LAJMI I FUNDIT:

Pse bumi i AI-së nuk është përsëritje e dotcom-it

Pse bumi i AI-së nuk është përsëritje e dotcom-it
Ilustrim (Jaap Arriens/NurPhoto via Getty Images)

Nga: John Plender / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Mbulimet e mediave për inteligjencën artificiale [AI] – qëkur Microsoft-i në janar njoftoi për investimin e vet në ChatGPT – në mënyrë të pashmangshme ta kujtojnë çrregullimin e flluskës dotcom [në fund të viteve 1990, kohë që përkoi me adoptimin masiv të internetit, por edhe me shumë kompani të mëdha që bankrotojnë – shën. i përkth.].

Ndjesia për një dezha vy u përforcua javën e kaluar, pasi kapitalizimi i tregut i Nvidia-s – çipat e së cilës fuqizojnë aplikacionet e AI-së, ndër të tjera në ChatGPT – shpejt u ngrit në një trilion dollarë. Pra, a është ky rasti kur përsëritet e kaluara?

Në fakt, jo. Ka shumëçka të shëndetshme te kjo zhurmë e AI-së nëpër tregje.

Lëvizjet e vitit të kaluar në bursat e teknologjisë së lartë, kryesisht ndërlidheshin me rritjen e normave të interesit nga bankat qendrore. Zbatimi i një norme më të lartë të interesit – për flukset e ardhshme të largëta monetare në sektorin e teknologjisë – e tkurri vlerën aktuale të këtyre flukseve monetare. Kërcimi i këtij viti, larg nga shtytjet e bankave qendrore, reflekton diçka reale.

Simulimi i inteligjencës njerëzore në makineri, ka potencial dramatik për të ndryshuar mënyrën se si funksionon ekonomia. Disa njerëz do të përfitojnë shumë nga ky proces. Në rastin e Nvidia-s, këtë vit ata veçse kanë vendosur një rend që duhet të merret parasysh.

Pasi cikli i shtrëngimit monetar ka filluar prej disa kohësh, është e lehtë të harrohet se sa artificiale kanë qenë kushtet e tregut dhe për sa kohë ishin të tilla. Një raport i ri nga Instituti McKinsey Global thekson se para fillimit të mijëvjeçarit, rritja e vlerës neto globale ndoqi kryesisht rritjen e produktit të brendshëm bruto. Por, më pas ndodhi diçka e pazakontë.

Rreth vitit 2000, me një periudhë që ndryshonte në varësi të vendit, vlera neto, vlerat e aseteve dhe borxhi filluan të rriten dukshëm më shpejt sesa PBB-ja. Për dallim nga kjo, ka qenë e ngadaltë rritja e produktivitetit mes vendeve të G7-ës, duke rënë nga 1.8 për qind në vit mes viteve 1980 dhe 2000, në 0.8 për qind nga viti 2000 e deri në vitin 2018. AI-ja e ka potencialin të na ndihmojë të na çojë përtej kësaj bote të ngritjes së çmimit të aseteve dhe rritjes së borxhit, gjë që varet nga kapaciteti i saj për ta përmirësuar produktivitetin.

Dario Perkins nga TS Lombard sugjeron se dy mekanizma do ta nxisin këtë përmirësim. Së pari, AI-ja mund t’i bëjë më efikase proceset aktuale. Tashmë po i ndihmon punëtorët të marrin vendime duke qenë më të informuar, t’i përputhin proceset e tyre dhe t’i eliminojnë detyrat e zakonshme. Rritja që rezulton në efikasitetin e fuqisë punëtore duhet të rrisë prodhimin e përgjithshëm.

Dhe, më pas AI-ja mund t’i ndihmojë punëtorët të shpikin gjëra të reja, të bëjnë zbulime të reja dhe të bëjnë përparime teknologjike që në të ardhmen mund ta rrisin produktivitetin. Ndërkohë, një sërë studimesh kanë treguar se AI-ja gjeneruese, e cila është e aftë që vetë të mësojë dhe të kryejë disa detyra, do të rrisë efikasitetin e punonjësve dhe të kompanive që e përdorin atë.

Vini gjithashtu re se e gjithë kjo mund të ndodhë shumë më shpejt se çdo gjë tjetër në flluskën e dotcom-it. Versioni publik i ChatGPT-së arriti në 100 milionë përdorues në vetëm dy muaj. Firma GlobalData (e cila së fundmi e bleu TS Lombard-in) e analizës së të dhënave, vlerëson se tregu global i AI-së do të jetë në vlerë të 383 miliardë dollarëve në vitin 2030, një rritje vjetore me 21 për qind nga viti 2022.

Shumë komente në media kanë diskutuar mundësinë që AI-ja të shkaktojë rritje të papunësisë – një frikë kjo që është inkurajuar nga entuziastët e AI-së që flasin për uljen e kostove të punës. Megjithatë, Perkins thekson se është teorikisht i paqartë ndikimi përfundimtar i teknologjisë në tregjet e punës.

Kjo ndodh sepse përparimet teknologjike kanë dy efekte kontradiktore: një efekt zëvendësimi ose zhvendosjeje, ku teknologjitë e kursimit në punë mund t’i zhvendosin punëtorët, dhe një efekt të ardhurash ose kompensimi ku teknologjia i bën më të lira të gjitha mallrat dhe shërbimet, duke i rritur të ardhurat reale dhe duke gjeneruar burime të reja të kërkesës në sektorët e tjerë të ekonomisë. Gjatë gjithë historisë, efekti i kompensimit ka tejkaluar vazhdimisht efektin e zhvendosjes.

Askush nuk mund të jetë i sigurt nëse inteligjenca artificiale do ta pengojë këtë prirje historike apo se do të arrijë apo t’i tejkalojë nivelet njerëzore të të kuptuarit. Në fazën e tij aktuale të zhvillimit, mund të jetë i pasigurt dhe madje të vjell budallallëqe. Po aq e pakuptimtë është nëse ndikimi i deflacionit të AI-së do të tejkalojë forcat aktuale të inflacionit të mungesës së ofertës dhe tregjeve të shtrënguara të punës, si dhe të presionit të ardhshëm të çmimeve në rritje nga tkurrja e fuqisë punëtore në botën e zhvilluar dhe në Kinë.

Shefi ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, javën e kaluar e zbuloi “pikën e kthesës të një epoke të re kompjuterike”. Mund të ketë të drejtë. Duket e mundshme që teknologjia e lartë do të vazhdojë të marshojë me një ritëm të ndryshëm ndaj kompanive më konvencionale – në indeksin S&P 500 – që janë më të ndjeshme ndaj politikave monetare. Një mësim që investitorët duhet ta kujtojnë nga epoka e dotcom-it është se llumi me të madhe rritet bashkë me rritjen e kompanive që kanë bazë reale. Në vlerësimet e sotme, mund të mos jemi larg nga spastrimi i atij llumi. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Unë thjeshtë dua të luaj futboll" - Vini Jr me një gjest të shëmtuar në miqësore, Laporte tallet me të pas ndeshjes

La Liga
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

Magazina
Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në

Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në "Miss Universe", bukuroshja Rumy Alqahtani do t'i përfaqësojë në garën e bukurisë

Magazina
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Zbulohet se sa do të jetë

Zbulohet se sa do të jetë "kostoja ditore" nga shembja e urës në Baltimore

Amerika
Kalo në kategori