Presidenti Obama niset për në Evropë. Londra, ndalesa e parë

Obama i tha gazetës “Financial Times” se grupi i 20 vendeve më të industrializuara dhe në zhvillim duhet të japin një mesazh të fuqishëm uniteti për t’ju kundërvënë krizës ekonomike globale.
Shumë vende ia hedhin fajin për krizën Shteteve të Bashkuara dhe sistemit të saj bankar liberal.
Obama do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Strasburg të Francës. Takimi do të përqendrohet tek Afganistani, ku presidenti ka në plan të dërgojë 21.000 trupa të tjera amerikane si pjesë e strategjisë së tij të re të luftës.
Shumica e vendeve të NATO-s kanë hezituar t’i përgjigjen kërkesës amerikane për të dhënë një kontribut më të madh ushtarak në Afganistan. Por ato po shikojnë mundësinë që të luajnë një rol më të madh jo-luftarak, si trajnimi i policisë dhe përgatitjet për zgjedhjet.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha të hënën se plani i zotit Obama është realist për atë që mund të arrihet. Por ai shtoi se askush nuk duhet të presë që Afganistani të kthehet në një Zvicër brenda pak vitesh.
Gjatë vizitës në Londër për takimin ekonomik, Obama do të zhvillojë bisedime me kryeministrin britanik dhe indian, presidentin e Kinës dhe të Rusisë si dhe me Mbretin e Arabisë Saudite.
Presidenti Obama do të ndalet edhe në Republikën Çeke, ku Shtetet e Bashkuara planifikojnë të instalojnë pjesë të një sistemi për mbrojtjen antiraketë, që Rusia e kundërshton me forcë.
Ai do të takohet atje edhe me kryeministrin e Spanjës, Jose Luis Rodrigez Zapatero, i cili para pak kohësh njoftoi plane për tërheqjen e trupave spanjolle nga Kosova. /VoA/


















































