LAJMI I FUNDIT:

Presioni i ndërkombëtarëve, pozita dhe opozita kundër që çështja e dinarit serb të diskutohet në kuadër të dialogut

Presioni i ndërkombëtarëve, pozita dhe opozita kundër që çështja e dinarit serb të diskutohet në kuadër të dialogut

Më 1 shkurt në Kosovë do të hyjë në fuqi rregullorja e miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës, ku ndalohet qarkullimi i dinarit serb. Por, kërkesë që të shtyhet zbatimi i kësaj rregullore kanë bërë vendet e QUINT-it, të cilat kërkojnë që për çështjen e dinarit të bisedohet edhe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.  

Kërkesat e ndërkombëtarëve dhe presioni i tyre po vlerësohet si jo me vend nga pozita dhe opozita në Kosovë, të cilët thonë se çështja e dinarit serb nuk duhet të jetë pjesë e dialogut.


Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtar i Komisionit për Ekonomi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se çështja e dinarit ka kohë që është e rregulluar se dhe nuk mund të përdoret në Kosovë.

“E para, kjo nuk është çështje e dialogut, mendoj që kjo çështje fillimisht është rregulluar në vitin 1999, dinari, nuk është më monedhë që përdoret në Kosovë. Që nga rregullorja e UNMIK-ut përpara edhe pastaj me Kushtetutën tonë, neni 11 kjo është e sqaruar dhe s’ka çështje dialogu këtu. Dhe kështu që jam absolutisht kundër. E dyta, sa i përket të vendimit të Bankës Qendrore, më 24 tetor ata e e kanë publikuar rregulloren dhe i kanë dhënë kohë të mjaftueshme, secili për mu përshtatë”, ka thënë ai.

Muja deklaroi se këtu janë dy aspekte të rëndësishme, gjersa përmend edhe sovranitetin.

“E para është sovraniteti, domethënë edhe bota evropiane EURO po shkon në cep të Leposaviqit, është manifestim i sovranitetit. E dyta është e rëndësishme te sistemi bankar dhe i pagesave. Institucionet të cilat operojnë në Kosovë, duhet të licencohen nga Banka Qendrore dhe të gjitha vendet e QUINT-it e dinë që Banka Qendrore ka një autonomi të cilat ne si politikanë nuk ndërhyjmë dot”, theksoi ai.

Tutje, ai thotë se rregullorja do të ndihmojë edhe tek formalizmi i ekonomisë edhe integrimi i ekonomisë së vendit, ose luftimi i shpëlarjes së parave edhe krimit të organizuar.

Ndërkaq, Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ka quajtur vendim të drejtë rregulloren e BQK-së, ku ndalon qarkullimin e dinarit.

“Sa i përket Rregullores së Bankës Qendrore, mendoj që është vendim i drejtë, sepse ne e kemi shtetin, e kemi valutën euro dhe nuk ka kuptim që të kemi edhe një valutë zyrtare. Prandaj, me të drejtë ka marrë një vendim tillë”, tha Lekaj në një intervistë për Telegrafin.

Me tej, Lekaj thotë se përkundër presionit që po bëjnë ndërkombëtarët, tema e dinarit nuk ka pse të diskutohet në Bruksel.

“Unë po e shoh që ka presion ndërkombëtar. Mirëpo, unë mendoj që gjërat duhet të diskutohen në tavolinë paraprakisht, të koordinohen me faktorin ndërkombëtar dhe të bëhet e qartë që nuk është marrë një vendim kundër komunitetit serb, por është marrë një vendim i drejtë ligjor që e kemi një valutë dhe ajo është valuta e euro”, potencoi ai.

Deputeti Lekaj thotë se Qeveria duhet të jetë e qëndrueshme në këtë temë.

“Sa i përket shteteve të QUINT-it dhe presionit ndërkombëtar, unë mendoj që Qeveria duhet të jetë e qëndrueshme dhe nuk guxojmë që çështjen e dinarit ta vëmë në dialog. Pra, në tavolinën e dialogut sepse atëherë nuk ka kuptim edhe ajo që a jemi shtet apo nuk jemi shtet. Prandaj, duhet që të koordinohen punët, t’u sqarohet edhe qytetarëve serb që kjo nuk është kundër tyre, por është në kuadër të funksionimit të shtetit të Kosovës”, tha ai për Telegrafin.

Se a mund të shkaktojë probleme në veri të vendit, zbatimi i kësaj rregullore, Lekaj thotë se Qeveria duhet të koordinohet me ndërkombëtarët dhe se ky vendim është marrë në kuadër të ligjit dhe se në një shtet nuk mund të jenë dy valuta.

“Qeveria jonë, zoti Kurti kryeministri duhet të jetë i qëndrueshëm, apo mos të merr vendime atëherë nëse nuk mund t’i mbrojë, por tani nëse e ka marrë një vendim tillë, atëherë duhet të qëndrojë”, theksoi mes tjerash ai.

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar dokumentin “Pyetjet dhe Përgjigjet më të Shpeshta mbi Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme”, si sqarime shtesë pas aprovimit të Rregullores për Operacionet me Paratë e Gatshme” ku ndalohet ri-qarkullimi i kartëmonedhës 500 euroshe dhe qarkullimi i dinarit serb.

Rregullorja më konkretisht dhe përveç tjerash, adreson çështjet në vijim: procedurat e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe të valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara; kriteret për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara; standardet minimale për kontrollin e përshtatshmërisë dhe ri-qarkullimin kartëmonedhave dhe monedhave euro; standardet për paketimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro për depozitim në BQK.

Po ashtu, adreson kushtet për transaksionet e pagesave me para të gatshme, rregullat dhe detyrimet për importin dhe eksportin e kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera prej dhe në Republikën e Kosovës dhe procedurat dhe detyrimet për ofruesit e shërbimeve të depozitimit apo tërheqjes së parave të gatshme përmes makinerive që përdoren nga klienti./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Kronikë e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Kalo në kategori