eksperti-banner

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka filluar procedurë kundër një 44-vjeçari banor të Shkupit për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer vepër penale "Shkaktim rreziku i përgjithshëm" sipas nenit 288 të Kodit Penal, dhe prokurori publik ka propozuar masën e paraburgimit.

Siç informon Prokuroria Publike, më 15 qershor, rreth orës 12:00, në bulevardin "Metropoliti Teodosij Gologanov" në Shkup, përpara Ambasadës së Republikës së Bullgarisë, ai ka shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupin e njerëzve dhe për pronën në shkallë të gjerë duke ndezur zjarr.


"Në ditën kritike, ai doli nga shtëpia, hipi në autobus dhe erdhi në Qendër, dhe nga pompa e benzinës pranë Ambasadës Bullgare mbushi një shishe plastike me benzinë. Pastaj kaloi rrugën dhe iu afrua dy automjeteve diplomatike të parkuara në pronësi të Ambasadës, të cilat i spërkati me benzinë dhe i vuri flakën me një çakmak. Menjëherë pas shkaktimit të zjarrit, ai u largua nga vendi i ngjarjes", njoftoi Prokuroria Publike.

Duke marrë parasysh llojin, natyrën dhe peshën e krimit në fjalë, faktin se ai është kryer kundër dy automjeteve diplomatike në mesditë, në qendër të Shkupit, gjatë një periudhe kur frekuenca e njerëzve dhe automjeteve në këtë pjesë të qytetit është e lartë, prokurori publik vlerësoi se ekzistojnë rrethana të dukshme që tregojnë se ekzistojnë kushtet për përcaktimin e masës së paraburgimit dhe i propozoi Gjykatës që të caktojë një masë të tillë sigurie gjatë procedurës./Telegrafi/