LAJMI I FUNDIT:

Presidenca rumune e BE-së – kolaps me pasoja!?

Presidenca rumune e BE-së – kolaps me pasoja!?

Më ndërrimin e viteve, qeveria e mençur rumune nën udhëheqjen e socialdemokratëve të PSD-së, e me gjoks të fryrë nga krenaria do të pushtojë Brukselin dhe Strasburgun… Në këtë formë, ose pak më ndryshe mund të shkruhen kryetitujt e gazetave në ditët e ardhshme në mediat e ndikuara prej PSD-së në Bukuresht. Kështu, disa ministra nën drejtimin e kryeministres Viorica Dancila shpresojnë se mund të hyjnë edhe në librat e historisë. Me tone nacional-populiste dhe kritike ndaj BE-s[, e urta Viorica Dancila ka zbatuar pa iu dridhur syri urdhrat e atij që tërheq fijet në prapaskenë, të kreut të partisë të dënuar, Liviu Dragnea nga PSD.

Ajo dhe shpura e saj do t’ia tregojnë vendin evropianëve të tjerë pa moral dhe hundëpërpjetë; do t’u tregojnë se si bëhet politikë në Rumani dhe për Rumaninë, për këtë janë të bindur përkrahësit. Ajo, Viorica Dancila, rumanishtja e së cilës shfaq boshllëqe të ndjeshme e që gati përditë kthehet në objekt humori në media; ajo që njohuritë e gjuhëve të huaja i ka ekzistente vetëm në letër; që ngatërron para kamerave, Podgoricën, kryeqytetin malazez me Prishtinën, do t’i tregojë vendin Merkelit, Macronit, Kurzit, e të gjithë të tjerëve, kolegëve evropianë, emrat e të cilëve ajo nganjëherë i harron. Të paktën këtë e ka lënë të kuptohet në Bukuresht. E që gjithçka të bëhet me vetëbesim të plotë, pak ditë para ndërrimit të viteve, ajo u kurorëzua nga portali propagandistik rus, si “figura politike rumune e vitit”. Dashakeq kujti i shkon mendja për të keq…


Megjithatë…Dragnea, Dancila e të tjerët nuk i sjellin dot dëme BE-së. Vendimet e mëdha të gjashtëmujorit të parë 2019 e anashkalojnë Rumaninë. Brexit dhe zgjedhjet evropiane janë gati të mbyllura, e as nuk mund të ndikohen e as nuk ndërrojnë drejtim nga zhvillime të papritura të presidencës rumune. Edhe sikur ekipi qeveritar të tregohet antievropian, ka edhe një president, Klaus Iohannis, një evropian liberal i bindur, që mund ta kthejë timonin në drejtimin e duhur. Këtë ai e ka bërë disa herë me sukses e do të vazhdojë ta bëjë. Edhe nëse Dragnea e kërcënon me padi për tradhti ndaj atdheut.

Pra, nga këndvështrimi i politikës së brendshme, duhet parë se si do të zhvillohet lufta e brendshme mes presidentit të parlamentit, Dragnea dhe presidentit të shtetit. Afrimi është i përjashtuar, po ashtu edhe fundi i mungesës së stabilitetit politik nuk dihet.

E, çfarë do të ndodhë me presidencën rumune para këtij sfondi? Në Bruksel thuhet se ajo mirëpritet. Qeveria në Bukuresht është shumë e zënë me veten, për të thyer porcelanet e kushtueshëm të BE-së. E lëre më të arrijë të ngrejë më këmbë diçka konstruktive… Para krizës së vazhdueshme alla rumunçe, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junkcer, mund të fillojë të paketojë, e në këtë kohë të shijojë edhe një samit “historik” në Siebenburgenin piktoresk. Sibiu, vendlindja e presidentit Iohannis, në qendër të medias si epiqendër evropiane këto muaj nis edhe rrugëtimin drejt librave të historisë së BE. Me Dragnean, Dancilan e të tjerët si figura episodike, që mund të gëzohen për qilimin e shtruar tek Sputnik e bashkëshoqëruesit…Kështu është falë Evropës!