LAJMI I FUNDIT:

Prifti britanik i arrestuar për pedofili, fshihej që 10 vite në Pejë

Prifti britanik i arrestuar për pedofili, fshihej që 10 vite në Pejë

Policia e Kosovës raportoi të enjten se kishte arrestuar në Pejë një qytetar britanik në bazë të urdhëresës ndërkombëtare evropiane, të lëshuar nga Britania e Madhe – Divizioni Kundër Krimit të Organizuar.

Shtetasi i Anglisë, është arrestuar në Rr. “Ramiz Xhema”, me dyshimet që ka kryer veprën penale të pedofilisë.


Insajderi ka biseduar me qytetarë të Pejës të cilët ish-priftin e njohin me emrin Andrew. Por, emri i vërtetë i tij është Laurence Soper dhe ai ka banuar qe 10 vite me një shtëpi në Pejë. Por, nuk ka pasur asnjë punë të caktuar.

“Askush nuk e din saktësisht me çka është marrë, pasi ka qenë i ndrojtur”, tha një qytetar i Pejës, i cili nuk deshi të flas me emër.

Një tjetër banor i Pejës i ka thënë Insajderit se Andrew apo Laurence Soper ka qenë një person që e kanë njohur për të mirë.

“Ka qenë një person që nuk ka bërë ndonjë punë të caktuar në Pejë. Thoshte se do ta shkruaj një libër”, thotë ai.

Të dy këta banorë kanë konfirmuar faktin se fotografia e ish-priftit dhe personit të arrestuar është e njëjtë.

“Po ky është personi. Është e tmerrshme”, thonë ata.

Historia e ish-priftit është e njohur edhe në mediat ndërkombëtare. Sipas “The Telegraph”, Lauence Soper akuzohet për abuzim të fëmijëve në shkollën e Shën Benediktit, një shkollë private e pavarur katolike pjesë e kishës në Londër.

Edhe pse në vitin 2010 ishte arrestuar nga Policia, ishte liruar për të vazhduar më tej hetimi. Por, kurrë nuk është paraqitur më. Policia britanike kishte dyshuar në vitin 2012 se ai mund të ishte në Itali, por më pas nuk ka informacione.

Ish-prifti dyshohet se ka abuzuar me fëmijë qysh para 20 viteve. Ai ka punuar si mësimdhënës nga viti 1973-1983 dhe u bë administrator i shkollës së Shën Benediktit në vitin 1975 ku punoi deri në vitin 1991. Sipas dëshmive të familjarëve të viktimave dhënë për “Daily Mail”, Soper ka përdorur edhe emrin Andrew Charles, të njëjtin emër që e ka përdorur edhe në Pejë.

Akuzat e para ndaj tij ishin bërë nga një ish-nxënës. /Insajderi.com/