LAJMI I FUNDIT:

Pse ashtu zotëri Kadare!

Ditë më parë, ju zotëri Kadare, i apeluat (vetëm – sic) zotëri Bashës për tu tërhequr nga kandidatura për kryebashkiak të Tiranës, kryesisht, duke theksuar se …ai qenka pozitar, pushtetar dhe, si i tillë, u dashka të bënte atë gjest fisnik në të mirë të çështjes më të madhe, të rendit, rregullit dhe mirëvajtjes se rrjedhave politike në Shqipëri!

Rrjedhimisht, duke e marrë në konsiderate kriterin në bazë të cilit i jeni drejtuar zotëri Bashes, ju pyes zotëri Kadare, pse nuk ia adresuat po këtë propozim zotëri Ramës, i cili, pikërisht, ai e jo zotëri Basha, është pozitar madje në disa mandate, është pushtetar rigjid antinstitucionalist dhe, për aq, pashmangshëm, antishtetëror! (sic) Ai, pra zotëri Rama, pavarësisht nga animozitetet neuralgjike e patologjike dhe paranoike kundër zotëri Berishës, kryeministrit të Shqipërisë, megjithatë, për hir të çështjes shtetërore, me te, me zotëri Sali Berishën (dhe anasjelltas) do të duhej të bashkëpunonte zyrtarisht sa për hir të çështjes shtetërore aq edhe nga se, atë imperativ e postulon cilido rend juridik (jo : sistem juridik), i cilit do shtet bashkëkohor, pra edhe ai i Shqipërisë sonë!


Pastaj, pse apelin e juaj, zotëri Kadare, nuk ia adresuat zotëri Ramës për t’iu përkul ligjit të shtetit Shqiptar, për ta përfillë Ligjin Zgjedhor me aktet nënligjore të miratuara në bazë të tij si dhe kundërkandidatit të tij, edhe pse ky i sprasmi, gjithnjë ishte dhe është korrekt dhe koherent me rregullat e rendit juridik të vendit.

Kontesti juridik i politizuar skajshëm sipas zotriut Rama, ishte dhe mbeti apostrofimi se, ai, E. R., paska fituar me dhjetë vota më shumë kundruall zotëri Bashës dhe se votat, anipse të rregullta, por gabimisht të vëna në kuti tjera të votimit, qenkan vota të pa vlera, invalide!

Ndërkaq, jo për juristin e rëndomtë, por për cilindo profil profesional tjetër, z. Rama nuk kishte të drejtë të vetproklamohej fitues dhe të celebronte fitoren në saje të prirjes me dhjetë vota përderisa nuk kishte përfunduar procedura e zgjedhjeve. E ajo procedurë, siç dihet edhe sot e kësaj dite, nuk ka përfunduar zyrtarisht nga se pritet faza përfundimtare e vendosjes së kontesteve sipas ankesave të ngritura.

Aq më parë ( A Fortiori), fletë votimet e rregullta gabimisht ( Error in Facti ) të vena në kuti inadekuate të votimit, vetëm për atë fakt, kurrsesi dhe askund në shtetet kontemporare nga revolucionet borgjeze e këtej, qoftë edhe vetëm nga parimi juridik ndërkombëtarisht valid, i mirënjohur dhe i quajtur PALA LAIKE NË PROCEDURË , nuk do të mund të cilësoheshin të pa vlerë, invalide.

Votuesi/ja në procedurën e votimit, kurdoherë, pikërisht në të mirë të tij/saj, pra edhe të votës dhe vullnetit politik origjinal, konsiderohet palë laike dhe, kontesti eventual referuar lëshimit teknik definohet dhe zgjidhet, kurdoherë dhe kudo në favorin e tij/saj, të votës, vullnetit politik të autorit/es respektiv/e.

Ky interpretim përkon edhe me disa nga parimet fundamentale të doktrinës së jurisprudencës qe datojnë nga e Drejta Romake e famshme, kryesisht e recipuar në Sistemin Juridik Evropian Kontinental dhe në këtë rast edhe në Sistemin Juridik
Anglosakson; konkretisht postulati dhe premisa juridike Error Facti Non Nocet = Gabimi faktik nuk dënon, lëshimin teknik të bujkut, blegtorit apo kryetarit të shtetit gjatë procedurës zgjedhore (sikundër në procedurën civile, administrative, penale, kundravajtëse …) , autorin, palën nuk e ndëshkon!

