Protesta masive në Nepal kundër bllokimit të rrjeteve sociale, 14 të vdekur

Të paktën 14 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në kryeqytetin e Nepalit, ndërsa protestuesit u përleshën me policinë për shkak të një vendimi të qeverisë për të bllokuar 26 platforma të rrjeteve sociale, përfshirë Facebook, X dhe YouTube.
Protestuesit kaluan gardhin dhe detyruan policinë të tërhiqej, ndërsa rrethuan ndërtesën e parlamentit në Katmandu.
U tha se policia qëlloi mbi protestuesit që përpiqeshin të sulmonin ndërtesën e parlamentit.
Oficerët gjithashtu qëlluan gaz lotsjellës dhe përdorën topa uji, por ishin në numër më të vogël dhe kërkuan siguri brenda kompleksit parlamentar.
"Kundër ndalimit të rrjeteve sociale, ndaloni korrupsionin, jo rrjett sociale", brohoritnin turmat dhe valëvitnin flamuj kombëtarë.
Trazirat dhe përplasjet e dhunshme i shtynë autoritetet të vendosnin një shtetrrethim në disa pjesë të qytetit, duke përfshirë zonat përreth parlamentit dhe pallatit presidencial.
Tubimi u quajt protesta e Gjeneratës Z, duke iu referuar përgjithësisht njerëzve të lindur midis viteve 1995 dhe 2010, shkruan skynews.
Qeveria tha se rrjeteve u janë dhënë vazhdimisht njoftime për të regjistruar zyrtarisht kompanitë e tyre në vend, por nuk e kanë bërë këtë.
Ministri i komunikimit dhe informacionit i Nepalit, Prithvi Subba Gurung, tha javën e kaluar se platformat do të bllokoheshin menjëherë.
Ndërkohë, TikTok, Viber dhe tre platforma të tjera janë regjistruar dhe po funksionojnë pa ndërprerje.
Qeveria dërgoi një projektligj për debat në parlament për të siguruar që platformat "menaxhohen siç duhet, janë përgjegjëse dhe llogaridhënëse".
Projektligji është kritikuar gjerësisht si një mjet për censurë dhe ndëshkim të kundërshtarëve të qeverisë.
Grupet e të drejtave e kanë quajtur atë një përpjekje nga qeveria për të frenuar lirinë e shprehjes dhe për të shkelur të drejtat themelore.
Ndryshe, në vitin 2023, Nepali ndaloi TikTok pasi e akuzoi platformën për prishje të "harmonisë sociale, vullnetit të mirë dhe përhapjes së materialeve të pahijshme".
Ndalimi u hoq vitin e kaluar pas një sërë premtimesh nga drejtuesit e TikTok për t'u përmbajtur ligjeve lokale.
Ligjet përfshinin një ndalim të futur në vitin 2018 të faqeve pornografike. /Telegrafi/







































