenë publike. Në këtë aspekt, kontratat duhet të publikohen në platformën e-Prokurimi dhe në ueb-faqet e autoriteteve kontraktuese. Mirëpo, hapja e kontratave është vetëm njëra anë e medaljes, pasi për të parë në tërësi se si po shpenzohet paraja e taksapaguesve duhet të bëhen publike edhe transaksionet e Thesarit të Kosovës, që konsiderohet hapi i fundit drejt arritjes së transparencës së plotë. Thesari i Kosovës menaxhon Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK), i cili regjistron, ndër të tjera, pagesat e bëra nga organizatat buxhetore të Kosovës. Përmes hapjes së këtij sistemi do të ishte i mundur gjurmimi i shpenzimit të parasë publike (follow the money – termi në anglisht), ndërsa palëve të interesuara do t’u mundësohej analizimi i transaksioneve dhe gjetja e parregullsive dhe shkeljeve potenciale.

Mirëpo, çështja kryesore është se, pse duhet të hapen të dhënat nga thesari?


Ka shumë arsye për një gjë të tillë, por disa më të rëndësishmet janë: mundësia e publikut që t’i shikojë shpenzimet e institucioneve, mundësia e krijimit të një lidhshmërie ndërmjet kontratave të prokurimit publik dhe pagesave që bëhen, eliminimi në masë të madhe i kërkesave që dërgohen për qasje në dokumente publike sa i përket faturave të shpenzimeve, zvogëlimi i barrës për institucionet dhe rritja e besueshmërisë së publikut në institucione.

Një ndër temat më të shpeshta në media janë shpenzimet e Qeverisë së Kosovës në dreka zyrtare. Për t’i parë këto shpenzime duhet të kërkohen faturat dhe pagesat e realizuara, gjë që po të ishin të dhënat e hapura, të njëjtat do të përcilleshin në kohë reale dhe reagimi i publikut do të ishte më i shpejtë. Reagimet e tilla sot, kur këto të dhëna nuk janë publike, e bëhen vetëm pasi ndonjë medium apo OJQ ka fatin t’i marrë faturat, e atë çdo dy apo tri vite, e humbin fuqinë që duhet ta kenë. Hapja e transaksioneve në këtë rast do ta shtonte presionin për llogaridhënie. Me hapjen e këtyre transaksioneve, palët e interesuara nuk do të kishin nevojë të prisnin me vite të tëra për të pasur qasje në shumat e shpenzuara për dreka e darka zyrtare, apo për udhëtime jashtë vendit. Për këtë të fundit bëhen shumë kërkesa, për të cilat u jepet qasje vetëm pas disa vitesh.

Hapja e transaksioneve ndihmon edhe në gjetjen e keqpërdorimeve në prokurim publik. Disa nga autoritetet kontraktuese, sidomos në kohë fushatash zgjedhore kanë bërë investime kapitale pa procedura të prokurimit, siç është rasti i raportuar në media për ndërtimin e një ure në Gjilan. Kompania që i kryen punët, pagesat i merr pas një kohe, e atë përmes procedurave tjera të prokurimit ose në raste të caktuara si pagesë e drejtpërdrejtë nga thesari. Në rrethana të tilla, do të mund të krijohej një lidhshmëri ndërmjet aktiviteteve të publikuara të prokurimit dhe pagesave të bëra nga thesari, me ç’rast palët e interesuar do të hetonin nëse ka ndonjë keqpërdorim.

Një rast që ka ndodhur së fundi, e që ka bërë bujë të madhe, është vjedhja e dy milionë eurove nga Ministria e Infrastrukturës. Nëse transaksionet do të ishin të hapura, kjo gjë do të vërehej menjëherë dhe nuk do kalonin ditë të tëra pa u zbuluar një vjedhje të tillë.

Nga vendet e rajonit, Shqipëria i ka të hapura transaksionet e thesarit përmes portalit open.data.al, ku tregohet emri i përfituesit, vlera, numri i faturës dhe përshkrimi i faturës. Këto të dhëna janë shfrytëzuar nga mediat, të cilat kanë shkruar artikuj për t’i shpërfaqur keqpërdorimet me paranë publike. Në Maqedoninë e Veriut gjithashtu janë të hapura transaksionet e thesarit përmes portalit open.finance.gov.mk, në të cilën publikohen edhe pagesat e pranuar nga personat fizik. Mediat atje, përmes këtij portali kanë zbuluar se si ish-prokurorja speciale, Katica Janeva ka pranuar pagesa të paligjshme, të cilat me shumë gjasë nuk do të zbuloheshin po mos të ishin këto transaksione publike.

Në Kosovë ekziston një portal i transparencës që menaxhohet nga Ministria e Financave dhe Transfereve, mirëpo të dhënat janë vetëm të grumbulluara si kategori, që nënkupton se shpenzimet mund të shihen vetëm si tërësi për investime kapitale, mallra, etj., por nuk mund të shihen shpenzimet që bëhen në kohë reale dhe pagesat e faturave. Qeveria duhet që ta përdorë dhe zhvillojë këtë portal, duke shtuar mundësi të reja për t’i parë transaksionet e bëra nga të gjitha organizatat buxhetore. /Demokraci Plus/.