Përkundrazi, përgjegjësinë referuar error in facti –t të votuesit nëpërmjet vënies së fletëvotimit në vend, në kuti të caktuar, në tjetër kuti, kurdoherë, në vend të votuesit/es laik/e , duhet ( Nolens Volens) adresuar nëpunësit respektiv, palës profesionale në këtë rast, për çështje dhe teknika zgjedhore.

Në anën tjetër, ju zotëri Kadare, të njëjtën thirrje, pse nuk ju adresuat dy kandidatëve për kryebashkiakë të Tiranës, zotëri Ramës dhe zotëri Bashës si dhe të tretit, zotëri Hysni Milloshit për tu tërhequr nga kandidaturat dhe ashtu për të krijuar bazë juridike për tu përsëritur zgjedhjet, me kusht që autoritetet zgjedhore, para shpalljes se zgjedhjeve të dyta, për të definuar norma juridike plotësuese në disa çështje, eventualisht kontestimore, të cilat mund të jenë të padefinuara dhe të specifikuara qartë e plotë ose në ndonjë segment të zbrazta (vakum juridik) e të cilat kanë mund të jenë shkak i kontesteve nga juridike në ngatërresa politike tepër të nxehta me gjasa të mundshme edhe eksplozive!.

Ndryshe, apeli juaj, në vend që të ishte bilateral përkatësisht trelateral për kah numri i të adresuarve, ekskluzivisht si unilateral edhe më tutje e kurojon zotëri Ramën tok me një grusht të eksponentëve socialistë (për fat të mirë, shumica e anëtarëve të PS-së nuk ishin, nuk janë as nuk mund të pritet të jenë ekstremistë të paskrupullt kundër shtetit shqiptar, e aq më pak, as për rikalljen eventuale të Shqipërisë sikundër gjatë vitit 1997) , për t’iu ndërsyer institucioneve publike shqiptare me bllokime dhe protesta violente me pasoja tragjike krejtësisht të mundshme, me mundësi të shkaktimeve të rebelimeve masovike antishtetërore nga masa të indoktrinuara manipuluara nga motive të ndryshme e mjerisht të shumta!

Ju dhe, veçanërisht ju zotëri Kadare, medoemos, kurdoherë dhe patjetër, duhet të jeni jo më tepër, por tepër i matur dhe prudentë në radhë të parë, sepse jeni simbol i krenarisë së Kombit, jeni shkrimtari më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave dhe padyshim jeni një nga shkrimtarët botëror më të dalluar.

Aq më parë opinioni juaj zotëri Kadare, veçanërisht ai publik, nuk mund të mos jetë i pa ndikime të fuqishme, në radhë të parë, të shqiptarët kudo qe janë, e posaçërisht te strukturat politike në garë të nxehtë për një post jo pak të rëndësishëm në këtë aktualitet.

Në këtë kontekst, zotëri Kadare, referuar dy personave kosovarë që në raste dhe mënyra të caktuara, ju patën atakuar në këtë apo atë trajtë, me bindje të pa diskutuar, duke ju mbështetur sikundër theksova më sipër, si simbolin e veçantë të shqiptarizmit, apostrofoj me bindje të thellë (besoj edhe të shumicës absolute e të tjerëve ) se ata, krahasuar me juve, janë të pa takat, të pa thua, të disa rendeve pas e prapa jush dhe krejt pak të njohur. U muar vesh ( për dallim nga ju) në hapësira shumë më të kufizuara, inferiorë, egoistë dhe egocentrikë me ndikim të cekët në qarqet intelektuale të mirëfillta. Ndaj, ata dhe eventualisht ndonjë tjetër i tillë, të mos i trajtoni në asnjë rast, në një anë, dhe t’i injoroni krejtësisht, në anën tjetër!

Zotëri Kadare, në këtë rast dhe mënyrë, qëllimmirë dhe sinqerisht ju drejtohem juve, sa për personalitetin e shquar tuajin, në një anë ashtu për të mirën e çështjes shqiptare aktuale, në anën tjetër, mjerisht, aq shumë të problematizuar (sic).