Pse boja në mure çahet dhe qërohet: Nuk mjafton gjithmonë vetëm një shtresë e re


Nëse muri ka lagështi, pluhur, yndyrë apo shtresa të vjetra që po bien, boja e re vetëm e mbulon përkohësisht problemin – dëmtimi shumë shpejt shfaqet sërish
Një shtresë e freskët boje është mënyra më e shpejtë për t’i dhënë hapësirës pamje të re. Prandaj, shumë njerëz, sapo muret humbin freskinë ose shfaqen njolla të vogla, marrin rulin dhe vendosin bojë të re mbi të vjetrën. Mirëpo, edhe muret kanë kufijtë e tyre.
Edhe pse nuk ka një rregull të prerë se sa herë mund të lyhet një mur, mjeshtrit paralajmërojnë se shumë shtresa boje, sidomos kur muri nuk është përgatitur si duhet, mund të shkaktojnë çarje, fryrje dhe qërojë të bojës. Prandaj, lyerja e re nuk e zgjidh gjithmonë problemin. Ndonjëherë muri duhet pastruar, lëmuar dhe përgatitur më mirë para se të lyhet sërish.
Pse boja fillon të çahet dhe të bjerë?
Sipas njohësve të rregullimit të brendshëm, nuk ka ndonjë “numër të saktë” që tregon sa shtresa boje mund të mbajë një mur. Arkitekti amerikan Alan Foster shpjegon se disa mure mund të përballojnë edhe shumë shtresa, ndërsa te disa të tjera problemet shfaqen pas vetëm disa lyerjeve.
Më e rëndësishmja është gjendja e murit. Nëse muri është i thatë, i pastër dhe i përgatitur mirë, boja e re mund të qëndrojë gjatë. Por, nëse lyhet mbi një sipërfaqe që tashmë po qërohet ose është dëmtuar nga lagështia, boja e re nuk do të ngjitet si duhet.
Lagështia është një nga shkaqet më të shpeshta. Avulli në banjë dhe kuzhinë, rrjedhjet nga gypat ose izolimi i dobët mund ta fryjnë bojën, të krijojnë flluska dhe ta shkëpusin atë nga muri.
Problem është edhe muri i papastruar mirë. Pluhuri, yndyra dhe mbetjet e bojës së vjetër nuk e lejojnë shtresën e re të lidhet mirë me sipërfaqen. Në këtë rast, edhe boja cilësore nuk jep rezultat afatgjatë, transmeton Telegrafi.

Si ta kuptoni se muri nuk duhet vetëm të rilyhet?
Disa shenja tregojnë qartë se muri ka nevojë për më shumë sesa një shtresë të re boje.
Kushtoni vëmendje nëse vëreni:
• qërim, çarje ose flluska në sipërfaqe
• gjurmë të bardha si pluhur, që mbeten në dorë kur prekni murin
• njolla dhe gërvishtje që nuk hiqen me larje
• pjesë të zbehura të murit, sidomos aty ku bie shumë diell
• myk ose njolla të errëta në qoshe dhe në hapësira me lagështi.
Në këto raste, lyerja e re mund ta fshehë problemin vetëm për pak kohë, ndërsa dëmtimi do të shfaqet sërish.
Përgatitja e mirë e murit e bën bojën të zgjasë më shumë
Kur shtresat e vjetra të bojës shkëputen nga muri, fillimisht duhet të hiqen me shpatull. Pastaj sipërfaqja duhet të lëmohet me letër smerili, në mënyrë që të largohen pabarazitë dhe boja e re të ngjitet më mirë.
Çarjet dhe vrimat mbushen me masë për rrafshim muri. Pasi masa të thahet, muri lëmohet përsëri. Para lyerjes, duhet pastruar mirë pluhuri dhe yndyra, ndërsa njollat më të forta hiqen me detergjent të butë.
Në fund vendoset shtresa bazë, e njohur edhe si astar, e cila e forcon murin dhe ndihmon që boja përfundimtare të qëndrojë më gjatë.
Sa shpesh duhet të lyhen hapësirat e ndryshme?
Sa shpesh duhet të lyhet një hapësirë varet nga përdorimi i saj, lagështia dhe ndotja.
Rekomandimet janë:
• kuzhina dhe banja – çdo tre deri në katër vjet
• korridoret dhe shkallët – çdo dy deri në tre vjet
• dhomat e ditës dhe dhomat e gjumit – çdo pesë deri në shtatë vjet, varësisht nga gjendja e mureve.
Bojërat më cilësore zakonisht mbulojnë më mirë, janë më të qëndrueshme ndaj përdorimit të përditshëm, pastrohen më lehtë dhe çahen më pak me kalimin e kohës.
Lagështia dhe myku nuk janë vetëm problem i pamjes
Qërimi i bojës shpesh tregon për një problem më të thellë: lagështinë dhe mykun. Sporet e mykut mund të ndikojnë keq në shëndet dhe të përkeqësojnë simptomat e astmës, alergjive, kollës, hundëve të bllokuara dhe irritimit të syve.
Më të ndjeshëm janë fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar.
Po ashtu, disa bojëra jocilësore mund të lëshojnë avuj të dëmshëm, të cilët te personat e ndjeshëm mund të shkaktojnë dhimbje koke, marramendje dhe acarim të rrugëve të frymëmarrjes.
Prandaj, para çdo lyerjeje të re, është e rëndësishme të gjendet shkaku i dëmtimit dhe muri të përgatitet si duhet, në vend që problemi të mbulohet vetëm me një shtresë tjetër boje. /Telegrafi/





































