LAJMI I FUNDIT:

Presioni për taksën nuk ndalet, Qeveria s’lëkundet

Presioni për taksën nuk ndalet, Qeveria s’lëkundet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po e ndalin presionin ndaj Qeverisë së Kosovës për heqjen e plotë dhe sa më të shpejtë të taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake. Ndonëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte paralajmëruar që do ta heqë këtë tarifë pjesërisht duke filluar nga 15 marsi dhe plotësisht nga 1 prilli, një gjë e tillë nuk po përkrahet nga përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

Madje nëse taksa nuk hiqet tërësisht është raportuar se Grenell po e shtyn përpara idenë për vendosjen e sanksioneve të kufizuara ndaj Qeverisë së Kosovës, si ndalja e ndihmës dhe e investimeve amerikane. Ditë më parë zyra e kryeministrit kishte deklaruar se gjatë bisedës që Kurti ka pasur me Grenellin i është konfirmuar se ndihma ndaj Kosovës nuk do të ndalet për shkak të tarifës. Por Grenelli ka reaguar të enjten ndaj këtyre deklaratave, duke i quajtur të pavërteta.


Ai ka thënë se SHBA-ja ia ka bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për t’i mbajtur tarifat edhe pjesshëm është duke e dëmtuar ekonominë e Kosovës dhe se SHBA-ja nuk do t’i çonte dëm ndihmat e saj nëse lidershipi i Kosovës vazhdon ta dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë. Mirëpo ky presion i amerikanëve po vlerësohet si i njëanshëm dhe i pabarabartë, duke qenë se Kosova ka marrë iniciativë për heqjen graduale të tarifës, ndërkohë që Serbia po vazhdon egërsisht me fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës. Ndërkaq i gjithë spektri politik në Kosovë është i ndarë sa i përket taksës 100 për qind. Përveç qëndrimeve të ndryshme në opozitë, pozicione të njëjta nuk mbajnë as partnerët e koalicionit, shkruan Zeri.

SHBA-ja nuk premton investime nëse tarifa s’hiqet

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” Richard Grenelli i ka demantuar deklaratat e zyrës së kryeministri të Kosovës, që ditë më parë, pas një komunikimi të cilin kryeministri Kurti e ka pasur me Richard Grenellin, ka deklaruar se Grenelli e ka konfirmuar mbështetjen amerikane për Kosovën, pavarësisht tarifave.

“Gjatë bisedës së pardjeshme telefonike të kryeministrit Kurtit me ambasadorin O’Brien dhe me ambasadorin Grenell ata nuk kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat ushtarake amerikane nga Kosova dhe se do ta ndalin në ndonjë fushë ndihmën ekonomike për vendin tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon. Në fund të bisedës të dyja palët janë pajtuar që ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin”, është thënë nga përfaqësues të zyrës së kryeministrit.

Mirëpo Grenelli përmbajtjen e kësaj telefonate e ka quajtur të pavërtetë. Ai ka thënë se SHBA-ja nuk do të vazhdojë të çojë ndihma dëm në Kosovë nëse lidershipi punon në këtë mënyrë.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne ia kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për heqjen e tarifës, qoftë edhe pjesërisht, është duke e dëmtuar ekonominë e Kosovës. SHBA-ja nuk do t’i çojë dëm ndihmat e saj nëse lidershipi i Kosovës vazhdon ta dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, ka thënë Grenell.

Qeveria: Heqja e taksës gradualisht, rruga më e duhur

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Erzen Vraniqi, ka thënë se deklarimet e përfaqësuesit special Richard Grenellit për dialogun ngjajnë më të ashpra në rrjetin social “Twitter” sesa në bisedat telefonike mes tij dhe kryeministrit Kurti. Por pavarësisht mospajtimit të Grenellit me heqjen graduale të taksës, Vraniqi thotë se Qeveria është në rrugën e duhur.

“Mund ta kem gabim, por përshtypja ime është se ‘tweet’-at e ambasadorit Grenell ngjajnë më të ashpër sesa takimet e bisedat me të.

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e tij të qartë e të saktë për heqjen graduale të tarifës 100% dhe vendosjen graduale të reciprocitetit. Ambasadorit Grenell kjo nuk i ka pëlqyer, duke e quajtur gjysmëmasë. Por kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur rrugën më të mirë e më të dobishme për Kosovën me propozimin e tij”.

Sipas tij, komunikimet e ambasadorit Grenell përmes rrjetit social “Twitter” janë duke u keqpërdorur për interesa të brendshme politike.

