Proces gjyqësor apo diplomim i studentëve

Isha në Tiranë, një ditë para se të kthehesha në Kosovë. Hyra në një qendër interneti, hapa adresen time elektronike dhe shoh një mesazh, të cilin ma kishte dërguar një shok imi i punës, me të cilin punoj bashkë në një shkollë të mesme.
Në këtë mesazh shkruante: Ish nxënësja jonë, me datë 18 qershor po diplomon në Fakultetin e Edukimit në Prizren! Me këtë rast, ajo na ka ftuar neve si mësimdhënës të saj të mëhershëm, që të marrim pjesë në mbrojtjen e diplomës, në këtë fakultet.
U gëzova pa masë, jo për faktin që do të marr pjesë në një ceremoni diplomimi të një studenti, por më shumë për faktin që ish nxënsja ime tani ka mbaruar fakultetin. Ajo, edhe në gjimnaz kur ishte, ishte një nxënëse e shkëlqyeshme, andaj si mësimdhënës i saj , e ndjeja veten krenar, siç do të ndjehej çdo mësidhënës kur ka të tillë raste.
Të nesërmen, kur u ktheva në Kosovë, takova shokun tim të punës dhe vërejta që edhe ai kishte të njëjtën ndjesi, andaj vendosëm që ditën e diplomimit të vemi edhe ne të dy në atë ceremoni diplomimi.
Vajtëm në Prizren, nguteshim sepse në ora 10 fillonte ceremonia e diplomimit dhe nuk duhej të vonoheshim. U futëm në lokalet e Fakultetit të Edukimit, pikërisht në kohën e duhur, përkatësisht në sallën ku mbaheshin ceremonitë e diplomimit të studentëve.
Sapo hymë ne sallë vërejtëm që aty ishin grumbulluar shumë studentë dhe prindër të studentëve, me një fjalë, salla ishte plot. Në mure ishin të ngjitura disa punime të studentëve që përmbanin temat e diplomave të tyre. Në pjesën anësore ishin ulur tre “profesorë” të këtij fakulteti, në cilësinë e anëtarëve të komisionit.
Pasi u ulëm, njëri prej “profesorëve” u ngrit në këmbë dhe na njohtoi se sot me datë 18 qershor, 14 studentë të këtij fakulteti mbrojnë temat e tyre të diplomave.
Për mua dhe për kolegun tim ishte i pakapshëm ky njoftim. Ishte i pakapshëm jo për faktin që po diplomojnë 14 studentë në të njëjtën ditë, por për faktin që ata duhej të mbronin temat e tyre të diplomës brenda dy orëve.
I pari prej studentëve që u ftua të bëjë prezantimin e tij ishte Fisniku, e pastaj të tjerët. Sapo filloi të flasë Fisniku rreth temës, njëri prej “profesorëve i ndërhyri me fjalët: Shiqo djalosh, mos t`ia bëjmë si n`katund! Ç`është ajo more?! , e fjalë të tjera. Fisniku u ndalë. Filloi të ndjehej i pasigurt në fjalët që thoshte, u zbeh dhe filloi të dridhej para “profesorëve”. Ulu në vend! - e urdhëruan, Fisniku u ul.
Mbaruan me Fisnikun për 5 minuta, thirrën tjetrin student. Në fakt, ishte një vajzë studente, e cila jo vetëm që fliste rrjedhshëm ( gjë që nuk i mungonte edhe Fisnikut), por ishte edhe e bukur për t`u parë. Njëri prej profesorëve iu drejtua me këto fjalë: Ja kështu duhet të flitet, kështu duhet të prezantohesh para nxënësve! Ty pak është dhjetë me ta dhanë!
Mbaroi prezantimin studentja dhe me radhë ishte një student tjetër. Filloi të prezantojë temën e tij dhe gjatë ndërhyrjes së njërit prej profesorëve(gjë që u bë e zakonshme) e pamë që profesori i gjuhës shqipe (Profesor.Dr) nuk i dinte gjinitë e emrit. Studenti insistonte në qëndrimin e tij, se emri ka dy gjini, gjininë natyrore dhe atë gramatikore, ndërsa profesori ia mohonte. Në fakt, studenti kishte të drejtë në përgjigjen që dha (por s`kishte ç`të bënte, nuk e kishte titullin profesor).
Kjo procedurë vazhdoi me të njëjtën mënyrë edhe me studentët tjerë, dhe në të njëjtën mënyrë pësoi edhe ish nxënësja jonë, e cila ishte njëra prej kandidatëve për diplomim.
Unë dhe shoku im nuk arrinim të kuptonim në radhë të parë, pse organizohej diplomim i një numri kaq të madh i studentëve për një kohë kaq të shkurtër.
Së dyti, nuk arrinim të kuptonim ndërhyrjet që bënin “ profesorët” gjatë prezantimit të studentit, kur ata këtë mundësi të parashtrimit të ndonjë vërejtjeje apo pyetjeje mund ta bënin pasi të mbaronte prezantimi i studentit.
Së treti, pse të gjithë studentët ishin udhëzuar të përgatisnin nga një plankonspekt për përmbajtjen dhe organizimin e orës mësimore me nxënës, kur për këtë problematikë studentët kanë dhënë provimin e metodikës nga të njëjtit profesorë?! Vallë, studentët nuk kanë mundur të merren me ndonjë studim të veçantë në fushën e tyre të përgatitjes dhe të zgjidhnin temën vetë?!
Dhe në fund fare, pse këta “profesorë” gjatë ndërhyrjeve që u bënin studentëve përdornin fjalë që dekurajonin dhe fyenin studentët?!
Ky proces diplomimi me të gjitha këto që u përmendën më lart, më shumë i ngjante një procesi gjyqësor që organizonte serbia ndaj shqiptarëve, sesa një proces i mirëfilltë diplomimi studentësh.
Për disa njerëz koha e Titos fatkeqësisht nuk ka përfunduar, shumë prej tyre ndjejnë nostalgji për të! Po fati i mirë që ajo nuk do të kthehet kurrë më.
Kur përfundoi ky proces, të gjithë studentët dhe profesorët, përveç ish nxënëses sonë që ishte me vëllaun e vet ( e të cilët nuk i lamë ne), shkuan për të ngrënë peshk e për të pirë, në ndonjërin prej restoranteve më të mira të Prizrenit. Si duket kjo ishte arsyeja kryesore e diplomimit për dy orë të 14 studentëve në Fakultetin e Edukimit në Prizren!
Ne u kthyem në shtëpitë tona të zhgënjyer nga ato që pamë!
Ky është realiteti ynë!
(Avni Morina është mësimdhënës i Fizikës, ndërsa Fridrik Dulaj mësimdhënës i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe)




































