LAJMI I FUNDIT:

Pritjes i erdhi fundi – Prishtina Mall të enjten i hap dyert për qytetarët nga Kosova dhe rajoni

Pritjes i erdhi fundi – Prishtina Mall të enjten i hap dyert për qytetarët nga Kosova dhe rajoni

Të enjten pritet të hap dyert Prishtina Mall, qendra më e madhe tregtare në Kosovë e rajon, e cila përfshin një sipërfaqe prej 240 mijë metra katrorë.

Gjigandi tregtar Prishtina Mall do të ngërthejë në vete mbi 2.500 punëtorë dhe brenda hapësirave të saj ka mbi 230 brende prestigjioze, duke përfshirë brendet ekskluzive dhe dyqanet më moderne.


Kështu tha kryetari i Bordit të Prishtina Mall, Fatmir Zymberi në një takim me gazetarë, i cili po ashtu foli edhe për fillimet e këtij mega projekti, kohëzgjatjen deri në finalizim.

Zymberi tha se ndjehet shumë i lumtur që më në fund është finalizuar ëndrra e tij disa vjeçare.

Kryetari i Bordit, Prishtina Mall, Fatmir Zymberi /Foto: Ridvan Slivova/

“Mund ta imagjinoni sa i lumtur jam sot, bashk me bashkëpunëtorët e mi në këtë rrugëtim. Ka qenë një ëndërr e kahmotshme. Praktikisht kemi filluar të merremi me këtë punë nga viti 2010, se ku do ta ndërtojmë ‘Prishtina Mall’. Kemi filluar me blerjen e tokave, deri në vitin 2017. Më pas kemi bërë analiza të thella edhe të rajonit… Kjo pasi që qendrat tregtare duhet të bëjnë ndryshimet e veta, dhe mos të jetë një vend që vetëm të shkoni të blini dhe kaq. Por, të jetë një vend ku mund t’i realizoni të gjitha nevojat e juaja në një vend”, ka thënë ai.

Sipas tij, ndërtimi i Qendrës Tregtare Prishtina Mall ka filluar më 15 mars 2020.

Qendra tregtare, Prishtina Mall /Foto: Ridvan Slivova/

“Ka qenë një sfidë shumë e madhe dhe diçka e pamundshme. Por njeriu gjërat e pamundshme i bën të mundshme vetëm me bashkëpunëtorë profesionalë. E dini shumë mirë, që çdo gjë që është bërë në Kosovë është bërë nga e para. Sfida më e madhe ka qenë ekzekutimi. Kur e kemi bërë vizatimin e Prishtina Mall, nuk kemi qenë të vetëdijshëm sa ka qenë e madhe. Kur është bërë pllaka e Prishtina Mall ka qenë 9 hektarë e madhe. Kur e filluam ishim pesë aksionarë dhe tash jemi 15 veta. Kjo ka ndodhë për hir të një bashkëpunimi të mirë”, ka thënë Zymberi.

Zymberi po ashtu u shpreh se në Prishtina Mall do të ketë të punësuar mbi 2,500 persona.

Siç tha ai në Kosovë nuk ka kaq shumë punëtorë në një vend.

“Sfida më e madhe që ne e kemi pas me projektues, kanë hezituar nëse ka Kosova kapacitet për të bërë një objekt të tillë. Permanent këtu do të jenë të punësuar mbi 2,500 veta, duke mos i përfshirë punëtorët që japin shërbime përreth Prishtina Mall. Në një vend kaq shumë punëtorë në Kosovë nuk ka. Unë nuk merrem me një biznes nëse nuk ka sukses”, theksoi Zymberi.

Qendra tregtare, Prishtina Mall /Foto: Ridvan Slivova/

Drejtori ekzekutiv, Alvaro Antonio Costa, gjatë fjalës së tij shprehu falënderime për përfaqësuesit e mediave duke prezantuar planin e hapjes së Prishtina Mall.

Drejtori Ekzekutiv, Alvaro Antonio Costa /Ridvan Slivova/

“Siç e dini, ka qenë një periudhë e gjatë për të ardhur sot këtu ku jemi. Për ju sot është një mundësi të shihni nga dora e parë, të gjitha këto që kanë ndodh këtu. Duke parë kreativitetin, hapësira e Prishtina Mall”, ka thënë ai.

Siç tregoi Costa, Prishtina Mall është e vendosur në një pikë strategjike, në vendkalimin e të gjitha autostradave, që lidhin Kosovën me vendet e rajonit.

Ai tha se Prishtina Mall është e qasshme për të gjithë.

Prishtina Mall është e projektuar nga Laguarda Low Architects. Kjo qendër tregtare krenohet me një strukturë moderne dhe miqësore me mjedisin, me tavane të larta, dritë natyrale dhe hapësira të gjelbra me rreth 6 mijë bimë. Qendra tregtar është e certifikuar nga EDGE dhe funksionon me standardet ISO.

Drejtori Ekzekutiv, Alvaro Antonio Costa dhe kryetari i bordit të Prishtina Mall, Fatmir Zymberi /Ridvan Slivova/

Qendra tregtare ofron tri hapësira të dizajnuara enkas për organizimin e ngjarjeve sic janë panairet, shfaqjet e ndryshme, promovimet dhe ekspozitat.

Prishtina Mall i ka kushtuar shumë rëndësi pjesës argëtuese. HyperActive është qendra argëtuese më e madhe në rajon me një hapësirë prej 11,202 metra katrorë, është pjesë e Prishtina Mall.

Me xhirot e shpejta me GoKart, betejat taktike në Laser Tag, zgjidhjet e mistereve të Escape Rooms, lojërat më të avancuara të Virtual Reality dhe shumë aventura të tjera, HyperActive tani është vendi kryesor i argëtimit në rajon.

Qendra tregtare, Prishtina Mall /Foto: Ridvan Slivova/

Kinemaja më e madhe dhe më prestigjioze në Evropën Juglindore, CineStar është gjithashtu pjesë e qendrës tregtare, me 15 salla kinemaje, duke përfshirë një dhomë 4DX, 2 dhoma Class Gold, kuptohet me teknologjinë më të fundit.

Prishtina Mall gjithashtu ofron shërbime për klientët si: tavolinën për informata (Help desk), Wi-fi falas, karroca për fëmijë, dhomë për zhveshje për fëmijë, ambiente të ulëta, karrige me rrota dhe shumë shërbime të tjera. /Telegrafi/

Qendra tregtare, Prishtina Mall /Foto: Ridvan Slivova/
Qendra tregtare, Prishtina Mall /Foto: Ridvan Slivova/