Klubi kryeqytetas, Prishtina ka njoftuar se ndeshja derbi ndaj Ballkanit këtë fundjavë nuk do të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri.

Bardhekaltarit janë nikoqir të therandasve në derbin e javës së tetë në Albi Mall Superligën e Kosovës, me takimin e planifikuar për t’u zhvilluar këtë të shtunë.


Megjithatë, ndeshja mes liderit dhe ndjekësit nga vendi i dytë nuk do të mund të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri, shkaku i përgatitjeve për ndeshjen e radhës të Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovenisë.

Prishtina ka njoftuar me anë të faqes zyrtare e kjo ndeshje është zhvendosur në Kampin Nacional në Hajvali.

“Ndeshja ndërmjet FC Prishtinës dhe FC Ballkanit, e vlefshme për javën e 8-të në Superligën e Kosovës, do të zhvillohet këtë të shtunë, më 4 tetor, me fillim nga ora 15:00, në Kampin Nacional në Hajvali”.

“Ky ndryshim i lokacionit vjen për shkak të nevojës për mirëmbajtje dhe përpunim të fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e ardhshme të Kombëtares së Kosovës”.

“Përballja mes Prishtinës dhe Ballkanit konsiderohet si takimi kryesor i javës së 8-të, në Albi Mall Superligën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.

/Telegrafi/

telegrafi sport app