LAJMI I FUNDIT:

Prezumimi i pafajësisë (nuk) respektohet në Kosovë

Prezumimi i pafajësisë (nuk) respektohet në Kosovë
Foto: Lularta Buja

Prezumimi i pafajësisë është një togfjalësh ende i huaj për shoqërinë, e prandaj pjesërisht edhe për mediat dhe institucionet e Kosovës. Dhe, përderisa “prezumimi i pafajësisë” nuk respektohet sa duhet, jeta e shumë njerëzve që përballen me procese gjyqësore po dëmtohet, madje me raste pakthyeshëm.

Nga prezumimi i pafajësisë shpesh praktika çon në të kundërtën ekzakte të këtij parimi – në prezumim të përhershëm fajësie.


Kushtetuta e Republikës së Kosovës është në vijë me kushtetutat e vendeve me sisteme të përparuara gjyqësore dhe mbron prezumimin e pafajësisë.

Paragrafi i parë i nenit 3 të Kodit Nr.04/L-123 të Procedurës Penale thotë si vijon:

“Çdo person i dyshuar ose që akuzohet për vepër penale konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës”.

Paragjykimi si ndëshkim

A.V. është një vajzë e re kosovare që e ka vuajtur shumë procesin gjyqësor të babait të saj shkaku i paragjykimeve shoqërore. Ajo madje ka menduar edhe vetëvrasjen derisa babai i saj ishte i akuzuar për një krim që nuk e kishte kryer.

“Edhe pse rasti i babait u shfaq në portale me iniciale, i tërë fshati dhe qyteti im i vogël e dinte se për kë bëhej fjalë. Ishim të paragjykuar jashtëzakonisht shumë, jo vetëm babai por krejt familja… Një muaj nuk kam shkuar në shkollë… Paragjykimet nuk u ndalën asnjëherë, isha në gjendje shumë të rëndë. Një herë kam pirë barna që ta mbysja veten – më dukej që nuk mund t’i duroja paragjykimet. Kishte raste kur e urreja babin, e konsideroja fajtor për gjendjen time”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Këto raste përjetohen keq edhe nga vetë të akuzuarit – që shihen si të fajshëm ende pa u shpallur të tillë, e me raste edhe pasi shpallen të pafajshëm.

“Problemet psikike janë reagimi akut në stres me ndjenjën e shqetësimit, ankthit, pagjumësisë, (pastaj) çështja e stigmës se si do priten nga opinioni – rëndesë kjo akoma më e madhe në ndjenjën e denigrimit dhe uljes së vlerës së personalitetit dhe krijimi i bindjeve dhe perceptimeve të gabuara të shoqërisë”, thotë Gani Halilaj, neuropsikiatër, Drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK).

Një ish karateist kosovar që thotë se kishte qenë edhe kampion bote në këtë sport për grupmoshat e reja, Flamur Hasani, rrëfeu për Telegrafin përvojën e tij personale.

“(Paragjykimi shoqëror) Është ndjenjë e keqe e cila vazhdimisht të përcjell non-stop. Isha i dënuar me 25 vjet burg, (e isha) i pafajshëm, si i ri në moshën 23 vjeçare. U maltretu familja për 8 vjet nëpër vizita e seanca gjyqësore (e unë) duke e kalu kohën aty si një qen në kafaz me një njollë që nuk hiqet kurrë. Jam dëmtu me shëndet, me jetë e me karrierë pariparueshëm”.

Hasani pas mbajtjes së më shumë se shtatë viteve burg ishte shpallur i pafajshëm. Ai ishte akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij në një proces gjyqësor që kishte qenë shumë i përfolur mediatikisht.

Një tjetër rast i rëndë dhe shumë i diskutuar në media dhe rrjete sociale ishte edhe ai i vdekjes së Hamdi Sopa në vitin 2013, ish zyrtar i Qeverisë së Kosovës, për të cilën vdekje ishin dyshuar dy vajzat dhe gruaja e tij. Të tria kishin qenë për një kohë në paraburgim duke iu nënshtruar kësisoj një paragjykimi të ashpër. Sidoqoftë, ato në fund u shpallën të pafajshme dhe vdekja e z.Sopa u vlerësua se kishte qenë aksidentale.

