LAJMI I FUNDIT:

Prokurori i ri kundër krimit dhe korrupsionit në RMV: S’kam lidhje me politikën

Prokurori i ri kundër krimit dhe korrupsionit në RMV: S’kam lidhje me politikën

Prokurori i ri i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, tha të martën se në këtë post të lartë të organit të akuzës në Maqedoninë e Veriut është zgjedhur si profesionist dhe jo si pjesëtar i ndonjë partie politike. Ai theksoi se prioritet në punën e tij do të jetë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Islami në krye të kësaj prokurorie u zgjodh në vend të Vilma Ruskovskës, e cila më 16 gusht, u suspendua nga puna për shkak të një bastisjeje në zyrat e Policisë Financiare që ishte vlerësuar e paligjshme.


Pasardhësi i saj, Islam Abazi, u zgjodh me votat e 66 prokurorëve që shënoi edhe zgjedhjen e parë të drejtpërdrejtë të një prokurori me votimin e të gjithë prokurorëve të Maqedonisë së Veriut. Kundërkandidati i tij, Ermon Neziri, mori 64 vota.

Deri para zgjedhjes në krye të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk kishte asnjë informacion për Islam Abazin, as në ueb-faqen e Prokurorisë së Lartë Publike në Gostivar ku ishte prokuror dhe as në internet. Ai, madje, nuk kishte paraqitur as program të punës, siç kishin bërë kandidatët e tjerë.

“Unë edhe pse nuk kisha program sikurse kundër-kandidatët e mi, isha në kontakt të përhershëm me prokurorët e tjerë, të cilëve ua sqaroja vizionin tim, programin dhe projektet e mia se si duhet të punojë Prokuroria që do ta udhëheq. Zgjedhja në këtë post është një përgjegjësi e madhe dhe votat që mora, paraqesin motiv shtesë që të angazhohem në mënyrë profesionale në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Abazi.

Ai hodhi poshtë reagimet e shumta në rrjetet sociale se ai ka lidhje me Bashkimin Demokratik për Integrim që është pjesë e Qeverisë maqedonase, si dhe ato se ai është nga fshati Zajas i Kërçovës prej nga është edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Nuk është e vërtetë se jam në marrëdhënie të ngushta me Ali Ahmetin. Detyra e prokurorit publik është e ndarë dhe nuk ka lidhshmëri me ndonjë funksion tjetër publik apo anëtarësimin në parti politike. Asnjëherë nuk kam qenë as anëtar i ndonjë partie politike dhe as në punën time të deritashme nuk kam krijuar përshtypjen se kam pasur. Mund të jemi takuar [me Ali Ahmetin], por nuk kam kontakte personale me të, nuk kam me askënd nga BDI-ja”, tha Abazi.

Prokuroria që ai do të udhëheqë, fillimisht duhet të përballet me dy lëndë që akoma nuk kanë marrë epilog gjyqësor, rasti me ish-prokuroren Vilma Ruskovska dhe ish-drejtorin e Policisë Financiare, Arafat Muharemi, lidhur me shpërdorimin e detyrës nga ana e tyre në një hetim për marrje ryshfeti.

Rasti tjetër i njohur si “Besa Trans” ka të bëjë me autobusin që u aksidentua në Bullgari më 23 nëntor të vitit 2021, ku humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut. Autobusi nuk kishte leje ndërkombëtare për transportin e udhëtarëve dhe kishte lëshime të shumta teknike.

Këshilli i Prokurorëve, organi më i lartë i ndjekjes penale në Maqedoninë e Veriut, tha se nga prokurori i ri pret bashkëpunim në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Presim që Prokuroria, me të cilën ai do të udhëheqë, do të kryejë punën ashtu siç duhet dhe do të ndërmarrë të gjitha masat që gjithçka të funksionojë në përputhje me detyrimet ligjore, se do të ndiqet krimi dhe do të ketë epilog për lëndët që janë në kompetencë të kësaj Prokurorie. Presim të ketë bashkëpunim me Këshillin e Prokurorëve pasi rezultate mund të ketë vetëm nëse ka bashkëpunim. Pa një bashkëpunim të mirë vështirë se vetë do t’ia arrijë të ketë rezultat”, ka deklaruar Antonio Jolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu, ka thënë se me zgjedhjen e kreut të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me votat e prokurorëve tjerë, Maqedonia e Veriut është edhe më e përgatitur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit gjithashtu duhet të përballet edhe me kritikat e vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-së, se organet e ndjekjes duhet të bëjnë më shumë në luftimin e këtyre dukurive./REL/