“Në anën tjetër, këtu më shumë po keqpërdoret ambasadori Grenell për luftën e brendshme politike në Kosovë nga ata që i humbën zgjedhjet dhe tash u janë cenuar interesat nga vendimet e Qeverisë, sidomos nga shkarkimet e bordeve të korruptuara të disa ndërmarrjeve publike”, është shprehur Vraniqi.

Britania mbështet heqjen e pjesshme të taksës, por kërkon heqjen e plotë të saj

Por ndryshe nga SHBA-ja, Britania e Madhe e ka mbështetur fillimin e heqjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe e boshnjake. Edhe një herë tjetër ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, në një intervistë ka deklaruar se shteti i tij e përkrah heqjen e pjesshme të taksës, por që presin që ajo të hiqet tërësisht. Kësisoj ai ka thënë se të dyja shtetet duhet t’i krijojnë kushtet për fillimin sa më të shpejtë të dialogut.

“Mbretëria e Bashkuar e përkrah rifillimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe përshëndesim tërheqjen e pjesshme të taksës në mallrat nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina, por ne presim heqjen e plotë të taksës. Ne përkrahim procesin e negociatave dhe inkurajojmë të dyja palët të vazhdojnë. Të dy palët duhet të krijojnë kushtet për avancimin e dialogut dhe të marrin veprime, që do të mundë të dërgonin në një marrëveshje finale”, ka thënë Abbott.

Grenelli nuk po i trajton në mënyrë të barabartë Kosovën dhe Serbinë

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Vela, përmes një shkrimi ka reaguar ndaj raportimeve për sanksione të mundshme të SHBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës për shkak të mosheqjes së menjëhershme të tarifës. Ai thekson se ky veprim duket se do të ndodhë, ndonëse ekziston propozimi i Qeverisë fillimisht për heqje të pjesshme e pastaj të plotë të tarifës.

“Pra, tarifa do të hiqet dhe negociatat janë duke vazhduar, duke e bërë të panevojshme vendosjen e ‘sanksioneve’. Në anën tjetër, Serbia vazhdon fushatën e çnjohjeve ndaj Kosovës dhe armatimit nga Rusia në kundërshtim me interesat vitale të SHBA-së. Pavarësisht këtyre veprimeve, asnjë kërcënim për sanksione ndaj Serbisë! Kjo qasje mund të vendosë në pikëpyetje besueshmërinë e procesit negociator përderisa palët nuk trajtohen në mënyrë të barabartë”.

Vela ka vlerësuar se vendosja e “sanksioneve” ndaj Kosovës mund të shpjegohet me dëshirën e Grenellit që të imponojë marrëveshje të shpejtë Kosovë – Serbi. “Atëherë çka mundet ta arsyetojë vendosjen e ‘sanksioneve’ ndaj palës kosovare? Shpjegimi mund të gjendet në dëshirën e ambasadorit Grenell që të imponohet si ndërmjetës me autoritet të padiskutueshëm dhe me aftësi të imponojë zgjidhje mbi palët, në mënyrë që të arrihet marrëveshja e shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar Vela.

Në trend Lajme

Më shumë
Gruaja që u vra në Pejë ishte punëtore shëndetësore që 20 vjet, Drejtoria e Shëndetësisë: Do të mbetet në kujtime për urtësinë

Gruaja që u vra në Pejë ishte punëtore shëndetësore që 20 vjet, Drejtoria e Shëndetësisë: Do të mbetet në kujtime për urtësinë

Lajme
Vritet një grua në Pejë

Vritet një grua në Pejë

Kronika e Zezë
Vrasja në Pejë, kryeprokurori Kurmehaj jep detaje nga ngjarja tragjike

Vrasja në Pejë, kryeprokurori Kurmehaj jep detaje nga ngjarja tragjike

Lajme
Vrasja e gruas në Pejë, i dyshuari bashkëshorti i saj

Vrasja e gruas në Pejë, i dyshuari bashkëshorti i saj

Lajme
Bosnja në anën e Kosovës, deputeti Magazinoviq thotë se do të votojë pro anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Bosnja në anën e Kosovës, deputeti Magazinoviq thotë se do të votojë pro anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Lajme
Rasti tragjik në Pejë, reagon presidentja: Ky femicid që ka marrë përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet

Rasti tragjik në Pejë, reagon presidentja: Ky femicid që ka marrë përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet

Lajme
Kalo në kategori