LAJMI I FUNDIT:

Promovimi i ndërmarrësisë në Kosovë, bizneset kërkojnë që shkollat të përgatisin kuadro të reja

Promovimi i ndërmarrësisë në Kosovë, bizneset kërkojnë që shkollat të përgatisin kuadro të reja

Ngjarja e radhës në kuadër të Javës Botërore të Ndërrmarrësisë i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) kishte për temë diskutimi përfshirjen e arsimit dhe shkollave profesionale, në mënyrë që kjo të përkthehet në përgatitjen e kuadrove të reja dhe të shërbejë si ndihmë për ndërmarrësit e rinj.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka ftuar të gjithë akterët relevant që së bashku të mbështesin këta ndërmarrës.


Nagavci theksoi se edukimi në ndërmarrësi sjell përfitime të shumta dhe për këtë arsye janë të rëndësishme aftësitë e mësuara nga nxënësit përmes kurrikulës që të sjellin dobi në karrierën e tyre dhe të jenë të inkurajuar të përcaktojnë karrierën e tyre.

Andina Vllahiu – Kelmendi, menaxhere e Politikave dhe Komunikimit në OEAK tha se kjo odë beson se nëpërmjet edukimit, ndërmarrësit e rinj pajisen me njohuri për sigurimin e burimeve, por edhe rritjen e shkathtësive inovative dhe kreative.

Diellza Gashi, ligjëruese e lëndëve të Menaxhmentit nga Universiteti Amerikan në Kosovë përmendi revolucionin në arsim, sa i përket fushës së ndërmarrësisë, ndërrimin e mendësisë së edukimit tradicional nëpër shkolla dhe se të rinjtë të shihen si kompetent në zgjidhjen e problemeve.

Ajo theksoi rëndësinë e fillimit të hershëm në fushën e ndërmarrësisë dhe inkurajoi të rinjtë të jenë sa më shumë prezent në aktivitete dhe trajnime të ndryshme.

Menaxherja e Programit ASSET nga Qendra e Edukimit të Kosovës, Luljeta Demjaha – Belegu u shpreh se fokusi i këtij projekti ishte të ndihmojnë reformën e arsimit, ku të gjithë mësimdhënësit janë të trajnuar.

Alejtin Berisha nga Kolegji Universum përmendi një problematikë me të cilën po ballafaqohen institucionet arsimore, siç është ajo e shkollave profesionale, e cila nuk gjeneron të hyra dhe se fokusi i ndërmarrësisë qëndron te fusha e teknologjisë dhe fushave natyrore.

Në fund, ai tha se shkollat duhet të kenë pavarësi më të madhe. /Telegrafi/