LAJMI I FUNDIT:

Premtohet ndryshimi i Projektligjit për Paga

Premtohet ndryshimi i Projektligjit për Paga

Kërkesat e fundit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për korrigjim të Projektligjit për Paga janë marrë seriozisht nga Ministria e Administratës Publike (MAP). Në këtë institucion premtojnë se do t’i përdorin të gjitha mundësitë për plotësimet e nevojshme të Projektligjit.

MAP duket se do t’ua pamundësojë mësimdhënësve t’i futen grevës së serishme.


Dikasteri që udhëhiqet nga Mahir Yagcilar premton se do t’i përdorë të gjitha mundësitë për përfshirjen e kërkesave të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në Projektligjin për Paga, i cili aktualisht gjendet në Kuvend.

Në përgjigjen zyrtare që MAP-i ka dhënë për gazetën Zëri, bëhet e qartë se Projektligji do të pësojë ndryshime me realizimin e plotësimeve të nevojshme derisa përmes tij të garantohet një stabilitet fiskal.

“Ligji për Pagat gjendet në Kuvend, në procedurë parlamentare. Duke u bazuar në sugjerimet që po vijnë nga subjektet e interesuara, MAP-i do të përdorë të gjitha mundësitë për përfshirjen e kërkesave të SBASHK-ut. Me këtë rast do të bëhen edhe përpjekje për realizimin e plotësimeve të tjera të nevojshme, në mënyrë që Ligji të garantojë stabilitetin fiskal dhe funksionim normal të tij”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë. Plotësimet e ngjashme të Projektligjit i kanë komentuar edhe në Zyrën e Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në një përgjigje me shkrim për Zëri, Donjeta Gashi, shefe e kabinetit të Kryeministrit, ka thënë se Projektligji është dërguar në Kuvend, ku mund të bëhen plotësimet para se të votohet. /Zëri /Telegrafi/