LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve në rastin e njohur si “Fondi 3%”, mbrojtja thotë se u vërtetua pafajësia e tyre

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve në rastin e njohur si “Fondi 3%”, mbrojtja thotë se u vërtetua pafajësia e tyre

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar gjykimi ndaj ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LKD), Naser Osmani dhe Atdhe Gashit, ish-këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil Bujar Bukoshit, të akuzuar për shmangie nga tatimi dhe shpërdorim.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori special Atdhe Dema ka thënë se nga provat është vërtetuar në mënyrë të plotë që të akuzuarit e kanë kryer veprën penale dhe atë me dashje, siç përshkruhet në dispozitivin e aktakuzës.


Ai ka shtuar se të njëjtit në bashkëkryerje kishin përvetësuar pasurinë e personit tjetër dhe se si prokuror nuk kishte gjetur asnjë provë të vetme që të tërhiqej nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me ekspertizat financiare të ekspertëve të pavarur, prokurori Dema ka kërkuar nga gjykata që të mos u falë besimin atyre, me arsyetimin se nuk kanë provuar asgjë më tepër se sa ajo e ekspertit Qorolli i cili ishte propozuar nga prokuroria.

Qëndrim të kundërt me prokurorinë kishte mbrojtja e të akuzuarit Osmani, avokati Florent Latifaj, i cili ka deklaruar se nga provat dhe dëshmitarët vetëm është vërtetuar që Naser Osmani ka qenë person i autorizuar në “UFORK” dhe ka kryer punën e tij aty.

Latifaj është shprehur se kontestuese ishte ekspertiza e përpiluar në mungesë të dokumenteve nga eksperti Bujar Qorolli, i cili sipas tij ishte privuar nga e drejta që të ketë dokumentacionin e plotë nga prokurori që kishte iniciuar rastin.

“Prokurori i çështjes i ka kërkuar të njëjtit që të bënte një ekspertizë me dokumentet që i posedonte, pra vetëm ato që i kishte aty për aty, edhe pse i njoftuar për mungesën e tyre, ai kishte insistuar ashtu siç ka thënë edhe dëshmitari eksperti Qorolli’’, ka deklaruar avokati Latifaj.

Andaj, mbi këtë bazë avokati Latifaj i ka propozuar gjykatës që në mungesë të tërësishme të provave të nxjerrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Naser Osmani.

Edhe i akuzuari Osmani ka shtuar se për shkak të një gabimi pa dashje të prokurorit që ka iniciuar rastin ka ndodhur e gjithë kjo.

“Gabimi është ky, prokuroria ka marr të dhëna përmes kartelës së bankës për vitin 2006 – prill 2012, ndërsa shpenzimet e arkës i ka kërkuar nga arkëtari Atdhe Gashi prej vitit 2008 -prill 2012, kështu që prokurori nuk i ka pas shënimet për vitet 2006 – 2007 të shpenzimeve të arkës, sepse neve na ka thënë se ajo është periudhë e vjetruar, dhe prandaj ekziston ky dallim i të hyrave dhe të dalurave”, ka thënë Osmani.

Tutje, gjatë fjalës përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Atdhe Gashi, avokati Arianit Koci ka thënë se përveç që i mbrojturi i tij është i pafajshëm, është provuar se i njëjti është viktimë e një procesi të padrejtë dhe të një pune jo të saktë të prokurorit paraprak.

Për të akuzuarin Gashi, ai ka kërkuar nga gjykata që për veprën penale të shpërdorimit të merr aktgjykim lirues, ndërsa për shmangie nga tatimi të merr aktgjykim refuzues meqenëse ka kaluar afati i parashkrimit.Pas deklarimit të palëve, gjykatësja Medie Bytyçi ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 11 nëntor 2020, në ora 10:30.

Ndryshe, aktakuza ndaj Bukoshit, Osmanit dhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Po në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar.

Më pas, më 26 tetor 2018, gjykatësja Shabani-Rama kishte mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Mirëpo, gjykatësja Shabani-Rama, më 3 dhjetor 2018, kishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lidhur me këtë, të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila  më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë.

Ndërsa, më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyçi dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykatëseje.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 28 prill 2017, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmani për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër të akuzuarit Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1  të KPK-së.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Tutje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB shumën prej 154,132,47 euro, i kanë tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e kanë arsyetuar se për çfarë qëllime i kanë shfrytëzuar, duke mos e realizuar asnjë projekt, e me këtë e kanë dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherit edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Bujar Bukoshi, akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, Kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që ti deklaroj në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njëjti ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).Po ashtu, Prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.

Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi-Kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjell vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154, 132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/

Në trend Lajme

Më shumë
Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Shpërthen një granatë dore në oborrin e një shtëpie në Zveçan

Shpërthen një granatë dore në oborrin e një shtëpie në Zveçan

Lajme
Shpërndanin fotografi dhe video të ndryshme intime, kërkohet paraburgim për administratorin e grupit “Albkings

Shpërndanin fotografi dhe video të ndryshme intime, kërkohet paraburgim për administratorin e grupit “Albkings"

Lajme
Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese para votimit në maj - nëse veprohet sikur javët e fundit do të ketë sukses

Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese para votimit në maj - nëse veprohet sikur javët e fundit do të ketë sukses

Lajme
Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Drejtësi
Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Lajme
Kalo në kategori