Edhe Hashim Rexhepi, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, është arrestuar në vitin 2010 nën dyshimin për kryerjen e pesë veprave penale, që kanë të bëjnë me shpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrimit dhe ushtrimit të ndikimit.

Rexhepi ishte liruar nga të gjitha akuzat pas shtatëmbëdhjetë muajsh që kur iu iniciua procedura kundër tij. I pyetur nga Telegrafi rreth këtij rasti, avokati i z.Rexhepi, Ramë Gashi është përgjigjur: “Lidhur me procesin e z.Hashim Rexhepi, gjykimi përfundimtar ka thënë fjalën e tij. Ai është i pafajshëm që çon në përfundim se ka qenë pa drejtë i akuzuar”.

Raste të tjera të rënda në Kosovë ka shumë, siç ka edhe viktima që vuajtën stigmën dhe prishjen e reputacionit, e në lidhje me këtë neuropsikiatri Halilaj ka thënë se “Mu paragjykimi në shoqërinë tonë është një ndër atributet më të këqija që i posedojmë. Edhe jemi të prirë t’i zmadhojmë, t’i devijojmë dhe tepër ndikohemi nga thashetheme. Duke qenë të njohur se si jemi si shoqëri në këtë aspekt – kjo ndikon së tepërmi në rëndesën psikologjike të të akuzuarit”.

‘Prezumimi i fajësisë’

Prezumimi i pafajësisë është edhe e drejtë ndërkombëtare e njeriut nën Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Neni 11 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Kjo bën që prokuroria të ketë barrën legale për të vërtetuar fajësinë e të akuzuarit, dhe jo e kundërta, i akuzuari të dëshmojë pafajësinë e tij. Prokurorisë i duhet që ta provojë fajësinë e të akuzuarit përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Nëse dyshimi i arsyeshëm mbetet, i akuzuari shfajësohet.

Një praktikë e tillë nuk respektohet plotësisht në vendin tonë. Kjo potencohet edhe nga ish Avokati i Popullit, Hilmi Jashari në një prononcim për Telegrafin.

“Raportimet mbi rastet penale në Kosovë, vazhdojnë të përcillen me parregullsi të rënda dhe shkelje të të drejtave në të shpeshtën e rasteve, përfshirë shkeljen e prezumimit të pafajësisë, si vlerë e sistemit penal dhe parim bazë të sundimit të së drejtës e deri të mbrojtja e të dhënave, diskriminim dhe cenim të dinjitetit”, ka thënë ai.

Jashari e ka cilësuar si të pajustifikueshëm çdo ndikim të mundshëm në proceset gjyqësore nga vlerat morale apo fetare.

Por, a ndryhen brenda këtyre paragjykimeve shoqërore vlerat morale e fetare? Se një gjë e tillë ndodh nuk është mohuar madje as nga hoxha Imri Llugaliu.

“Mendoj që gjykimet morale ndikojnë në procese gjyqësore”, ka thënë ai për Telegrafin.

Një hoxhë tjetër e ka kuptuar rëndësinë e prezumimit të pafajësisë në lëkurën e tij. Emri i tij është Shefqet Krasniqi që punon si imam i xhamisë së madhe “Mehmet Fatihu” në Prishtinë.

Ai ishte akuzuar për terrorizëm dhe për nxitje të urrejtjes mu në kohën (2013, 2014) kur vendi po përballej me një valë të madhe qytetarësh që po shkonin në vatrat e luftës në Siri për të luftuar krah Shtetit Islamik (IS). Në mars të 2018-s ishte shpallur i pafajshëm.

