LAJMI I FUNDIT:

PSD e quan të padrejtë vërtetimin e dënimit për Kurtin dhe tre deputetët e tjerë

PSD e quan të padrejtë vërtetimin e dënimit për Kurtin dhe tre deputetët e tjerë

Partia Socialdemokrate (PSD) e konsideron të padrejtë vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila sot ka vërtetuar dënimin e mëhershëm nga Gjykata Themelore për katër deputetët e Kuvendit të Kosovës: Faton Topalli, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albin Kurti.

Në kumtesën e PSD-së thuhet ës e katër deputetët janë shpallur fajtorë me akuzën për hedhje të gazit në seancat e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.


“Kjo, përkundër që tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se disa prej pikave të Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Derisa në anën tjetër, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe presidenti i Malit të Zi, z. Filip Vujanoviq, në shkurt të këtij viti janë pajtuar për mundësinë e korrigjimit të Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, çfarë dëshmon edhe gabimet në marrëveshjen për përcaktimin e vijës kufitare mes dy shteteve”, thuhet në kumtesë, përcjell Telegrafi.

Sipas PSD-së, vendimi i sotëm nga Gjykata e Apelit vjen në kohën kur Republika e Kosovës është në prag të arritjes së një marrëveshjeje finale me Republikën e Serbisë, për çfarë ka mungesë të plotë transparence.

“Ky veprim konfirmon edhe një herë funksionimin problematik të sistemit të drejtësisë në vendin tonë, i cili mbetet peng i zhvillimeve politike dhe interesave të pushtetit. Ndaj, për Partinë Socialdemokrate është vendim i padrejtë. PSD kërkon funksionim të mirëfilltë të organeve të drejtësisë dhe e sheh si të papranueshme çfarëdo ndërhyrje direkte apo indirekte të pushtetit në vendimet e drejtësisë”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/