Kur kanë mbetur edhe 6 ditë nga parlamentaret e 11 majit, rreth 24 mijë pako zgjedhore nga Diaspora nuk janë tërhequr nga emigrantët.

Greqia vijon të mbetët një zonë e nxehtë sa i përket problemeve në koordinim mes emigrantit dhe postierit për marrjen dhe dërgimin e zarfeve.


Mirëpo kjo nuk është e vetmja problematikë e e konstatuar. Referuar denoncimeve të bëra ditët e fundit, bëhet me dije se kompania kontraktore DHL ka nënkontraktuar kompani të tjera postare në shtetin helen për të mbuluar të gjithë territorin. Mirëpo nënkontraktuesit, sipas emigrantëve, por edhe përfaqësuesve të partive politike që po ndjekin nga afër procesin, nuk ia kanë dhënë personalisht në dorë zarfin emigrantit, por e kanë lënë ose në banesë pa u takuar me votuesin ose disa pako zgjedhore i janë dhënë një personi të vetëm.

Por ashtu siç vetë KQZ ka pohuar në bazë të marrëveshjes më kompaninë kontraktore, zarfi duhet t’i jepet në dorë emigrantit që ka aplikuar vetëm kur ky i fundit t’i tregojë mjetin identifikues.

Për problematikat e Greqisë nuk flasin vetëm denoncimet, por edhe shifrat zyrtare, pasi nga rreth 68 mijë zarfe të dërguara, vetëm 23 mijë vota kanë mbërritur në Parkun Olimpik “Feti Borova”.

Përmes një shkrese drejtuar KQZ-së, Koalicioni për Shqipërinë Madhështore ngre shqetësimin për transparencën, standardin dhe ligjshmërinë e procesit të votës së diasporës. Nga ana tjetër është kërkuar gjithashtu që rreth 600 mijë qytetarë në Shqipëri, të cilëve u ka skaduar karta e identitetit apo pasaporta, të lejohen të votojnë në 11 maj.

Më herët për problematikat e Diasporës ka reaguar edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, i cili thekson se dhe PS-ja ka konstatuar që një pjesë e votuesve janë detyruar t’i tërheqin personalisht zarfet në zyrat postare, por vështirësitë duhen kapërcyer në mënyrë që emigrantët të votojnë./RTSH