Projekte të reja për lobim

Ky projekt është një përpjekje e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Britanike, i cili do të implementohet nga Këshilli Britanik për avancimin procesit të njohjes së Kosovës nga vendet që ende se kanë marrë një vendim të tillë.
“Qeveria Britanike përmes Ambasadës së saj në Prishtinë do të kontribuojë me 141,6588 euro dhe Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme do të kontribuojë me 141.172 Euro, ndërkohë që Këshilli Britanik do të administrojë projektin”, thuhet në njoftim.
Në ceremoninë e nënshkrimit, Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj ka thënë se ky projekt synon ta promovojë diplomacinë publike si instrument i fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës me shtetet të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se Britania në mënyrë të vazhdueshme është përpjekur që të rrisë numrin e njohjeve për Kosovën dhe se kjo çështje është pikë e rëndësishme edhe për Ambasadën e saj në Prishtinë.
Cliff ka thënë se në disa prej vendeve demokratike të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, është me rëndësi që përveç në raportet ndërmjet qeverive, të bindet edhe publiku i gjerë për rëndësinë e njohjes së Kosovës.
Drejtoresha e Këshillit Britanik në Kosovë, Arjeta Emra, ka thënë se Këshilli Britanik si implementues i projektit do të garantoj cilësi dhe gjithëpërfshirje, duke theksuar se diplomacia publike nuk i takon vetëm Qeverisë, por se është një lëmi e cila i takon gjithë shoqërisë kosovare. /Telegrafi/









































