LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët: Programi i Qeverisë Kurti pa strategji afatgjate

Ekspertët: Programi i Qeverisë Kurti pa strategji afatgjate

Qeveria e Kosovës ka prezantuar programin e saj qeverisës 2020-2023, i cili në fokus, prezantohet se ka zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, tërheqjen e investimeve të huaja dhe luftimin e dukurive negative, siç është informaliteti që pengon ekonominë.

Programi qeverisës 2020-2023 është votuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës. Në pika të shkurtra, këtë program e kanë shpalosur zyrtar të qeverisë si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

E para shtyllë e këtij programi, sipas kryeministrit Kurti, konsiston në zotimin për të luftuar në mënyrë të pa kompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe shtylla e dytë, si prioritet kryesor ka rritjen ekonomike, zgjerimin e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës.


Program i mbështetur në kërkesat e komunitetit të biznesit

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë e konsiderojnë një program i cili do të mund të realizohet nëse zbatimi i tij do të merrte seriozitetin e plotë nga dikasteret e qeverisë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha për Radion Evropa e Lirë se pikat e programit qeverisës të paraqitura nga kryeministri Kurti, janë përgjigje në shumë aspekte ndaj kërkesave të komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile të paraqitura përgjatë viteve.

“Fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit, luftimi i korrupsionit, luftimi i ekonomisë joformale si dhe përmirësimi i zbatueshmërisë së kontratave përmes krijimit të gjykatës komerciale, të gjitha këto të paraqitura në programin qeverisës, janë gjëra të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e imazhit të vendit para investitorëve të huaj dhe krijimin e një mjedisi të barabartë ku bizneset në Kosovë do të trajtoheshin barabartë. Një mjedis i tillë i barabartë nuk ka qenë në të kaluarën”, thotë Zeka.

Luftimi i ekonomisë joformale, luftimi i korrupsionit si dhe krijimi i vendeve të reja të punës kanë qenë prioritet edhe në programet e qeverive të kaluara, thotë Zeka, por sipas tij, rezultatet nuk kanë qenë të kënaqshme.

Zeka thotë se sa i përket fuqizimit të kapaciteteve të brendshme prodhuese, është ndjekur një politikë dinamike fiskale edhe nga qeveritë e kaluara duke krijuar lehtësira për gati të gjitha lëndët e para që përdoren nga industria prodhuese si dhe janë liruar nga tatimet, por qasja në financa e bizneseve prodhuese, thekson ai, vazhdon të mbetet problematike.

“Ne si Odë Ekonomike Amerikane në Kosovë kemi sugjeruar që qeveria e re të bashkëpunojë me Fondin Kosovar për Garantimin Kreditor ashtu që të ketë një linjë të veçantë për prodhuesit për t’iu dhënë mbështetje kurdo që aplikojnë për financim në institucionet financiare vendore”, thotë Zeka.

Në anën tjetër, profesori i makroekonomisë, Musa Limani, thotë për Radion Evropa e Lirë se para programit qeverisës, Qeveria e Kosovës ishte dashur të krijojë një strategji afatgjatë të zhvillimit, pasi që programi nuk ka mbështetje afatgjate zhvillimore. 

“Nga aspekti makroekonomik unë mendoj që programi qeverisës duhet të dal nga strategjia e zhvillimit afatgjatë e Kosovës. Mendoj që qeveria aktuale duhet të bëjë strategjinë e zhvillimit afatgjatë që në këtë moment duhet të përfshijë periudhën 2020 – 2029. Nga strategjia si dokument madhor, duhet të mbështetet zhvillimi i ardhshëm i Kosovës dhe të nxirren planet vijuese, njëvjeçare dhe pesëvjeçare”, thotë profesor Limani.

Limani thotë se Qeveria e Kosovës duhet me instrumentet e politikës fiskale, politikës tregtare dhe kreditore të mbështesë sektorin privat, në mënyrë që të krijohet një ambient i mirë afarist.

Investimet e munguara të diasporës

“Për të pasur një zhvillim më të hovshëm ekonomik duhet mbështetje në tërheqjen e investimeve të huaja dhe në veçanti të diasporës shqiptare. Duhet të krijohen kushte dhe parakushte për këto investime. Diaspora është e gatshme të investojë në Kosovë, por asnjë qeveri nuk i ka krijuar kushte dhe parakushte për tërheqjen investimeve të tyre. Kështu që qeveria aktuale duhet t’i jep prioritet diasporës”, thotë Limani.

Kryeministri Kurti ka thënë se do të rishikojnë politikat e sektorit të bujqësisë për të rritur prodhimtarinë dhe do të promovojë ato duke ristrukturuar e përmirësuar punën e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Përmirësimi i punës në këtë agjenci konsiderohet si veprim i nevojshëm edhe nga Arian Zeka pasi që siç thotë ai, Kosova ka ngecur në promovimin e mundësive dhe potencialeve ekonomike për investitorët e huaj.

“Ristrukturimi nuk duhet të bëhet vetëm sa për ta bërë, por edhe kjo duhet t’i nënshtrohet një diskutimi më të gjerë me ata të cilët mund të japin një kontribut më të madh e në këtë rast janë komuniteti i biznesit”, thotë Zeka.

Ministria e Ekonomisë dhe Transfereve ka publikuar programin për reforma në ekonomi 2020 – 2022 në të cilin ka paraqitur ruajtjen e një mjedisi të qëndrueshëm makroekonomik, fuqizimin e rritjes ekonomike dhe perspektivës më të mirë të punësimit.

Korniza e përgjithshme e politikave të këtij programi janë politikat fiskale të bazuara në rregulla të orientuara drejt stabilitetit të financave publike, mbështetje të rritjes ekonomike përmes investimeve kapitale, rritjes së financimit për fushat prioritare dhe lehtësirave tatimore për prodhuesit vendor e të tjera.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti javën e kaluar kur kanë bërë prezantimin e programit pati shkruar në rrjetin social Facebook se programi i koalicionit qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, reflekton marrëveshjen e koalicionit ndërmjet këtyre dy partive, të arritur më 2 shkurt.

“Në këtë program reflektohet plotësisht marrëveshja e koalicionit, ku janë të specifikuara masat që do të ndërmarrim për të rritur punësimin, për kujdesin social gjithëpërfshirës, për arsim e shëndetësi cilësore, rend e ligj për të gjithë, mbështetje për bujqësinë, diplomaci të fortë, kujdes për mërgatën tonë e çështje të tjera”, pati shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti u zgjodh më 3 shkurt. Kjo qeveri ka 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe pritet të ketë rreth 33 zëvendësministra.