LAJMI I FUNDIT:

Projektligji për Rimëkëmbje përplas PDK-në e LDK-në, Krasniqi, Gashit: Ju nuk jeni të interesuar ta kaloni këtë ligj

Projektligji për Rimëkëmbje përplas PDK-në e LDK-në, Krasniqi, Gashit: Ju nuk jeni të interesuar ta kaloni këtë ligj

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike janë përplasur në seancën e Kuvendit lidhur me mos votimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi fillimisht tha se kjo Qeveri është e paaftë për të kaluar çfarëdo ligji në Kuvend.


Ai tha se kjo Qeveri nuk ka asnjë vullnet që ta miratojë këtë Projektligj, pavarësisht që opozita ka shpreh vullnet për bashkëpunim.

“Koalicioni qeveritar është i paaftë për me kalu çfarëdo vendimi në Kuvend. Këta që janë sot në Qeveri kanë refuzu me diskutu për Pakon financiare që i ndihmon qytetarët. Prej datës 7 prill nuk kanë qenë të gatshëm të diskutojnë për mundësinë për tejkalimin e situatës së rëndë të njerëzve duke ju mundësuar mi marr pagesat prej Qeverisë.

Në muajt e fundit ka pasur vullnet prej opozitës, PDK-së veçanërisht që të gjejmë një rrugëdalje për t’i harmonizuar qëndrimet, asnjë vullnet s’ka ekzistua prej Qeverisë, veçanërisht LDK-së”, ka thënë Krasniqi, shkruan Telegrafi.

Krasniqi ka shtuar se sot me derdh lot krokodili është turp, sepse sipas tij koalicioni qeverisës po mundohet të arsyetohet para qytetarëve për paaftësinë e tyre për me kalu këtë ligj në Kuvend.

“Nuk janë të interesuar që ta kalojnë këtë ligj. Edhe janë të paaftë edhe të pa interesuar për me kalu ligje”, tha Krasniqi.

E pas kësaj deklarate, reagoi shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Gashi tha se në tri seancat e fundit u ka bërë ftesë publike opozitës që t’i sjellin me shkrim propozimet që kanë dhe se ata do t’i marrin parasysh.

“Hajdeni të ulemi dhe të diskutojmë se cilat janë propozimet që duhet të hyjnë në Projektligjin për rimëkëmbje dhe ne do t’i inkorporojmë, nuk di ndryshe qysh duhet me ju thanë. Keni thanë se nuk doni, është e drejtë e juaja, keni thanë që ju jeni qeveri dhe duhet ta keni shumicën është e vërtetë, mbetet që ne mu organizua dhe seancën e radhës mi kalu propozimet që i kemi marrë përsipër”, tha Gashi.

E sërish reagoi deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai iu drejtua Gashit, duke i thënë se nuk ka nevojë të komunikoj përmes mediave nëse dëshiron me kry punë, shkruan Telegrafi.

“Z.Gashi nuk ki nevojë me komunikua përmes mediave nëse donë me kry punë, por ti nuk donë me kry punë. ti as iniciativën minimale nuk e ki marrë për me kalu këtë ligj. Nëse ju si grup parlamentar nuk doni me ja kalu Qeverisë dhe keni arsye tjera unë nuk e di, po ta them se ju jeni totalisht të pa interesuar me kalu këtë ligj, ju as të sigurt nuk jeni nëse doni me kalu”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se Qeveria, konkretisht LDK-ja ka manipuluar qytetarët me tërheqjen e mjeteve financiare nga Trusti.

“I keni manipulua njerëzit duke përmend tërheqjen e 10% të Trustit, ndërsa ligji nuk është vetëm për atë punë. Nëse doni për 10 përqindëshin unë sot ju siguroj se mblidhemi në procedurë urgjente e bëjmë plotësim ndryshimin e Ligjit për fondin pensional dhe ja lejojmë mundësinë njerëzve për 10 ose 20 me bo, por ju se keni këtë dert, keni derte tjera”, tha Krasniqi. /Telegrafi/