LAJMI I FUNDIT:

Prodhimi industrial i Maqedonisë shënon rritje

Prodhimi industrial i Maqedonisë shënon rritje

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika (ESHS), prodhimi industrial në muajin maj është rritur për 9,2 % në krahasim me muajin e njëjtë vitin e kaluar, njofton Telegrafi Maqedoni.

Shikuar nëpër sektorë, rritje ka në xehetari dhe gurthyese, për 7,7 %, në sektorin e industrisë përpunuese, për 8,8 %, dhe në sektorin furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim, për 13,8 %.


Në sektorin industria përpunuese, rritja është rezultat para së gjithash i prodhimit të rritur në pjesën e produkteve përpunuese, pijeve, produkteve të duhanit, tekstilit, produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinave dhe pajisjeve dhe prodhimit të automjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmërimorkiove.

Sipas grupeve kryesore industriale, rritje ka tek energjia, për 18,1 %, prodhimet e ndërmjetme, përveç energjisë, për 6,8 %, prodhimet kapitale, për 23,5 %, prodhimet afatgjata për përdorim të gjerë, për 4,9 dhe prodhimet afatshkurtëra për përdorim të gjerë, për 1,6 %.

Në periudhën janar – maj, lidhur me periudhën e njëjtë vitin e kaluar ka rritje prej 0,6 %./Telegrafi/