Fajësia edhe pas shpalljes së pafajësisë

Shumë më tepër se çdo lloj sëmundjeje tjetër, çrregullimet mendore i nënshtrohen gjykimeve negative dhe stigmatizimit. Shumë pacientë jo vetëm që duhet të përballen me efektet shpesh shkatërruese të sëmundjes së tyre, por gjithashtu vuajnë nga përjashtimi dhe paragjykimet shoqërore.

A.V. tregon se si është paragjykuar edhe pasi babai i është shpallur i pafajshëm.

“Kur e përfundova shkollën e mesme, u njoftova me një djalë… kishim disa vite bashkë; kur erdhi koha të njoftohesha me familjen e tij, ata e paragjykonin familjen time. Mua më thonin “ti je vajza e këtij njeriut që ka qenë i arrestuar”. Për familjen e djalit ishte e papranueshme, nuk iu interesonte që babai ishte shpallë i pafajshëm, nuk donin që djali i tyre të lidhej me një vajzë të një burri që ata e quanin “kriminel”. Paragjykimet që mora në shoqëri ma ndryshuan jetën”, thotë ajo për Telegrafin.

I paragjykuar edhe pas vendimit të shpalljes së pafajësisë është ndjerë edhe Flamur Hasani.

“Shumë më kanë paragjyku shoqëria… dhe ende mund të ketë paragjykime sepse atë njollë që ma kanë vënë nuk do të shlyhet kurrë. E vërteta ka qenë ashtu siç unë kam thënë – e që më vonë u vërtetu”, shtoi ai.

Besimi në gjykata

Besimi në gjykata është një shtyllë e rëndësishme edhe për përforcimin e prezumimit të pafajësisë, dhe mbrojtjes së qytetarëve nga stigma, shkelja e privatësisë apo forma tjera të cenimit të dinjitetit.

“Siç e dimë, gurthemel i sundimit të ligjit është besimi i publikut në gjykata, por ky besim duhet të fitohet dhe të kultivohet.” – ka thënë Christina Davis, Drejtoreshë e DGO, USAID Kosovë gjatë një tryeze ku ishin shpalosur rezultatet e një Ankete me përdoruesit e shërbimeve të gjykatave themelore.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në një deklaratë të mëparshme ka thënë se disa raste të caktuara mediatike e kanë cenuar besimin e publikut ndaj sistemit të drejtësisë.

“Nëse marrim sferën penale, sikurse rasti Dehari, rasti Asanaj, por edhe dhjetëra raste tjera të vrasjeve, qoftë të qytetarëve të rëndomtë apo edhe figurave politike, për të cilat organet e drejtësisë, thjeshtë, në një farë mënyrë janë dorëzuar… Nëse marrim për bazë krimin e organizuar dhe korrupsionin, institucionet e drejtësisë, thjeshtë, kanë kapitulluar para të gjithë atyre, të cilët në mënyrë sistematike e kanë keqpërdorur buxhetin e Kosovës”.

Sipas një raporti të publikuar nga Balkans Policy Research Group, qytetarët e Kosovës e perceptojnë gjyqësorin si një prej institucioneve më të korruptuara publike në vend.

“Një gjyqësor i dobët nuk mund të pritet ta luftojë korrupsionin e përhapur, i cili po e shkatërron gjithë shoqërinë. Ai fillimisht duhet ta eliminojë korrupsionin brenda radhëve të veta, në mënyrë që pastaj të mund ta ndjekë penalisht korrupsionin jashtë tij. Sfidë fillestare në këtë drejtim është vlerësimi se sa i korruptuar është vërtet gjyqësori, dhe në çfarë formash manifestohet ai korrupsion…Ka pasur disa aktakuza kundër personelit gjyqësor ose prokurorial, por mbikëqyrja e paqëndrueshme dhe proceset e stërzgjatura gjyqësore e kanë kufizuar ekspozimin e tyre apo ndërmarrjen e çfarëdo mase tjetër parandaluese…”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Ky publikim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e Debate Center dhe Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Lajme
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Lajme
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
Kalo në kategori